A shuhet Shqipëria pa Ramën, Bashën, Metën?! A kanë alternativa shqiptarët dhe a i meritojnë vërtetë?

0
83

Nga Elis Buba

A meritojnë alternativa shqiptarët?

Duket mjaft format retorik qoftë edhe të pyetet. Katile si shprehje, pasi shpresa duhet të vdesë e fundit, nëse vdes. Por shqiptarët si edhe kushdo tjetër në botë, nuk meritojnë alternativa, nëse nuk mbërrijnë dot të strukturojnë të tilla. Alternativa mirëqënie qyl s’ka për të njohur kurrë historia.

Nëse vijojmë të diskuptojmë për jetët tona, për ngërçin dhuratë nga njerëz të mençur që janë prishur moralisht nga pushteti, duhet të nënvizojmë edhe se s’mund të meritojmë alternativa nëse nuk marrim në konsideratë, një kryengritje të vogël brenda vetes, emancipimin social-kulturor dhe marrjen në dorë të fateve tona po aq sa edhe fateve të vendit. Mënyra demokratike ka. Ne na serviren, pasi monarkët e rinj janë të detyruar të inskenojnë demokraci në sy të botës, por nuk i shfrytëzojmë. Sa e drejtë na lind të ankohemi?!

Sipas teorisë evolucionare të emocioneve, emocionet tona ekzistojnë sepse ato na shërbejnë për të mbijetuar. Emocionet i motivojnë njerëzit që t’i përgjigjen shpejt një stimuli nga ambienti, i cili rrit shanset për të mbijetuar.

Por ne mesa duket, kemi krijuar imunitet nga stimujt emocional. Pasiviteti ka kapluar ndërgjegjen, pasi që në vegjëli jemi mesuar ta konceptojmë çdo hap të hedhur në jetë, si një detyrim. Madje jo rrallë të tjerët në emër të dashamirësisë, (shpesh të rreme) i japin të drejtën vetes të na kërcënojnë e ndëshkojnë rregullisht.

Për ta kuptuar le të shqyrtojmë përciptas disa shembuj. Mësuesi i jep të drejtë vetes t’i bërtasë, ose më keq, nxënësit, në emër të disiplinës në arsim. Prindi i jep të drejtë vetes të dhunojë psikologjikisht, ose fizikisht fëmijën e tij, në emër të dashurisë dhe dhembsurisë. Burri i jep të drejtë vetes të komandojë e të ushtrojë presion në shtëpi, sepse ndoshta sjell më shumë të ardhura në familje. Polici i jep të drejtën vetes të dhunojë qytetarët, në emër të ligjit. Vjehrra i jep të drejtë vetes të intimidojë nusen, në emër të moralit. Eprori i jep të drejtën vetes të të keqtrajtojë, intimidojë ose largojë nga puna, për hir të së mirës së punës. Politikani i jep të drejtën vetes të veprojë si të ketë dëshirë, leverdi dhe interes, pikërisht se është i zgjedhur për të ushtruar pushtet.

Kur të mësojmë të lexojmë mes rreshtave do jemi më të lumtur!

A kanë alternativa të vërteta shqiptarët?

Në 11 prill të 1985, kur vdiq Enver Hoxha, ka pasur plot njerëz që kanë qarë sinqerisht, jo të shumtë ata të mallëngjyerët për diktatorin, se sa nga pasiguria dhe frika se ç’do mund të ndodhte me vendin. Por ja që vendi mbijetoi, eci përpara, mirë keq do e vlerësojë historia. Ama një shtet nuk mund të njësohet me një njeri.

Sot gjithashtu njësohet shteti me një njeri të vetëm. Ndaj edhe e hasim shumë herë e më shpesh pohimin thelbësisht injorant, “Ja iku Rama, kush do vijë?”. Do vijë dikush tjetër i dashur popull! Po iku edhe Basha, edhe Meta, edhe Kryemadhi, do vijnë të tjerë. Edukohuni me rrotacion. Mposhtni emocionet e tifosllëkut dhe kultit të individit, sepse hajdutin dinë ta bëjnë të gjithë. Çështja është kush di të bëj të ndërshmin. Dhe është e shëndetshme që të ketë rotacion sa herë që ka pakënaqësi, pasi është tepër trashanike situata kur detyron veten të zgjedhësh mes dy të këqiave, të keqen më të vogël.

Po të pyesësh shqiptarët pse votojnë për PS, PD ose LSI, ata do të përgjigjen, sepse më sigurojnë punë, dhe të ardhura për familjen. Por a janë partitë politike zyra pune për elektoratin?!

A kanë alternativa shqiptarët? Sigurisht që kanë. Dhe padiskutim më cilësore se varianti i deritanishëm. Por si mund të mbërrihet tek këto alternativa? Vetëm duke vënë ligjin në krye të punëve. Po veproi ligji, fillon vepron shpresa. Por në Shqipëri, duket sikur gjithçka dhe kushdo është në nivele të ndryshme i kundraligjshëm.

Është krijuar bindja e përbashkët se nuk ka alternativa pasi shumë prej nesh e mendojnë Shqipërinë si një plaçkë në dorë të atyre që kanë lek e pushtet. Por të gjithë jemi njerëz, jemi qytetarë të këtij vendi, e s’mund të lejojmë që pas shekujsh pushtimesh nga të huajt, të jetojmë edhe nën pushtimin e tanëve. Politika i ka përçarë qëllimisht shqiptarët. Në mënyrë që ata të kontribojnë në marrjen ose mbajtjen e pushtetit të fare pak njerëzve. Ky vend nuk është i atyre që kanë para. Do ishte absurde. Shqipëria është dhe do të mbetet e të gjithë shqiptarëve, të pasur dhe të varfër. Këta të fundit janë më të shumtë në numër dhe në emër të tyre ka personazhe që rrëmbejnë vëmendje, vetëm duke bërë bamirësi në prani të kamerave. Madje aq shumë të varfër ka ky truall, sa aktivitete të tilla, janë shndërruar në angazhime me kohë të plotë.

A kanë ditur shqiptarët të ndërtojnë një sistem demokratik?

A kanë ditur shqiptarët të ndërtojnë një sistem demokratik, pluralist, ku të mbizotërojnë vlerat, normat dhe standardet e larta?? Ne pretendojmë të kemi alternativa, pa ndërtuar seriozisht asgjë.

A kanë ditur shqiptarët të ngrenë gjykata, drejtesi, shkolla, arsim, spitale, shëndetësi, polici, rend, qytete, qytetërim … ?

A kanë ditur shqiptarët të ndërtojnë një shtet ku rregullator të mos jetë leku, aty ku duhet të ishte vendimtar ligji.

Një burrë i mençur ka thënë, “Vdekjes nuk i ikim dot, turpit po”. E shoh Tiranën, e shoh Shqipërinë i shoh shqiptarët dhe them se jemi bërë për turp. Ndaj le t’i ikim larg këtij turpi jo larg këtij vendi.

Burimi/usalvision.com/