AGIM DOÇI – MJESHETR I MADH, KRENARI MIRDITE DHE I KOMBIT SHQIPTAR.

0
235

Në vend të hyrjes:
Besoj se janë të pakët ato shqiptar, brenda dhe jashtë vendit që nuk e kanë shijuar kënaqësinë dhe emocionet që na kanë dhuruar muzika dhe këngët e mrekullueshme të kompozitorëve tanë të talentuar me tekstet e poetit të madh Agim Doçi, si në 36 festivalet e këngës në RTSH ku mori pjesë, e veçanarisht me këngët e fuqishme patriotike që ngritën peshë zemrat e shqiptarëve kudo në botë për çlirimin e popullit vëlla të kosovës.
Poezia është quajtur “Aristokracia e prozës”, ku dëshirat dhe ndjenjat shpirtërore të poetit shprehin mendime filozofike konçize për tema të ndryshme shoqërore, por kur ajo këndohet merr frymën e përjetësisë. Ka poezi që të fusin në mendime të thella por nuk mund të bëhen këngë. Poezitë e poetit me origjine mirditore Mjeshtrit të Madh Agim Doçit janë të veçanta se janë përjetësuar në këngë. Ai përmendet përkrah poetëve më të mëdhenj të teksteve të këngës shqipe si Zhuljana Jorganxhi, Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiun, Arben Duka, Gjok Beci, Jorgo Papingjin, Alqi Boshnjakun etj.
Në prozën poetike të Agim Doçit, lexuesi konstaton lehtësisht një lirizëm të thellë, një mendim të tejdukshëm si xham, një vrojtim të brendshëm shpirtëror, me finesë dhe dashuri të pakufishme njerëzore. Pjekuria e mendimit të këtij krijuesi, na jep nëpërmjet vargjeve brilande, jo vetëm tematikën e gjerë të botës shpirtërore, por përçon dimensione ndjenjash dhe mesazhesh filozofike e patriotike. Mjaftojnë vetëm disa tregues statistikorë që lexuesit të vlerësojnë vetë madhështinë e këtij poeti patriot.

  • Ka shkruar rreth 2015 poezi të kthyera në këngë e të kënduara që nga koncertet e majit, në festivalet e RTSH-së dhe ato folklorike të Gjirokastres, si dhe këngët kushtuar UÇK-se dhe heroizmit të dëshmorëve të Kosovës.
  • Ka marrë pjesë në 36 festivale të RTSH-së me 108 tekste këngësh ku disa prej tyre janë vlerësuar me çmime të para, të dyta e të treta. Po kështu Agim Doçi me tekstet e tija e dërgoi Shqipërinë për herë të parë në «Eurovision» me këngën e Anjeza Shahinit dhe disa herë të tjera më vonë ..
  • Ka shkruar 647 tekste këngësh për kosovën dhe heronjt e saj, ku një pjesë prej tyre janë përjetësuar si psh “Marshi i UÇK-se”, “ A vritet Pafajsia” kushtuar Adem Jasharit, “Balli i Oxhakut” kushtuar katër heronjve të Llapit, etj.. heronjve të luftës të Kosovës.
    * * *
    Biografi e shkurtër.
    Për dinitetin dhe origjinën e tij Agim Doçi është shprehur me këto vargje:
    Dhe po të vdisnja, pa u lerë;
    Si krimbat kurr nuk hiqem zvarrë.
    Dhe po të vritem 12 herë
    Prap jam merditas, në Komb Shqiptarë.

Agim Mehill Pjeter Ndue Mardoçi (siç i pelqen shpesh herë të prezantohet në mediat TV, e te shkruara si dhe në rrjetet sociale) është njëri nga trashigimtarët më dinitoz të Doçëve të Shebes, të përmendur për patriotizem, trimëri, besë, dituri e bujari, të paktën për 5 breza rradhazi, jo vetem në Shebe e Kthellë, por në të gjithë Mirditën dhe më gjërë.
Unë mendoi se ky prezantim në 5 breza, (e mud të ishte edhe më më shumë) nuk është i rastësishëm nga Agimi. Dokumentat historike flasin se; – vëllezerit Ndue dhe Gjet Mardoçi (stergjysherit e tij) futeshin ndër ato burra, njohës të normave kanunore që në pleqni a kuvende ku kanë marrë pjesë, kenë lënë gjurmë për mençuri dhe aftesi vrojtuese e sintetizuese për çeshtje të nderlikuara të të drejtës zakonore dhe janë përmendur krahas individeve më në zë të Shqipërisë së Veriut dhe Kosovës -Pjetër Ndue Mardoçit (gjyshi i Agimit ) ka qënë luftëtar në favor të çeshtjes kombëtare, atdhetar i vërtetë e luftëtar i vijës së parë, ndër demokaratët e parë të Mirditës, por që për arsye politike, për gati gjysëm shekulli me radhë, historiografia dhe propaganda e regjimit komunist, u mundua ta fshinte nga kujtesa e njerëzve dhe memoria historike. -Mehill Doçi (babai i Agim Doçit) ishte njëri ndër luftëtarët e parë mirditorë në ushtrinë Nacional-çlirimtare. Ai gjithë jeten luftoi e punoi me ndershmëri e dinjitet për vendin. Ai ishte edhe njeri i letrave pasi ka shkruar tre libra historik. -Mark Doçi (xhaxhai i Agim Doçit), i diplomuar në Akademinë Ushtarake të Romës, është vlerësuar si heroi i luftës së Bestorvës në Vlorë kundër ushtrisë fashiste italiane me 7 dhe 8 Prill 1939 dhe më vonë, njëri ndër drejtuesit kryesor të luftës Nazi-Fashiste në Brigadën e VII-të S. ku komondant ishte Gjin Marku. -Dr. Pal Doçi (xhaxhai tjeter i Agim Doçit), ishte studjues dhe historian i shquar dhe ka lënë mbi 13 libra, me vlera shkencore për studjuesit e ri…. (dhe mud të rrjeshtoja edhe të tjera figura të ndritura të kësaj dere të nderuar të fshatit tim të lindjes …..).
Krahas dhuntisë poetike që i ka dhënë zoti dhe formimi arsimor e kulturor i tij, themi se edhe kjo origjinë ka gdhendur te Agim Doçi, mirditorin. atdhetari, patriotin, poetin, intelektualin, polemistin (hazër-xhevapë), me të cilat them se ai mburret me të drejtë……
Më ka bërë përshtypje biografia e shprehur nga vetë ai në një medja dhe po e paraqes me pak shkurtime pasi mendoj se është më bukur kështu!
“U linda nga nëna ime kolonjare me emrin Shqiponja, dhe me babë mirditasin Mëhill Doçi, rreth mëngjezit të datës 9 maj 1948,… prindër ish-partizanë… Mbasi kreva arsimimin në Shkodër deri në gjimnaz (me rezultate të shkëlqyera në mësime), u regjistrova në Universitetin Shtetëror Tiranë në Fakultetin e Inxhinierisë, Dega Elektrike në të cilin Diplomën e mbrojta me notën 10 me 3 korrik 1971…Kam filluar punën në Montimet Industriale duke marrë pjesë në të gjitha objektet e rendësishme si Fabrika çimentosh, Metalurgjik, Superfosfat Laç, Poligrafik Tiranë dhe k/energjitik i Komb. Drurit “M. Mame”. Në vitin 1989, me qënë se kisha 15 anëtarë të familjes nga babaj në burg politik, më dërguan me 3 turrne në fabrikën e Letër – Kartonit.”….. (I kerkoj ndjesë Agimit për pak shkurtime..)
Agim Doçi ka marre pjese aktive në lëvizjen e dhjetroit 1990. Azem Hajdarin dhe shumë drejtues të tjerë të asaj levizje ai i kishte miq. Pas vitit 1991 për ca kohë mbeti pa punë. Për këtë periudhë ai ka shkruar; “Padyshim habiten të gjithë, por kam qenë i papunë, – kam punuar këpucar (qepja këpucë të shqepura dhe i shisnim në trotuare), kam punuar 2 vite edhe peshkatar me djem nga Shëngjini dhe nga Vlora…..”
Më vonë Agim Doçi ka bërë me shumë përkushtim punën si gazetar profesionist. Shkrimet e tij ishin me shumë vlerë si nga ana e tematikës, dhe nga arti i të shkruarit me shumë figuracione në të shprehur. Në vitin 1999, nga President i Mabetex Group Lugano (Zvicër) u emërua Drejtor i ATV Media Compani (Zvicër), detyrë të cilën e ka kryer deri në shkurt 2005, duke u treguar shumë i aftë në këtë veprimtari kulturore-gazetarie. Për këto vlera të larta të shkrimeve të tij e të drejtimit në gazetari, i është dhënë Çmimi i Madh i Mediave nga “Centre of Exellence Defence” nga NATO. Është dhe fitues i Çmimit të Madh Poetik në vitin 2002, nën përkujdesjen e Papa Gjon Palit II në Bellinzona në Zvicër.
Që nga viti 2005 e deri më 2013 ka kryer detyrën si “Drejtor i Marrëdhënieve Publike, të Informacionit dhe të shtypit” në Ministrinë e Mbrojtjes kur dhe doli në pension. (2013)
* * *
Aktiviteti letrar dhe artistik.
Prirjet e Agim Doçit për poezinë janë shumë të hershme. Babi i tij (megjithse kuadër kryesor në Shkodër) i lexonte të birit “Lahutën e Malsisë” të Homerit shqiptar Pader Gjergj Fishta. “Poet më kanë bërë veprat e Fishtës” -ka deklaruar ai në një studjo televizive. Ai din përmendësh 18.734 vargje të Fishtës. Në vitin 1957, në moshën 9 vjeçare, fitoi çmimin e pare në një konkurs letrar të shkollave fillore në Qytetin e Shkodrës…. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë që nga viti 1974.
Agim Doçi është marrë shumë me shkrime të poezive dhe të teksteve të këngëve në festivale të ndryshme. Krijimtaria tij poetike ka gjithnjë theks patriotik e atdhetar, me të cilin krenohet Mirdita dhe gjithë Shqipëria. Është vlerësuar me shumë tituj e dekorata; nga Qeveria e Kosovës, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, Organizata e Veteranëve dhe në vitin 2017, me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti Bujar Nishani.
Agim Doçi është autor i hiteve shqiptare, si: “E duam lumturinë”, “Marshi i UÇK-së”, “A vritet pafajësia”, “Dua të bëhem imazhi yt”, “Merrmë në ëndërr”, (me të cilën Shqipërina merr pjesë në Festivalin Evropian të Këngës ) etj. Është autor i 2015 poezive që janë të botuara ose në fondarkivin e RTSH-së. Po kështu ai është autor i dokumentarëve televiziv: “Dosje për Nako Spiron”, “Enigma e madhe”, “Luk Kaçaj – Vrasja e artistit”; për akademik Dhimitër Shuteriqin: “Më shumë tituj se sa jetë”; për Panajot Pano – Nderi i Kombit: “Mbreti i Fushës”. Agim Doçi ka qenë skenarist artistik në kinokomedinë “Fejesa e Blertës”, e disa krijime të tjera të kësaj fushe të artit. Ai ka qenë krijues i himneve futbollistike për ekipet “17 Nëntori” e “Vllaznia”. Është autori i 8 dokumentarëve “Shqipëria në NATO”.
* * *
Angazhimi në luftën për çlirimin e Kosovës.
Pas fillimit te represionit serb në Kosovë, duke parë dhunën e madhe që ushtronte regjimi ushtarak i Milosheviçit ndaj vëllezërve kosovarë, për poetët Gjok Beci e Agim Doçin dhe dhjetra artistë të tjerë nga të gjitha viset shqiptare, filloi një epokë e re. Ata u solidarizuam që në fillimin e luftës së tyre. Tekstet e këngëve të shkruara nga dy mirditorët Gjok Beci dhe Agim Doçi bënin thirrje për luftë e solidaritet. Artistët e shprehnin këtë dhimbje me emocion shumë të fortë. Një ndër ata artistë që ishte indirekt pjesë e kësaj lufte ishte kompozitori i mirnjohur Edmond Zhulali. Ai është shprehur për këtë periudhe: “-Kënga e parë që unë kam kompozuar për luftën e Kosovës ka qenë “Jam Kosova e Shqiptarisë” me tekst të Gjok Becit dhe kënduar nga Arif Vladi, që bëri një jehonë shumë të madhe. Pas kësaj kam bërë një këngë tjetër “Marshi i UÇK” me tekst të Agim Doçit, kënduar nga Arif Vladi. Më pas kam kompozuar këngën “Lufton Drenica si i ka hije” kënduar nga Manjola Nallbani me tekst të saj, pastaj këngën me tekst të Gjok Becit për Kastriot Tushën, “Tan Kosova është zemra jonë”, më pas “A vritet pafajësia” kënduar nga Leonora Jakupi me tekst të Agim Doçit etj. etj.etj . Këto këngë u bënë shumë të njohura dhe u kthyen ne lajtmotive shumë të dashura kudo në Kosovë e jashtë saj. Kam kompozuar mbi 100 këngë . Më shumë bashkëpunim kam patur me poetët Agim Doçi e Gjok Beci…. “
Në shtator të vitit 1998, pas një koncerti të dhënë në Tiranë, u organizua një turne i madh në 16 shtete të Evropës ku janë dhënë 80 koncerte, humanitare në ndihmë të luftës së Kosovës. Në këto koncerte të organizuara në qytetet më të rëndësishme të Evropës ka pasur një numër shumë të madh shikuesish, të cilët kanë përjetuar emocione shumë të forta. Në këto koncerte kanë marrë pjesë artistët e mëdhenj: Mirush Kabashi, Çun Lajçi, Lirie Lushi, Arif Vladi, Ilir Shaqiri, Kastriot Tusha, Manjola Nallbani, Leonora Jakupi, Ledina Çelo, Niman Mushkola, Shkurte Fejza dhe Osman Kelmendi, kompozitori Edmond Zhulali si dhe poetët Agim Doçi dhe Gjok Beci.
Po e mbylle kete pjese për Kosoven me 6 vargje që i kam gjithmonë në mendje e zemër;
Oj Kosovë ti Djep Lirije
Çdo kulm shpije nji Bajrak.
UÇK – ja t’paska hije
Për atdhe po derdhka gjak!
Për Kosovë jap shpirtin tem
Se ktu jam denbabaden.
Agim Doçi edhe pse në pension, vazhdon të shkruaj poezi e prozë dhe është shumë aktiv në mediat e shkruara dhe ato televizive..
* * *
Zemërimi i poetit.
Nga studimi i krijimtarisë letrare dhe artistike të Agim Doçit kam konstatuar një revoltë të vazhduar të tij të brendëshme. Ai, duke qënë një personazh shumë i ndjeshëm, patriot në shpirt, i papajtueshëm me të keqen, me situatën jo të mirë që po kalon vendi ynë në këtë tranzicion të tejzgjatur, herë pas here zemrimin e shpreh në vargje të tipit fishtjan dhe konicjan. Po përcjellë këtu për lexuesit vetëm dy strofë nga poezia “Fluturime poetike” (Ad Fishtum in memoriam) të cilat thonë shumëçka:
…………………………………………..
Tek ky Glob që rrotullohet
Asht dhe toka e shqiptarve.
Zot, pash nderin a t’kujtohet?!
Ku i kam trojet e t’parëve?

Se jam komb nën 5 flamurë.
Komb që han mishin e vet.
Komb që vdes për diktaturë!
Trim, hajdut, dinsëz milet.
……………………………
Jo rralle herë Agimi shprehet i zemruar kur rëndom përdoret termi; “kombi shqiptar” apo “kombi kosovar.” Ai për këte është shprehur i revoltuar; «Ndarja në kombe është mision i atyre që i paguajnë Beogradi dhe Athina, sidomos «intelektualët» që mendojnë shkinisht dhe flasin (gjoja) shqip…Kombi shqiptar është NJË…. »
Poeti Agim Doçi është edhe një luftëtar i vijës së pare për ruajtjen e trashigimise kulturore shqiptare, si dhe të ekologjisë së vendit tone. Ai ishte njeri nga perfaqsuesit e “Beslidhjes per Mbrojtjen e Lumejve”, dhe ka marre pjesë në tubimet e organizuara për mbrojtjen e Lumit të Radikës, Shkumbinit, Drinit, Valbonës etj.
Po e mbylle këtë postim me katër vargje për paknaqesinën e poetit për mosreagimin e vetë shqiptarëve dhe indiferentizmin e tyre ndaj gjendjes së mjeruar të vendit.
………………………………..
Aha, më kot, ngado shkrêtín…!
E ndjej se Kombi ia ka fut gjum
Askush s’mendon për Shqipërin!
Veç Ti budall, Poet si ûn…?!
…………………………………
Ky margaritar i poezisë së këngës shqipe meriton të vleresohet më shume..
Mark RICA
Ravenna 22 Maji 2020

Åbn billede
Åbn billede
Åbn billede
Åbn billede
Åbn billede
Åbn billede
Åbn billede
Åbn billede

Burimi/Facebook