17 janari: në nderim të Skënderbeut,emocione dhe trishtim

0
49

Prof.dr. Eshref Ymeri

17 janari: në nderim të Skënderbeut,

emocione dhe trishtim

(Me një parantezë)

Për një periudhe të gjatë, në Tiranë dhe në Prishtinë, historianët kanë botuar vepra, në të cilat përshkruhen krimet e shumta që serbogrekët kanë kryer kundër shqiptarëve.

Mendoj dhe shtroj pyetjen:

Edhe sa dhjetëvjeçarë apo shekuj do të vazhdojmë ne shqiptarët të ekspozojmë faqe vetes dhe faqe botës iventarin e krimeve serbe dhe greke kundër kombit shqiptar? Mendoj se me ekspozimin e vazhdueshëm të këtij iventari për vite e vite me radhë, ne shqiptarët jemi bërë qesharakë në sytë e botës. Sepse vetvetiu asaj bote i lind pyetja:

Po ju shqiptarët ku keni qenë, me se jeni marrë kur serbët dhe grekët kryenin krime kundër jush, se ju keni qenë etnia më e madhe në Gadishullin e Ilirisë, çka dihet shumë mirë nga historia?

Jo më kot Shqiptari i Madh Mitrush Kuteli pati shkruar poezinë e famshme me titull “Sot jam këtu kur s’kish njeri, kur s’kish kufi, as fqinjëri, as shkja të zi”.

Dihet se kombi shqiptar u bë objekt i shfarosjes së heshtur nga ana e shovinizmit serbogrek pas Naçertanies së ministrit të jashtëm serb Garashanin (1812-1874) dhe Megalidesë së kryeministrit grek Koleti (1773-1847) të vitit 1844. Dihet, gjithashtu, se në vitin 1850, trojet shqiptare populloheshin nga 1 600 000 banorë, kurse Greqia dhe Serbia kishin respektivisht 1 200 000 dhe 600 000 banorë. Pra, popullsia shqiptare ishte gati sa popullsia serbe dhe greke të marra së bashku. Po atëherë si shpjegohet që serbogrekët të arrinin të kryenin ato krime të përbindshme kundër shqiptarëve, për çka edhe Bajroni (1788-1824) shkruante: “Dy shekuj gjenocid mbi shqiptarët. S’ka komb tjetër të jetë marrë nëpër këmbë kaq pamëshirshëm nga shtetet fqinjë”? Përgjigjja është fare e thjeshtë: sepse shqiptarët, tradicionalisht, duke filluar që nga pararendësit e tyre pellazgoilirianë, kanë qenë tragjikisht të përçarë dhe vazhdojnë të jenë të përçarë deri në ditët tona. Nuk jam në gjendje ta shpjegoj arsyen e kësaj përçarjeje tragjike, e cila të bën të mendosh se kemi mallkim hyjnor.

Një gazetar italian që pati ardhur për vizitë në vendin tonë në fillim të viteve ’90, qe shoqëruar nga një kolegu i tij shqiptar, i cili ka 22 vjet që jeton në Shtetet e Bashkuara. Në njërën nga bisedat e zhvilluara mes tyre, gazetari italian i pati thënë kolegut shqiptar:

“Para se të vija për vizitë, pata lexuar shumë për historinë e vendit tuaj. Nga sa lexova, erdha në përfundimin se ju shqiptarët, përveç periudhës së Pirros së Epirit dhe të Skënderbeut, nuk keni më histori”.

Mendoj se gazetari italian ka pasur shumë të drejtë. Pa vdekjes së Skënderbeut, shqiptarët, në shumicën dërrmuese, përqafuan fenë e errësirës otomane, elitat e tyre hynë në shërbim të saj dhe nuk u mjaftuan vetëm me ndërrimin e fesë, por huazuan edhe të gjithë emrat e njerëzve të asaj errësire, duke braktisur emrat e bukur ilirianë. Që nga vdekja e Skënderbeut deri në shpalljen e pavarësisë, patën shpërthyer kryengritje të armatosura, sidomos në periudhën e Rilindjes Kombëtare, patën dalë në skenën e historisë një sërë trimash në udhëheqje të çetave kryengritëse që luftonin veç e veç, por nuk u vu re kurrë një vetorganizim mbarëshqiptar. Një vetorganizim i tillë nuk u vu re absolutisht edhe pas shpalljes së pavarësisë, deri edhe në ditët tona. Pikërisht për shkak të paaftësisë sonë për vetorganizim mbarëkombëtar, çka të ngjall shumë trishtim, Shqipëria londineze, si asnjë vend tjetër në mbarrë rruzullin tokësor, ka më shumë se një shekull që vazhdon të rrethohet ende nga troje amtare, të populluara nga bashkëkombasit tanë.

Kohët e fundit, mjetet e informimit masiv patën propaganduar gjithandej mendimet e historianit Aleksandër Lambert për shqiptarët, të cilët, sipas tij, kanë drejtuar botën në mesjetë. Po a duhet të mburren shqiptarët se 20 perandorë romakë dhe disa papë të Vatikanit kanë qenë ilirë? Se 36 kryeministra shqiptarë i kanë shërbyer perandorisë së errësirës otomane? Se shqiptarët, kur grekët fshiheshin ferrave, kryen revolucionin grek të vitit 1821 dhe, për pazotësinë e tyre, fitoren ua dhuruan grekëve, të cilët krerët e tyre i

shfarosën një e nga një? Se 11 kryemistra shqiptarë i kanë shërbyer Greqisë? Se beteja vendimtare në Luftën e Krimesë të vitit 1856 midis trupave ruse dhe otomane, u fitua nga otomanët falë trimërisë së shqiptarëve? Se beteja vendimtare mes trupave otomane dhe trupave anglo-franceze në betejën e Çanakalasë të vitit 1915, u fitua nga trupat otomane po falë trimërisë së shqiptarëve? Se Mustafa QemalAtaturku (1881-1938) ka qenë shqiptar, por që nuk i ra asnjëherë ndër mend të kujtohej për prejardhjen e tij? Se kryeministri Italian Françesko Krispi (1819-1891) ka qenë shqiptar arbëresh, por nuk u bë i gjallë asnjëherë për të kujtuar rrënjët nga e kishte pasur origjinën?

Pra, rezulton se shqiptarët kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten mercenarë të zellshëm në shërbim të të huajve dhe varrmihës të vetvetes. Shembullin më të freskët të mercenarizmit, në vazhdën e mercenarizmit të kryeargatit të serbosllavizmit Enver Hoxha, po vazhdon ta japë Rama, si kryeservil i Beogradit, një kryeservil ky i përmasave të pështira me fjalën që mbajti online për parlamentin serb nga zyra e tij më 23 nëntor 2021.

Një rast tjetër i mercenarizmit dhe i servilizmit të kastës tradhtare në udhëheqjen e politikës shqiptare me Ramën në krye, u vu re edhe në ditën e parë të këtij viti, kur ministria e jashtme, më 01 janar 2022, botoi një komunikatë, në të cilën theksohej se vendi ynë do të fillonte zyrtarisht mandatin dyvjeçar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Me këtëtë rast, në atë komunikatë deklarohej në mënyrë të papërgjegjshme se

mandatin Shqipëria do ta përdorte, demek, për avancimin e “çëshjes së Kosovës”. Kjo deklaratë është një idiotësi me brirë, se “çështja e Kosovës” është zgjidhur që më 17 shkurt të vitit 2008. Por Rama, si kryetradhtar i kombit shqiptar dhe argat i verbër i Vuçiçit, kërkon të jetë në një gjatësi vale me shovinizmin serbomadh dhe rusomadh, dy armiq të egër tradicionalë të kombit shqiptar, të cilët nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Me këtë deklaratë absurde, qeveria shqiptare e mercenarit Rama ka vënë në pikëpyetje sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Pikërisht flirtet tradhtare të Ramës me Vuçiçin kundër Republikës së Kosovës bënë që Tirana zyrtare të heshtë si memece, të mos reagojë absolutisht kundër kërkesës së Brukselizmit dhe të Vashingtonit, të cilët, në një deklaratë të përbashkët të tyre, i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i lejonte serbët në Kosovë të votonin në referendumin kombëtar të Serbisë më 16 janar për ratifikimin e ndryshimeve kushtetuese në Serbi, referendum, të cilin shqiptarët e Preshevës e bojkotuan masivisht.

Po si shpjegohet që shqiptarët janë shquar kaq shumë në shërbim të të huajve, kurse vatrën e shtëpisë së vet e patën shuar me ujë? Si shpjegohet që shqiptarët, siç thotë historiani Aleksandër Lambert, nuk kanë sulmuar kurrë territore të huaja? Po a duhet të mburremi ne shqiptarët para botës se nuk kemi pasur synime për pushtim të territoreve të huaja? Sepse bota qesh me ironi dhe na nxjerr gjuhën kur dëgjon deklarata të tillë. Se ajo shtron pyetjen:

Mirë që s’keni pasur synime të pushtoni territore të huaja, por territoret e veta pse nuk i keni mbrojtur? Se territoret tuaja, një herë e një kohë, shtriheshin që nga Peloponezi deri në Danub, kurse tani territori juaj është katandisur sa një “fushë tenisi”?

Që të pushtosh territore të huaja, duhet të kesh siguruar ngjizjen brendakombëtare. Shqiptarët s’kanë qenë të aftë për ta siguruar një ngjizje të tillë, prandaj e kanë pasur të pamundur të pushtonin territore të huaja. Se nuk i ka pasë lejuar përçarja brenda tyre. Pikërisht për shkak të asaj përçarjeje të mallkuar, principatat e Ilirisë i hanin kokat njëra-tjetrës, ndërkohë që ardhacakët sllavë, të pagëzuar serbë me kalimin e kohës, filluan t’u zaptonin trojet dhe t’i vinin nën sundimin e tyre.

Prandaj mendoj dhe kam bindjen e plotë se shqiptarët duhet t’i japin fund ekspozimit kohë e pa kohë të iventarit të krimeve serbe dhe greke kundër kombit tonë, për të mos vazhduar të mbetemi qesharakë në sytë e opinionit ndërkombëtar për pazotësinë tonë, duke reklamuar përçarjen tonë.

Prandaj 17 janari, për çdo shqiptar me vetëdije të lartë kombëtare, është dita e nderimit të kujtimit të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, sepse periudha skënderbejane mbetet më e ndritura në historinë e kombit shqiptar. Sepse Skënderbeu ishte gjenerali dhe strategu i shquar, i cili, me Lidhjen e Lezhës të 02 marsit të vitit 1444, hodhi themelet e krijimit të një shteti shqiptar, në të cilin, deri asokohe, princat shqiptarë i hanin kokat njëri-tjetrit. Ai, me largpamësinë e një

ushtaraku dhe burrështetasi të madh, krijoi atë organizim mbarëshqiptar, i cili u kalli dërrmën hordhive të errësirës otomane për një çerek shekulli me radhë.

Çdo shqiptar me dinjitet kombëtar, përjetoi emocione të fuqishme kur para disa vjetësh mësoi se Vatikani paskej zbuluar diçka krejtësisht të panjohur për historinë tonë kombëtare. Asokohe qe botuar në internet informacioni në vijim:

“Për herë të parë del në dritë dokumenti ku është shpallur Skenderbeu mbret. Një akt diplomatik, mandat, në të cilin emërohet Martin Muzaka ambasador i Skënderbeut. Është një letër origjinale në pergamen me një vulë shtetërore të varur, që ruhet në Arkivin Sekret të Vatikanit, në fondin Miscellanease, volumi XXXIX, dokumenti 2398, nga viti 1458. Pikërisht në këtë mandat Skenderbeu quhet “mbret”. Ka qenë dr. Musa Ahmeti, një hulumtues i kahkohshëm i arkivave të Vatikanit që ka publikuar disa ditë më parë, në internet, mandatin e mbretërisë shqiptare” (Citohet sipas: “Skënderbeu është njohur si mbret i Shqipërisë dhe i Maqedonisë që në vitin 1458. Fakte që publikohen për herë të parë”. Nga Violeta Murati. Botoi në faqen e internetit Sitki Cerekja. 06 tetor 2015).

Gazetari turk Ahmet Dursun shkruan se Skënderbeu “… si një ushtarak i zoti, por me një diplomaci prej filozofi, u vendos në krye të një lëvizjeje për ta mbrojtur vendin nga ky sulm i çoroditur. Rezistenca e tij qartësisht tregon se sa mirë e ka njohur perëndimin, por edhe lindjen, dhe sa shumë i ka vlerësuar këto kultura që të

mos hyjnë në një luftë direkte, e cila, si fillim, do të mund të shkatërronte perëndimin, por disa dekada më vonë, një sulm i ngjashëm me ato të kryqëzatave, mund t’i nxirrte turqit sërish nga Stambolli…” (Citohet sipas: “Gazetari turk: Skënderbeu, “tradhtari” që shpëtoi dy qytetërime…Nga Ahmet Dursun”. Faqja e internetit “voal.ch”. 06 korrik 2016).

Skënderbeu qe bërë aq shumë simbol i tmerrit për kryeagain e Stambollit, saqë ky i fundit i lutej për të lidhur një marrëveshje me njëri-tjetrin.

Faktet flasin me gjuhën e dokumenteve. Një hulumtues i talentuar shqiptar në Paris ka zbuluar një dokument të tillë, në të cilin thuhet:

“Në librin e autorit francez, Camille Paganel (1795-1859), me titullin “Histoire de Scanderbeg ou Turks et Chrétiens au XV siècle”, të vitit 1855, gjejmë një letërkëmbim diplomatik ndërmjet sulltan Mehmetit dhe heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit. Sulltani, në pamundësi të mposhtë “vëllain” e tij, ashtu siç i thur lajka në letër, i propozon disa kushte në këmbim të paqes. Gjergj Kastrioti, me zgjuarsi dhe kurajo, duke mos dyshuar aspak në dinakërinë e Mehmetit, i kthen atij përgjigjen e merituar, madje duke e trajtuar atë si Princ dhe jo si Sulltan dhe Emir” (Citohet sipas: “Zbulohen letrat: Kur Skënderbeu u përgjigjej kushteve të Sulltan Mehmetit”. Nga Aurenc Bebja, Francë, Faqja e internetit “Voal”. 25 shtator 2017).

Letra e Sulltan Mehmetit është e datës 06 maj 1461, kurse Letra e përgjigjes e Skënderbeut mban datën 01 qershor 1461.

Shqipëria, edhe në periudhën e diktaturës komuniste, edhe pas vitit 1990, ka pasur dhe vazhdon të ketë marrëdhënie të mira me Republikën e Turqisë, çka është konkretizuar edhe me vizita të ndërsjella personalitetesh të niveleve të larta. Por udhëheqësit shqiptarë, çuditërisht, as edhe një herë të vetme, nuk i patën shtruar kurrë palës turke pyetjen se cila ishte arsyeja që perandoria otomane e pati trajtuar egërsisht popullin shqiptar, pavarësisht se ai, në shumicën dërrmuese, pati përqafuar fenë islame, pra, fenë e asaj perandorie pushtuese, elitat e tij hynë në shëbim të sulltanit, çka u konkretizua me 36 kryeministra shqiptarë. Por jo vetëm kaq. Ajo perandori na ndaloi edhe shkollat shqipe gjatë një perudhe më shumë se katërshekullore. Veç kësaj, pala shqiptare nuk e pyeti asnjëherë palën turke se pse Turqia, gjatë shekullit XX, pati nënshkruar marrëveshje me Jugosllavinë për pranimin e shqiptarëve të shpërngulur me dhunë nga trojet e veta amtare. Pra, në vend që popullin shqiptar, perandoria otomane ta trajtonte me shumë kimet, ajo, përkundrazi, pati mbajtur një qëndrim shumë të egër ndaj tij. Mos vallë kjo ishte një hakmarrje katërshekullore për inat të Skënderbeut që nuk e mposhti dot kurrë? Heshtja e palës shqiptare për këto çështje madhore, ka dëshmuar dhe dëshmon shkoqur fare se në marrëdhëniet me të huajt ajo nuk është çliruar kurrë nga kompleksi i inferioritetit, nga mercenarizmi, nga servilizmi dhe nga nënshtrimi para

tyre. Pikërisht për shkak të servilizmit që ushqen ndaj të huajve, ajo nuk e ka vënë kurrë ujë në zjarr për fatet e bashkëkombasve tanë në vendet e huaja dhe përgjithësisht për diasporën shqiptare. Në Turqi jetojnë më shumë se 7 milionë shqiptarë, por Tirana zyrtare nuk është interesuar kurrë për fatin e tyre.

Kaliforni, 17 janar 2022