14 vite më parë, u nda nga jeta aktorja e shquar e teatrit “Migjeni”, Antonjeta Fishta.

0
219

Mirënjohje dhe respekt për veprën e saj!

Më poshtë do të lexoni një shkrim nga Xhahid Bushati mbi jetën e saj artistike.
( Ky shkrim u mor nga libri TEATRI MIGJENI – KUJTESA E NJË QYTETI)

ANTONJETA FISHTA

Kujtime, malli dhe albumet e fotografive…

Antoneta Fishta (Ndokillia) vitet e pleqërisë i kalonte ditët më shumë në Vendlindje se sa në dhe të huaj. Herë pas here e mbulonin kujtimet. Jetonte me to. Nisnin e merrnin “jetë”, teksa “bisedonte” me albumet e fotografive, që mishëronin jetën e saj prej aktoreje nëpër vite. Këto albume ishin arkivë-jete, të cilët Antoneta i kishte ruajtur dhe i ruante me kujdes. Ishte për t’i pasur zili! Aty ishte gdhendur jeta e saj artistike. Shpesh tundte kokën dhe binte në mendime…

Më tregonte se çdo rol e kishte dashuruar, kishte jetuar me të. Ndërsa unë përfytyroja Antonetën të kthyer në personazh.

Kujton… se… “… kam qenë me fat të madh që kam pasur si shok jete dhe bashkëshort Lec Fishtën (sot nuk jeton), skenografin e Teatrit “Migjeni”, autorin e 200 premierave (teatër-estradë-teatër kukullash), i cili përveçse shok i mirë jete, ka qenë për mua një koleg pune, me të cilin kam diskutuar e kam zgjidhur edhe shumë probleme të mëdha artistike dhe interpretimi. Ishte pikërisht Lec Fishta dhe publiku i mrekullueshëm shkodran që me respektin, duartrokitjet e tij më dhanë forcë që të vë në jetë gjithë talentin tim në shërbim të skenës teatrore”.

Fëmijëri e trishtuar, por…

Antoneta Fishta lindi më 22.01.1922 në Vjenë (Austri) dhe vdiq në Itali, më 26.10.2006.[1]

Nuk ishte më shumë se 6 vjeçe, kur vogëlushja humbi thesarin më të çmuar të jetës: nënë Albinën, e cila ndërroi jetë në Korfuz (Greqi), në vitin 1928. Asnjë copëz qiell nuk mund t’ia fshihte hidhërimin, kaq i madh ishte ai! Ai zë i dashur dhe i shtrenjtë iu kthye përjetësisht në mall.

Antonetës së vogël i ofruan përkëdhelje, dashuri dhe kujdes Motrat Stigmatine. Këto vite përcaktojnë harkun kohor 1928–1933, ku kryen shkollën fillore. Përsëri vatër e ngrohtë, strehëz e ëndrrave fëminore janë duart prej nëne e shpirti human i murgeshave. Në këtë moshë vocërrakja do të nis udhën e “aktores” në interpretimin e pjesëve teatrore: “Ora e Shqypnisë”(roli i Ciripupes), “Xhuxhmaxhuxhat” (roli i xhuxhit të vogël).

Detaje jete

Në vitin 1941 Antoneta merr pjesë në dramën “Maria Stuart”. Luan rolin kryesor.

Vazhdon studimet në shkollën normale “Donika Kastrioti”. Në vitin 1943 diplomohet mësuese. Misionin fisnik të mësuesisë e nis në Suharekë të Prizrenit, më 16 shkurt 1944. Nuk rri më shumë se një vit. Transferohet dhe, gjatë viteve 1945–1948 është mësuese në shkollat “Parrucë”, “Liria”, “Jordan Misja” e “Vasil Shanto”.

Ëndrra për artin, pasioni për skenën nuk i zbehet asnjëherë. Në vitin 1945 merr pjesë njëherësh në grupet artistike të Sindikatës dhe të Arsimtarëve. Nuk mjaftohet me kaq, por nis të aktivizohet në Radio Shkodra.(Në historikun e kësaj radioje, zë vend edhe kapitulli i jetës artistike të mësueses Antoneta Fishta. Me nxënësit e shkollës “Liria”, për të cilët mësuesja ka një dobësi të veçantë, vë në skenë melodramën “Harusha kërcimtare” të Zef Harapit. Vetë interpreton rolin kryesor).

Aktiviteti artistik i Antonetës ndahet në dy periudha: para profesioniste dhe profesioniste.

Po ndalemi tek periudha e parë. Të kësaj periudhe janë tetë drama, të cilat ka pasur role kryesore. Në këtë kohë krijohet Shtëpia e kulturës, e cila ka grupin koral nën drejtimin e kompozitorit, Artistit të Popullit, Prekë Jakova, si dhe grupin teatror nën drejtimin e regjisorit (më vonë të Artistit të Popullit) Andrea Skanjeti.

Janë vitet 1945–1949, ku Antoneta shpalos talentin dhe shfaq dukshëm pasionin e saj. Njëherësh aktivizohet në të dy grupet. Në grupin teatror luan në dramat “Çështja ruse” (rolin e Xhesit), “Portreti” (rolin e doktoreshës), “Ishulli i paqes” (rolin missis Xhekobs), etj.

Është viti 1949. Një ngjarje e shënuar për jetën artistike të qytetit të Shkodrës. Krijohet bërthama e parë e grupit teatral “Migjeni”, ku dhe Antoneta Fishta shënon emrin e saj.

Për Antonetën nis periudha e dytë, ajo e aktores profesioniste. Interpreton në 70 drama shqiptare dhe të huaja, duke lënë një galeri prej 75 rolesh. Po përmend disa prej tyre, si: rolin e Afërditës në dramën “Nën okupacion” (30.06. 1951) të Xh. Brojës, rolin e Elizës në komedinë “Kopraci” (20.02.1952) të Zh.B. Molier, rolin e Lokes (të cilin e luajti 91 herë) në dramën “Toka jonë” (27.02.1954) të K, Jakovës, rolin e Elmirës në komedinë “Tartufi” (01.06. 1955) të Zh. B. Molier, rolin e Katerinës në tragjedinë “Tirani i Padovës” (27.09.1957) të V. Hygoit, në rolin e Tringës në dramën “Shtatë shaljanët” (28.02.1958) të Nd. Lucës, në rolin e Larisës në dramën “Histori irkutase” (05.04.1961) e A. Arbuzov-it, në rolin e Helenës në dramën “Shtëpi kukulle” (11.04.1963) të H. Ibsenit, në rolin e Lidia Petrovnës në dramën “Viti ‘61” (25.11.1961) të F. Paçramit, në rolin e Medihasë[2] në dramën “E bardha dhe e zeza” të F. Paçramit vënë në skenë nga Esat Oktrova, etj.

Përveç skenës teatrore, kontributi i Antonetës qe i dukshëm edhe në kinematografinë shqiptare, me rreth 12 filma. E kujtojmë në rolin e Musinesë (“Detyrë e posaçme”), në rolin e Bule Naipit (“Ngadhnjim mbi vdekjen”), në rolin e murgeshës (“Shtigje lufte”), në rolin e nënës së vajzës (kinokomedia “Çifti i lumtur”) etj.

Nga galeria e personazheve:

Është e pamundur të përmendësh dhe të analizosh gjithë galerinë e personazheve që krijoi aktorja Antoneta Fishta. Në fokusin tonë kemi marrë disa prej tyre për të treguar mjeshtërinë e interpretimit të aktores në fjalë dhe besueshmërinë në realizimin e disa figurave.

Dy Katerinat

Katerina, ky emër na kujton dy rolet e aktores Antoneta Fishta, në dramat “Shtërngata” të N. Ostrovskit (20.04.1956), dhe “Tirani i Padovës” të V. Hygoit (27.09.1957), të vëna në skenë nga regjisori, Artisti i Popullit, Lec Shllaku.

Në Katerinën e Ostrovskit interpretimi i monologut edhe pse relativisht i gjatë e “bind” dhe nuk e “mërzit” spektatorin. Ai e ndjek me kërshëri dhe vëmendje. Gjatë këtij interpretimi aktorja ruan mjaft nuanca, të cilat thellohen, shkallëzohen e gradualisht bëhen shpërthyese. MONOLOGU I ÇELËSIT është një pikë kulmore e interpretimit artistik të Antonetës.

Një Katerinë tjetër shohim në interpretimin e Antonetës në tragjedinë “Tirani i Padovës”. Aktorja kësaj here ka preferuar që figurën ta “vizatojë” me një thjeshtësi natyrore, çiltërsi e ndjenjë të lartë shpirtërore. I ka dhënë universalitet dhe hapësirë njerëzore.

Lokja, Tringa, dhe hako Xhixhikja

Roli i Lokes (drama “Toka jonë” e K. Jakovës, 27.02.1954) për aktoren Antoneta Fishta hap një kapitull të ri interpretimi. Është një gur-prove që e përballi profesionalisht. I dha Lokes gjithçka njerëzore. I dha frymëmarrje e plotëri artistike. Duke mbetur po në të njëjtën marrëdhënie Antonetë-Loke, aktorja i dha edhe karakter të fortë, cilësi dhe veti morale, për të qenë e aftë për të përballuar situatat e vështira me të cilat do të ndeshej. Në të gjitha këto ndeshje, që nuk ishin aspak të lehta, portreti i Lokes është produkt i një ekuilibri shpirtëror. Kurse gjatë interpretimit të figurës së Tringës te drama “Shtatë shaljanët” të Nd. Lucës (28.02.1958), aktorja Fishta ruajti dhe manifestoi artistikisht karakterin e gruas malësore. Vende-vende ky personazh u shoqërua edhe me nuanca burrërore e stoike, të përligjura.

Te figura e hako Xhixhikes (drama “Kunora e Nurijes” e Kolë Jakovës, 15.03. 1959), Antoneta ka një lidhje më të fortë. Në të gjitha kalimet përmes situatave të përcaktuara apo edhe ato në zhvillim e sipër që ndodhej personazhi, aktorja hyri bindshëm në zbërthimin e botës së brendshme të saj, i fali pa kursim mjaft cilësi aktoriale dhe njerëzore.

Figura e murgeshës…

Në dramën “Migjeni” të autorit Ton Shoshi, vënë në skenë nga regjisori Esat Oktrova (Artist i Popullit), më 18. 12. 1965; Antoneta Fishta interpreton rolin e murgeshës, që patjetër, i kujton fëmijërinë e saj të dhimbshme.

Në figurën e murgeshës spikati sinqeriteti, qartësia, pastërtia shpirtërore, mëshira, sakrifica dhe ndjenja e thellë njerëzore. Të gjitha këto virtyte janë të veshura me një dashuri hyjnore. Ajo rri si një motër mbi kokën e Migjenit. Si një shpresë e ëndërr, dhembje e dritë. Lutet për të.

… dhe e ndrikullës të “Këshilli i ndrikullave”

Njërën nga tri ndrikullat në komedinë e Sheri Mitës (19.10.1969), me regjisor Serafin Fankon, Artist i Popullit; e interpretoi Antoneta Fishta. E kujtojmë dhe qeshim edhe me këtë figurë, edhe pse kanë kaluar shumë vite. Kjo është meritë e aktores Fishta. Çdo veprimi, batute, situate i kushtoi vëmendjen e duhur. Çdo lëvizje është në zhvillim e sipër, përmes rrethanave që i paraqiten personazhit-ndrikullë, e cila ka dalë e gjallë dhe e besueshme.

Për t’i dhënë, ndrikullës së tretë, më shumë komicitet e grotesk, aktorja zgjodhi linjën e interpretimit serioz. Edhe pse figura është në këtë hulli, ndrikulla mbetet një karikaturë e ravijëzuar mjeshtërisht, ku qëndrojnë të goditura e të gdhendura të gjitha tiparet dalluese të saj, si: sharlatane, bartëse e thashethemeve, xheloze, gojëlige, egoiste, etj. Figura ruan një ndërtim interesant. Në çdo situatë që ndodhet, ajo “zbërthehet” gjatë interpretimit të aktores Antoneta Fishta.

Figura e ndrikullës së tretë e interpretuar nga Antoneta Fishta së bashku me dy ndrikullat, të interpretuara nga Vitore Nino e Tinka Kurti, së bashku me Leon e famshëm që e luajti në mënyrë brilante Tano Banushi; krijuan një polifoto interpretimi në gjininë e komedisë, të kësaj komedie që zë një vend të merituar, që shkëlqen me vlerat dhe mesazhet e saj.

[1]U varros në varrezat katolike të Shkodrës, më 27.10.2006, në orën 11.00, në moshën 84 vjeçare. Homazhet iu bënë në teatrin “Migjeni”, nga ora 10.00 – 11.00 të dt. 27. 10. 2006.

Burimi/Facebook – Teatri Migjeni Shkoder