87 vite më parë lindi artisti i shquar i artit shkodran dhe mbarë shqiptarë, Mjeshtri i Madh Paulin Preka.

0
61

I përjetshëm qoftë kujtimi i jetës dhe veprës së tij! 🙏🙏
Më poshtë do të lexoni një bisede me Paulin Prekën, realizuar rreth 30 vite më parë nga shkrimtari Xhahid Bushati.
1.Shënime vitesh…
Paulin Prekë Gjergj (Preka) u lind në Shkodër më, 02.02.1935, në lagjen “1 Maj” (Arra e Madhe). Në vitet (1951-1953, mekanik) fillon punën në Tisazh. Më vonë punon në N.SH.G. (1953-1954, marangoz). Pasi kryen ushtrinë, nis punën në Kombinatin e Drurit (16.02.1956-16.07.1958, përsëri marangoz). Gjatë këtyre viteve realizoi disa role në grupet diletante dhe në shfaqjet që jepte Shtëpia e Kulturës. Në korrik të vitit 1958 (për humor: I thanë “të trokiste” në dyert e teatrit “Migjeni”…). Në korrik të vitit 1958 nisi jetën artistike si profesionist.
Në një shënim të gjetur, e që mban dt. 01.12.1965, Drejtori i atëhershëm i teatrit Vehbi Çanga thoshte për Paulinin: “Asht aktor inteligjent, i shkathët e dinamik. Ka krijue figura të bukura te “Gjyqtarët e ujqëve”, “Këneta”, “Histori irkutase, “Mësuesja”, Bileta e llotarisë”. Më tepër asht aktor i planeve komike, prandaj Drejtoria në kohët e fundit e ka propozue si aktor të teatrit së Estradës.”
2.Përsëri shënime…
Paulini e filloi jetën artistike, fillimisht si aktor drame, por më pas kaloi si aktor estrade, duke shpalosur një profil artistik origjinal prej më se katër dekadash karrierë. Këtë rrugë të gjatë, prof. Josif Papapgjoni e ka formuluar në këtë mënyrë: “Aktrimi i tij spikati posaçërisht në mishërimin e personazheve pozitivë, ku ai ishte i hijshëm, i natyrshëm dhe fin në skenë. Kishte një zë paksa të ngjyruar, por të mëvetësishëm. Krijoi një galeri figurash, kryesisht njerëz të mençur, ironik, thumbues, që dinë të tallen dhe të shpotisin plot lezet të tjerët, me një “seriozitet” të madh në dukje, çka krijon pikërisht kontrapunktin komik. Në aktrimin e Paulin Prekës bie në sy pozita aktive e personazhit, si dhe një sjellje sa më pranë të vërtetës jetësore, duke shfrytëzuar me zgjuarsi situatën komike të krijuar.”

  1. Paulini – aktor drame dhe humori
    Paulini, në rrugën e tij artistike që zhvilloi u dha pas dy zhanreve skenike: *teatrit të dramës e të komedisë dhe *atij të humorit. Respektivisht rreth 8 vite në shfaqjet dramatike (edhe në komedi me një a disa akte) dhe 37 vite në premierat e estradës (skeçe, monologë, dialogë, parodi, kuplete, pantomima, grimca humoristike, vodevile, etj.).
    Duke gjurmuar nëpër vite për fillesat e Paulinit, gjejmë se, ai interpretoi përkrah aktorëve me emër, si: Tinka Kurti, Roza Xhuxha (Anagnosti), Preng Lëkunda, etj. Shumë spektatorë shkodranë, tashmë të bërë pleq, me siguri, kujtojnë rolet e tij në: “Një tragjedi optimiste”, “Dy binjakët venecianë”, “Bileta e llotarisë”, “Shoku Niqifor”, etj. Gjithashtu interpretimi i tij solli freski e origjinalitet edhe në kinokomeditë “Çifti i lumtur” dhe Pak fresk sonte!..”
    Gjithashtu, duke gjurmuar nëpër vite për fillesat e Paulinit (kësaj radhe në estradë), gjejmë se, ai për herë të parë shkroi skeçin “Bacë Byreku”. Personazhet e këtij skeçi u interpretuan nga aktorët e talentuar: Tano Banushi, Zyliha Miloti e Jolanda Shala. Ndërsa Paulini personazhet e tij do t’i arkivojë në skeçet: “Daja i burrit”, “Dhëndrri nga Amerika”, “Fotografi”, “Toka jonë”, “Kunati i shokut Xhemal”, “Truall i zënë”, “Kola i dritave, “Familja A, Familja B”, “Dasma e Refikut”, “Mini e Minusha”, etj.
    Veçanërisht, pas viteve ’90 janë një sërë premierash, që libretet e tyre kanë firmën e Paulin Prekës. Mund të përmendim: “Të shtunat gazmore” në (RTSH, viti 1994), ku spikasin materialet: “Ndihma humane”, “Licensa”, “Krapi”, “Kena harru babën”, “Urgjenca”, “Pikniku 1977 e 1997”, “Eksodi, “Udhëtimi me autobus”, etj.
    Paulini, gjatë viteve 1997 – 1998, e pasuroi repertorin e tij, duke u marrë (shkruar) edhe me vargje humoristike (parapëlqente poemën), trajtonte histori dhe ngjarje, të cilat ia falte realiteti i përditshëm, shpesh tragjik, gjë që ia brengosnin zemrën dhe shpirtin autorit – aktor Preka teksa i recitonte. Nuk mund të harrohen lehtë: “Një letër mikut tim”, “Prostitutës”, “Tomasit”, “Shkodërloces”, “Zotni”, “Andërr grash”, “Pensioni”, etj.
    4.Përsëri në gjurmët e viteve…
    Fëmijëria e tij, çuditërisht trokiti në portën e teatrit. Po si? Ja, me një grup fëmijësh, si fillim, në mjediset e Don Boskos. Ishte viti 1943. Luan në pjesën “Borëbardha e shtatë xhuxhmaxhuxhët”. Në atë grup fëmijësh, bënte shenjë Paulini. Ishte më i talentuari.
    Më vonë, si shumë aktorë, që më pas do t’i kishte kolegë, jep kontributin në grupet artistike të Ndërmarrjeve (që i përmendëm më lart), e në Estradën e Ushtarit. Në këtë të fundit, ashtu si Zef Deda, shfaqet si aktor i veçantë, me një diapazon të gjerë në profilin komik.
    Pa dashur të themi ndërroi rrugë, në portën e teatrit “Migjeni” Paulini trokiti prej së vërteti si aktor i dramës. Në biografinë artistike shënohen: roli i Murrashit në dramën “Toka jonë” të K. Jakovës, i biri i pashës te “Shtatë shaljanët”, Selmanin te “Kunora e Nurijes”, oficerin te “Tragjedia optimiste”, Aureklini te “Dy binjakët venecianë”, te “Fejesë e ngatërresë” të S. Vaqarrit, etj. S’mund të harrohet figura e Rudikut te “Histori irkutase”. Aktori Preka shpalosi talentin e tij duke krijuar një figurë interesante, që të mbetet në mendje. Përjetimi, drithërrima e ndjenjave, janë elemente të vizatimit skenik të lojës së Prekës në zbërthimin e karakterit të Rudikut.
    Të gjitha tipat e karakteret që krijoi më pas, gjatë viteve të jetës artistike, tashmë, pranë Estradës profesioniste të qytetit, aktori Preka i mbushi dhe i qëndisi me humorin e tij natyral e pa sforcime, gjithëherë i përligjur. E qeshura e tij përjashtonte ngërdheshjen e shtrembërimin jo estetik. Në të gjitha rolet që burojnë nga të gjitha gjinitë e zhanret e humorit që i preku në brendësinë e tyre, në majanë e tyre janë fillesat e një mikrodrame. Ky është çelësi i Paulini, i të qeshurës së tij, të cilën na e dha pa kursim… Në të gjitha gjinitë (përfshirë edhe komeditë) luajti dramën e personazhit komik. (“Edhe kur interpretohet halli i madh me vërtetësi, e qeshura buron natyrshëm, bile është edhe më e madhe…” – kështu më thoshte shpesh Paulini, gjatë bisedave me të.). Mendojmë që kjo është e veçanta e profilit të tij si aktor humori. Figurat që na dhuroi te skeçet: “Jepi, Mami!”, “Fotografi”, “Gjergj Mullaga në gjyq”, “Pezhishkat”, etj., do të mbahen mend gjatë. Janë këto figura që krijoi me talentin e tij dhe që flasin për shumë rrafshe artistike.
    5.Fjalët e shkrimtarit Paulin Selimi dhe aktorit Bep Shiroka
    Gjatë një bisedë me shkrimtarin humorit Paulin Selimi, pyetjes sime: “Çfarë i dha drama aktorit humorist Paulin Preka?” Ai u përgjigj në këtë mënyrë: “Një diksion të qartë, një interpretim me mendim jo estradesk. Paulini interpretonte në mënyrë jetësore, duke i dhënë rëndësi çdo batute, fjale, etj. Ishte serioz në skenë. Pa vulgarizma. Nuk lëshonte fjalë të kota për hir të humorit. Drama i dha atë shkollë, që të vlerësonte çdo rol e të mishëronte talenti i tij në çdo personazh.” Kurse pyetjes tjetër: “Një veçori e aktorit Paulin Preka është se në skenë del në mënyrë të vrullshme. Ky vrull sikur… e ndjek edhe në interpretim. (?) Si e shpjegoni këtë?” Shkrimtari Selimi buzagaz, iu përgjigj: “Është energjik. Nuk e merr rolin gradualisht siç e marrin shumë aktorë të tjerë për ta rritur gjatë interpretimit. Ai ka një zjarr të brendshëm. Shpërthen si raketë në momentin e parë, sapo fut këmbët në skenë. Ju kujtohet figura e Tuç Makut? Ai shpërthen qysh në fillim me impulsivitet. Figurës, që në fillim, kërkon t’i krijojë një kulm. Dhe këto synime të tij ai i ka arritur me dritën e mrekullueshme aktoriale që ka hedhur në skenë.”
    Rastësia është e çuditshme nganjëherë! Aktorët Bep Shiroka dhe Paulin Preka, rastësia jo vetëm i bëri shokë të ngushtë, por i futi në rrugën e të njëjtës karrierë, dhe pothuajse me një biografi të pasur artistike në vite. Dhe Bepi më thotë: “Më duket çudi. Kemi hyrë të rinj në teatër, por aty kemi gjetur aktorë të vjetër. Vitet si pakuptuar ikën një nga një. U zbardhëm, u bëmë të vjetër edhe ne. Të tjerë do të vijnë pas… Por do të mbeten kujtimet dhe duartrokitjet e spektatorëve… Dhe nuk e di se si… po në këto korridore, prapa kuintave, në skenë po se po, në dhomën e studios, duke ngjitur shkallët… sikur na dalin personazhet përpara dhe na përshëndesin. I përshëndesim me mirësjellje dhe kujtohemi…: “Në filan dramë…, në filan skenë…, me këtë apo me atë partnerë…, në filan vit, etj., etj.” Nuk jemi harruar! Jetojmë!”
    6.Rrëfimi i Mojsit, djalit të Paulinit
    “Aktualisht familja Gjergji jeton në qytetin e Bisheljes, provincë e Barit (Itali) që nga viti 1992. Është një vend bregdetar me pasuri natyrore: mermerin dhe ullinjtë.
    Tani baba, në vitin 2019, hyn në 84-vjetorin e tij të lindjes. Kjo moshë ka të tjera “pretendime”… Po ju njoh me një ritual të përditshëm të babës tim, Paulinit. Zakonisht, aty rreth orës 8.00 të mëngjesit, vjen me nxitim, si një pëllumb, me britmat e gazmoret e tij nipi më i vogël. Ai ia largon me forcë e vendosmëri jorganin gjyshit. E zblon, dhe këtë fitore e shoqëron me të qeshura sa edhe vetë dielli rrezeartë ndihet ziliqar. I bën zgjimin. Paksa më vonë, Paulini me të shoqen krah për krah bëjnë daljen e tyre të përditshme. Pinë kafenë e mëngjesit në lokalin-bar që kanë më të afërt nën këngën e përjetshme të dallgëve të kaltra të detit. Baba, teksa humb vështrimin diku… thellë në horizont; në fillim si nën zë e më pas me zë të lehtë, shpirti i këndon një jare shkodrane. Shpirti i këndon dhe nuk i pushon! Më pas këndon: “O moj e bukura More!”
    Një ditë si çdo ditë babën nuk e lëmë të mërzitet. Vizitat e fëmijëve të Mojsit, Idës, Sokolit, nipave e mbesave dhe anasjelltas të prindërve të shtrenjtë, janë çastet më të bukura, të hareshme e të papërsëritshme. Në këto mbrëmje “gala” bisedën kryesore e zë Shkodra, me historitë e saj gazmore, me anekdotat e barcoletat, me… e me gjithçka. E babën, ashtu fshehurazi e prek edhe një lot në faqe. E merr malli për qytetin ku lindi. Kjo ishte arsyeja që ai shkroi shumë poezi, veçanërisht pas viteve ’90. “Shkodra, – siç thotë baba, – është ajo toka e bekueme!” E në këtë mallim shkodran, një vend të veçantë zë teatrit “Migjeni”, miqtë, kolegët me të cilët interpretoi nëpër vite. “Nostalgjia…, e cila siç thotë përsëri baba, – asht e përhershme deri në fundin e jetës sime!”
    Po i kthehem disa viteve, ndoshta edhe “të harruem”. Viti 1957. Roli i parë te drama “Shtatë shaljanët”. Interpreton të birin e vezirit Ibrahim Pasha. Me të qeshur Paulini thotë: Shfaqja e parë, roli i parë, e në fund më “vrasin”.
    Pas 8 vitesh si aktor i dramës, kalon në trupën e estradës. Një kapitull i gjatë, i vështirë dhe që zë vend kryesor në jetën artistike të Paulinit. Po cila ishte polifotoja e tij? – mund të pyes me të drejtë dikush. Po i përgjigjem, me atë çfarë kam lexuar diku në shënimet e tij… “Që nga viti 1957 e deri në vitin 1997, vit që doli në pension, shfaqjet e dhanuna ishin mbi 160 herë në çdo vit.”
    7.Shpirti dhe jarja shkodrane e Paulinit…
    E kam njohur Paulin Prekën në jetë dhe në skenë. Më shfaqet imazhi i tij sa qytetar-artist e sa artist-qytetar. Kam dëshirë të sjellë ndërmend ca fjalë nga rrëfimi i Mojsit, djalit të Paulinit…
    E shoh dhe e rishoh gati si një trup (të njëjtësuar) me të shoqen fisnike, ashtu ngadalë-ngadalë, me plot të qeshura teksa i drejtohen për kafenë e mëngjesit lokalit-bar. Dallgët zhurmërojnë. Dallgët i sjellin kujtime pafund… Shpirti i Paulinit nis “e zgjohet, këndon një jare shkodrane nga repertori i zëbilbilit Bik Ndoja. Këndon…, por edhe nuk harron këngën “O moj e bukura More!” Dallgët vijnë ashtu valë-valë gjithë kaltërsi e ia “vjedhin” zemrën Paulinit, duke i lënë tufa-tufa kujtime shkodrane… Dallgët vijnë ashtu valë-valë e ia “vjedhin” zemrën Paulinit, ia nisin si një mall i përvëluar e i pashuar drejt qytetit të tij të lindjes, atje në Shkodër, në Shkodrënloce, siç thotë Paulini: “… n’ at’ tokë të bekueme që më ushqeu me artin e saj dhe më bëri ARTIST.”
Mund të jetë një imazh i 2 persona dhe njerëz në këmbë
Mund të jetë një imazh i 2 persona dhe njerëz në këmbë
Mund të jetë një imazh i 2 persona, njerëz në këmbë dhe teksti
Mund të jetë një imazh i 2 persona, njerëz në këmbë dhe teksti që thotë "teatri Mig eni"
Mund të jetë një imazh i 2 persona dhe teksti
Mund të jetë një imazh i një ose më shumë persona dhe teksti
Mund të jetë një imazh i 2 persona dhe teksti

Burimi/Facebook/Teatri Migjeni, Shkoder