375 VJETORI I MARTIRIZIMIT TE FRETENVE NE CEM

0
299

Sot perkujtuam 375 vjetorin e martirizimit te dy fretenve, Padër Paolo da Mantova dhe Padër Salvatore da Offida ne brigjet e lumit Cem, te “Pellgu i Fratit” / 09.12.1644 – 09.12.2019.

Shoqata jone posedon ne arkivin e vete kopijet e dokumenteve te dores se pare, te ngjarjes ne fjale, ne te cilat jepen shume detaje, deri edhe emrat e shoqeruesve te fretenve, te vrasesve, ngjarja se si u vrane, vendi i vrasjes, emrat e barinjeve te cilet me vone i gjeten trupat e pajete te fretenve, vendvarrimi, rivarrimi, etj., te cilat nuk do ti publikojme me kete raste, por do ti lame per ndonji botime dhe film dokumentare!

Po publikojme vetem nje artikulle qe eshte botuar ne revisten “Zani i Shna Ndout” ne Tuz, i shkruar nga Gjovalin Gjeloshi, Nanduer 2005., qe jepe nje pasqyre siperfaqesore te kesaje ngjarje makabre!!!

“EDHE DISA TË DHANUNA NË LIDHJE ME PELLGUN E FRATIT”

Kanë kalue tri vjet e ma shumë kur unë kam lexue në revistën ”Zani i Shna Ndout”, për ”Pellgun e Fratit” dhe për martirët e këtij Pellgu. Autori, Patër Pashko Gojçaj, që asht njikohësisht edhe kryeredaktor i kësaj reviste, tue u shërbye me librin ”Storia dei Frati Minori”, i tregon lexuesit të Revistës se si i ka mbetë ëmni i Pellgut, tue na tregue kështu për martirëzimin e dy françeskanëve italianë, por që shërbenin në malet e Grudës. Gjithsesi, edhe simbas bindjes së autorit, tue pasë si bazë kryersore librin në fjalë, kelmendasit ishin ata që vunë dorë mbi fretnit, tue i vra ata ”në moh” dhe në mënyrën ma të pabesë, tue u tregue kështu, ”nji rod” racet krejt të pafe…
Simbas revistës në fjalë të korrikut 2002., kelmendasit kjenë ata që e banë këtë punë të ligë. Simbas historisë së shkrueme në ”Storia dei frati Minori”, me datën 9 dhetuer 1644., fretnit të cilt ishin Padër Paolo (Pali), prej Mantue dhe Padër Salvadore prej Offida, kanë kenë në Kelmend. Kjo datë përkon me festimin e festës së Shën ‘Kollit, festë të cilën kelmendasit e kanë festu, nisë nga origjina e emnit të tyne (Nikollë mëndjemprehti). Siç dihet, mbas kësaj feste kelmendasit kanë festue Shën Kelmendin, të bindun se ata i ka nduhmue në luftë kundra turqëve. Festimi i kësaj feste ka zgjatë qinda vjet, derisa kelmendasit janë nda simbas bajraqeve, e disa prej tyne, prap janë kthye për të festue këtë festë, pra Shën Nikollin e të tjerët Ditën e Zojës se Madhe e Ditën e Zojës se Vogël, festa të cilat festohen edhe sot në Vukël e Nikç. Simbas ”Hyllit të Dritës”, nr. 6-8, vjeti 1941., faqe 262-264, këtë datë e vërteton edhe Elçija (Lajmëtari), i Zemrës së Krishtit, në vjetin 1910. Kjo fletore, në pjesën e dytë, në faqen 113-116, boton nji dokument të nxjerrë prej të përkohëshmes ”Le Missioni Franceskane”, botue me datën 30.09.1893. Dokumenti asht nji letër që Hasan Pasha, kryejeniçer i Turkut të Madh i shkruen z.Kalorsit Françesko Bolizza. Simbas revistës në fjalë, ky i fundit ishte anëtar i qeverisë së Venedikut në Kotorr. Letra e Hasan Pashës, mban datën 27.12.1644. Kjo datë bie në sinkron me datën 9 apo 14 dhetuer, ditë kur janë vra etnit Françeskanë, sepse letra domosdo që do të ketë kenë shkrue disa ditë ma vonë. Letra në fjalë, e cila niset nga Gruda, përpos Hasan Pashës, ajo nënshkruhet edhe nga kryeplaku i katundit të Slaticës si dhe nga Gjon Berisha. I vetmi qëllim i letrës e cila ishte firmosë e vërtetue edhe nga dy të krishtenë, ishte me pohue, se Fretnit kjenë vra prej kelmendasve katolikë.
Qe si shkruen Dom Nikollë Gazulli, (Gelasius), në ”Hylli i Dritës”: Kam pëvetë gojëdhanën e Malësisë: Prei F. të Nd. P. Rrok Gurashit, qi ndej shumë ndë Këlmend, prej z.Kapiten Prek Calit, e prei plakut të Grudëkeqes Caruk Curit, mujta me diktue se : Motit ngjiteshin dy freten prej Grude ndë Kelmend për shërbim fetar e bieshin ndë shpi të Nik Gjetos së Vuklit. Sikurse shifet prej letrës, kah mbarimi i nandorit, koha që merren nuset ndër malet tona, fretnit, të himen në shpi të parëve të Nik Gjetos, marrin vesht se i zoti i shpisë kishte marrë grue mbi grue, prandej bajnë me dalë prej atyhit. I zoti i shpisë. ngushtue prej mbarres, pranon me lëshue gruen pa kunorë ose me qitë fretnit jashtë e e nisë gruen për Pjetraj të Katundit të Kastratit kah ishte bijë. Pjetrajt tërbue për këtë dhunë të të kthyemit të vajzës, kah ulen fretnit prej Kelmendit, u dalin para në Grabom e i vrasin, pse grueja e kthyeme i kishte thanë: erdhën dy rromakë e më xueren jashtë. Gruda pritte fretnit, Kelmendi s’dijte gja. Trupat e fretënvet kjen hjedh ndë Cem, e gojdhana shton se për shumë kohë u pa uji i shndritun naten. (Kjo përkon edhe me shkrimin e Patër Pashkut, ku thuhet: ”Banorët e atij vendi kanë pa drita gjatë natës që lëvizin mbi pellg”, tue e konfirmue këtë edhe me thaniet e banorëve të Moçëm të Trijeshit.)
Gruda i dërgon fjalë Kelmendit: Ja po mi gjen miqët që të nisa, ja më ke gjakun e tyne. Kelmendi lypi afat, e mbas këtij afati dha fjalën se, a të gjallë a të dekun me ia diktue. Nji i Kelmend u vesh me zhele e ra ndë Pjetraj. Kërkoi shpinë natën e gjet nji petk meshe e muer me vedi e shkoi ndë Kelmend e u diftoi se Pjetrajt ua kishin pre miqët. Kelmendët u mblodhën me kushtrim, u ranë Pjetrajve qi i kishin bunet rranxë Veleçikut, vranë sa vetë mund xunë e i banë rrëmujë shpijat e tyne. Dhe ma poshtë autori pyet vedin: Po pse pra atëherë u shkrue letra e Hasan Pashës. Dhe po ai vetë e jep përgjigjen: Arsyeja asht e leht. Kelmendi ishte ndë luftë me turq. Në mes të tjerave kjo diktohet edhe nga ajo qi shkruen Hasan Pasha në letër, ku mes të tjerash thot: ”Banë pra nji punë të ligët fort, pse ata janë anmiqtë e Zotit e kryengritës kundra Zotnisë së Madh (d.m.th. Sulltanit-aut.), e mixorët e dheut mbarë.
Dhe ma poshtë, autori në ”Hyllin e Dritës” vazhdon: Sanxhaku (Pashallëku-aut.), donte me e ftofë Venedikun e Frano Bolicën me kelmendasit. Pjetrajt e Kastratit qi vranë fretënit, do të jenë kënë fembohues e ndoshta kjenë të shtymë prej vet Hasan Pashës me e ba atë kërdi… Kurse nji herë ka ndodhë ndë histori me i shporrë njerzit e mandej me i la duert si Pilati.
Fisi i Kelmendit nuk ka kenë fis i egër, por trim dhe nuk ka pasë pak fe, por të gjitha fitoret e luftës kundër turqëve ia kanë dedikue Shëjtit të tyne, që për ta ka kenë Shën Kelmendi. Prezencën e fretenve në Kelmend mbas vjetit 1644 vjet në të cilin ndodhi ngjarja makabre e vrasjes së Fretënve, e vërteton edhe Imzot Pjetër Bogdani ipeshkëv i Shkodrës në vjetët 1656-1677., në korespondencën e tij me Propagandën Fide. Nga shumë letra të Imzot Bogdanit del në pah puna e mirë e Vëllazënve të Reformuem si dhe mardhaniet e tyne të mira me banorët e zonës së Kelmendit, megjithëse në kushte shumë të vështira.
Vetëm prej tekstit të letrës së Hasan Pashës, mundet me u kuptue, se kush janë vrasësit e vërtetë të Fretënve. Shpejtimi për me njoftue anëtarin e Qeverisë së Venedikut, njoftim i vërtetuem edhe prej dy të krishtënve, kallxon se dy fretnit ishin vra prej kastratasve me porosi e të shtymë, në mos edhe prej autorit të vet letrës. Kelmendasit kurrë nuk u përkulën dhe gjithmonë vetëm luftuen kunder turqeve, ndaj edhe segmente të Portës së Lartë që vepronin në Sanxhakun apo Vilajetin e Shkodrës banin çmos për t’i gjujëzue ata në forma nga ma të ndryshmet dhe për t’i leçitë përpara katolikëve të tjerë. Nji formë ishte edhe ngarkimi me pa të drejtë për vrasjen e Fretënve në fjalë. Me këtë veprim Hasan Pasha mbërrinte dy pikësynime: Edhe fyente Kelmendasit dhe i bante përgjegjës për një akt të randë, por edhe u thoshte maleve të tjera të Malësisë, Grudës etj, se ”ja kush janë ata që na luftojnë ne, simbas atyne ”zotninë e madh” – sulltanin: ”Kelmendi nuk lufton kunder turqve se jemi pushtues apo islam, por ata na luftojnë se janë vet të pafe”.
Të dhanat shtesë mbi çashtjen e vrasjes së Fretënve nuk ia sjelli lexuesit si kundërpërgjigjie të asaj që ka shkrue kryeredaktori i Zanit… i cili poashtu asht shërbye me të dhana të dokumentueme, mbi të njajtën çashtje. Sigurisht se për ne, që i përkasim njanit a fisit tjetër asht me randësi se për kë shkruhet a flitet (simbas gojdhanave) se kush i vrau fretnit, por e kemi parasysh edhe faktin se për misionarët nuk ka kenë aq me randësi se vrasësit ishin kelmendas apo kastratas. Për ata që e përshkruejnë këtë akt të shëmtuem, asht me randësi se Fretnit dhanë jetën për mësimin e Krishtit – nuk patën frikë t’i kundërshtojnë të keqes në popull, që në atë kohë ishte poligamia. Tue pasë parasysh këto rrethana, ma lehtë kuptohen edhe të dhanat shtesë mbi çashtjen se kush i vrau Fretnit, cilitdo fis i takofshin ata.
Thuhet: historia asht mësuese e jetës.
Me të dhanat historike shtesë, që jam përpjekë t’i sjell përmes këtij artikulli, jo se kam për qëllim t’i kundërshtoj artikullit të naltpërmendun që ka për bazë poashtu të dhanat historike, por të hedh dritë në atë ndodhje, ku dallojnë (çashtja e vrastarëve) dhe ku përpiqen të dhanat (vlerat për të cilat flijuen jetën Fretnit misionarë).
Kjo histori – në këtë rast e hidhun – ne besimtarët le të na mësojë, që t’mos përsëritet.

Fotografite: Bernard Hasanaj. Tekstin e shkroi: Anton Pllumaj.

Burimi/Facebook / Luigj Camaj