AGRON TUFA: ANEMBANË ZGAFELLA E ERRËT E DIKTATURËS

0
35

ObserverKult vazhdon botimin e ciklit të intervistave të realizuara nga Xhemazije Rizvani, “Flasim përhanshëm me…”, botuar nga Shtëpia Botuese “Syth”.

———————————————————————-

Flasim përhanshëm me shkrimtarin Agron Tufa.
Nga: Xhemazije Rizvani

Jam një djalë nga Dibra që ndoqi një rrugëtim shumë të vështirë në ndjekje të ëndrrës së fëmijërisë për t’u bërë poet e shkrimtar. Një ëndërr e pamposhtur, siç janë zakonisht ëndrrat e vërteta kur ato mohohen dhe rruga drejt tyre ka barriera të panumërta.
Dhe pengesat qenë të larta që në mituri. Djalit pa asnjë përkrahje, përpos ndonji shenje qiellore prej Hyjit, mbase, iu desh vazhdimisht të kapërcente pengesë pas pengese. Nëse nuk do të ishte bërë poet e shkrimtar, me siguri do të ishte bërë atlet në kapërcimin e pengesave. A do ta arrinte ëndrrën e vet kur përreth tij nxinte anembanë zgafella e errët e diktaturës? Si në çdo gjë do ta teprojë ngapak edhe këtu: nuk kishte ëndërruar për jetën akademike, përkthimin, studimet kritiko-letrare etj.
Them se ia doli në krye ëndrrës së vet, të tillë që as e kishte ëndërruar me kaq ngjyra të ndezura. Tashmë ai është 53 vjeç, azilant politik, me mbi 20 vepra origjinale të botuara në poezi e prozë dhe po aq të përkthyera. U mundua t’i shtrijë gjerësisht botëkuptimin dhe pikëpamjet e tij shoqërore përmes aksionit të angazhuar në pastrimin e shoqërisë nga toksikimi ideologjik komunist dhe mendoi se e bëri e po e bën si rrallëkush tjetër, pa asnjë hap fals. Nuk e kishte menduar të krijonte familje të madhe, por mendoj se i pëlqeu kur u bë vet i shtatë me 5 fëmijë. Nëse pas kësaj që është deri tani, nuk do të bëjë në të ardhmen ndonjë budallëk, unë për vete i them: ia ka vlejtur, i shkepe kësaj bote absurde një xixë kuptimi!

Kush është Agron Tufa?

Sa më sipër, prendoj të ketë qenë ai Agron Tufa. Po kush e vë dorën në zjarr? Kjo pyetje përbën një torturë të gjatë gjer te një përgjigje e përafërt. Tash për tash unë nuk marr më shumë se kaq përsipër.

Cila është beteja jote më e madhe?

Beteja më e madhe ka qenë, është e do të mbetet beteja me veten. Pa ndryshuar veten, nuk ndryshon dot askënd. Dhe betejat me veten, dihet, bëhen për të ndryshuar në vetvete diç që s’të lë të vendosësh dot ekuilibrin tënd, harmoninë tënde, të cilat gjithmonë prishen në ballafaqim me botën. Kjo është një betejë e përditshme, më e madhja dhe të cilën zor se do ta kuptoj ndonjëherë nëse e fitova apo e humba. Të tjerë do të jenë ata që do ta vendosin. Unë nuk do të marr vesh gjë, ndonëse do të doja ta dija.

A shihni të ardhme të gjatë për poezinë ?

Nëse forma e antropoidit tonë do të vazhdojë të mbetet me po këtë përbërje lëngjesh, me po këtë strukturë uji dhe karboni, dmth, gjak e eshtra, tru e zemër, frikëra e ëndërrime, dashuri e urrejtje, shpresa e kompromise, jam i bindur që do të ketë poetë. Të jesh poet nuk është çështje e zgjedhjes që ti bën. As çështje luksi. Ky është një mister, që nuk dua ta banalizoj këtu. Flas për poetët e “zgjedhur”, me “vulë hyjnore”, siç konsideroheshin me rolin e tyre misionarist të së bukurës dhe së vërtetës në epokën e romantizëm. Por edhe pa rolin mesianik të poetit-profet, poezia e ka shoqëruar njerëzimin që në miturinë e vet e do ta shoqërojë, deri kur ai të zhduket, apo të ndërroj formë e kimi, duke u shndërruar në një arrnim fiziologjiko-kibernetik me inteligjencën artificiale.

Për çka është keqardhja jote më e madhe?

Oh, janë të shumta keqardhjet. Keqardhja më e madhe është një pjesë e kohës që ka kaluar jashtë mundësisë për ta përmbushur me atë që do të doja të bëja. Pastaj, me radhë, pyetjet: Pse nuk pata mundësinë të bëhesha e të bëja më shumë? Pse nuk pata “një grusht të fuqishëm”? Pse nuk u bë Shqipëria ashtu siç e ëndërronin rilindasit? Pse nuk arrijmë akoma as sot të qëndrojmë “në këmbë të forta”? Etj., etj.

Kush është mësuesi më i madh për ju?

Dështimet e mia. Pakënaqësitë. Ajo që ke bërë jo si duhet e me të cilën nuk je dakord.

Ç’do thoshin fëmijët për babanë?

Nëse do të arrijnë të më njohin, do të thonë atë që them unë për veten. Shpresoj.

Çfarë s’i ke thënë kurrë Elvanës?

Nuk e di. Por sapo ta di, me siguri do ia them. Asaj i them absolutisht gjithçka.

Si është zgjimi në një tokë jo shqiptare?

Gjithmonë kontrast: duke kujtuar tokën amtare, arsyet se pse nuk jam zgjuar në atdhe. Fillime të vazhdueshme meditimesh.

Kur e keni kuptuar se jeta është shumë e shenjtë?

Këtë e kam ditur gjithmonë ngase ajo na është rrezikuar gjithnjë. Kur bëhesh prind kjo shenjtëri bëhet më konkrete. Jeta njëmend është e shenjtë, por kjo nuk e përligj frikën para saj, bjerrjen e dinjitetit. Se vetëm ndjenja e të jetuarit me ndershmëri e dinjitet e bën atë të shenjtë. Përndryshe as që ia vlen të jetohet.

Përse nuk e doni komunizmin dhe komunistët?

Shumë e thjeshtë: sepse jam njeri. Komunizmi dhe komunistët, ashtu si fashizmi, nazizmi apo çdo lloj diktaturë fundamentale e totalitare është antinjerëzore, një katastrofë në jetën personale e shoqërore të njeriut. Shembujt i kemi më se të freskët, madje tatuazhe në lëkurat tona.

A është i tmerrshëm azili politik?

Asnjë poet apo personalitet tjetër nuk mbaj mend të jetë shprehur me entuziazëm për azilin, dëbimin apo syrgjinin. Akoma më e hidhur është për mua, sepse qe një zgjidhje për mbrojtjen e familjes. Për këdo është e hidhur të privohet nga atdheu. Aq më tepër kur kjo i ngjet një poeti.

A ju merr malli për Shqipërinë?

Sigurisht. Kam qenë i lidhur me mijëra fije me përditshmërinë time aktive shqiptare. Jo vetëm unë, por edhe fëmijët, dhe ime shoqe – të gjithë përbëjmë një shumë të përbashkët familjare të mallit, që shpesh shprehet sipas gjendjeve tona shpirtërore.

Kur do të bëhet Shqipëria?

Kur të kemi përzënë djallushin e perversionit që është ulur galuc ndër trutë tona. Më konkretisht: Shqipëria ka patur gjithmonë një sëmundë të vjetër pa heqim: bëhej Shqipëria, por mungonin shqiptarët. Shqipëria do të bëhet kur të bëhen shqiptarët në krejt lagjet tona nëpër Ballkan. Dy elementë janë drenues për këtë, që i kemi të trashëguar nga empirika shekullore, por që në fakt janë një: mentaiteti otoman dhe mentaliteti komunist. Ky i dyti solli dreqnimin dhe sodomizimin e ndërgjegjes ndër disa breza. Pa u pastruar toka e helmatisur e kësaj ndërgjegjje, nuk mund të bëhët shqiptari, rrjedhimisht dhe Shqipëria e mandej Shqipëria e plotë e rilindasve. Për këtë duhet të kalojë ende kohë, po aq kohë sa pati sunduar komunizmi. Armiku më i madh i Shqipërisë janë vetë shqiptarët. Asnjë armik nuk do të ishte kaq efikas në vetshkatërrimin tonë, sa ç’jemi ne vetë. Sepse jemi si na don armiku. Por e bësoj, se herëdokur Shqipëria do të bëhet. E dini pse? Po përgjigjem me logjikën e një vargu të poetit të ndjerë Pano Taçi: “Them do bëhet Shqipëria/për inat të shqipëtarëve”.

Për çfarë e qortoni veten më shpesh?

Nuk e qortoj veten shpesh. Madje me kalimin e viteve rrallë e më rrallë. Kryesisht e qortoj për mirëbesimin, për ndihmën e pakursyer për të tjerët e që shpërblehet jo pak herë “thikë pas shpine”. Po këto habi nuk zgjasin shumë.

Nga ju buron gjithë ajo forcë për tu marrë me mbetjet e sistemit komunist?

Nga papajtueshmëria, ndjenja santitare e higjenës mendore e shpirtërore dhe jo pak edhe nga inati, se shumë të tjerë që, në fakt, e dinë, mendojnë madje si unë, bëjnë konformistin e jo pak herë, servilin.

Zakonisht “mbetejet, çdo lloj mbetjeje (inerte, precipitate, etj., etj.,) e kan vendin te koshat e pleharave, në lanfille, në kanalet apo tubacionet e ujrave të zeeza, pra mbetjet trajtohen si mbetje/mbeturina larg njerëzve, larg habitatit natyral të banimit, përsh shkak të rrezikut të madh viral që paraqesin e që në thelb janë historikisht shkaku i epidemive/pandemive vdekjeprurëse. Prandaj përvoja njerëzore, që në zanafillë të qytetërimeve të para lumore, e sidomos në qytetërimin klasik të antikës greko-romake I ka kushtuar vëmendje të posaçme rrjetit të kalalizimeve dhe pastrimit të plehrave.

Kaq për instinktin e vetëmbrojtjes higjenike të mbetjeve.

Siç do mbetje tjetër, madje disi më e rrezikshme janë “mbetjet e sistemit komunist”. Ato duhet të ishin izoluar, mbajtur nën kontroll sanitar që të mos ndotnin kënd në ambientin përreth ku jetojnë dhe dalëngadalë të prisnim dekompozimin e plotë të tyre.

Por ne jemi në një situatë krejt tjetër, kur “mbeturinat” janë në hirarkinë më të lartë të shtetit, kanë pushtetin në parlament, qeveri qëndrore dhe lokale, drejtojnë institucionet dhe, sigurisht, përhapin pandërprerë esencën e asaj që janë: mbeturina të komunizmit. Kjo tashmë nuk është aspak një dukuri episodike, por problem imediat, që duhet zgjidhur. Në të kundërt, duhet të bashkëjetosh dhe liria jote do të ketë kushtet dhe cilësinë që ata diktojnë. Unë jo për vete, por për nervin tim social zgjodha të mos I pranoj “mbeturinat” si normë të jetës sime, por t’u tregoj vendin, gropat septike të historisë nga vijnë, të mos na ndohtin habitatin tonë. Ja pra nga më buron forca: – instinkti i parëlindur estetiko-sanitar për të mos e pranuar për asnjë minutë bashkekzistencën në hierarkinë e plehrave.

Si cili personazh ju duket vetja?

Si autori. Përsonazhet i krijoj vetë dhe u jap jetën që ta jetojnë.

Tre librat që ia rekomandoni gjithkujt?

Romanet “Don Kishoti i Mançës” të Servantesit; “Kështjella” të F. Kafkës; “Perdro Paramo” të Huan Rulfos.

Çfarë ju ngelet peng në jetë ?

Gjëra që nuk varen nga unë e që as në planin individual nuk kisha si t’i ndryshoj. Më mbetet peng pse qëlloi të lindesha në një Shqipëri totalitare; pse qëlloi që deri në moshën 23 vjeçare qeshë i paracaktua të jetoja në një prej diktaturave më të egra të kontinentit. Ku t’i gjej tani unë ato 23 vite të humbura, që kanë kaluar vetëm vuajtje, privime, “luftë klasash”, mallkimi i biografisë, refuzimi i gjimnazit dhe universitetit, kërcënimi për arrestim në shembullin e tim eti dhe vëllait të madh. Kush m’i kthen tash ato 23 vite? Të paktën gjysmat… Ja, kjo më mbetet peng.

Ç’do t’i thoshit dallëndyshes së Shirokës?

Nuk do t’i jepja porosi “xhepi”, se do ta ndalinin e ta plaçkisnin në doganë. Dallëndyshen e Shirokës do ta lypja përsëri, si në kohën kur isha djalë i ri ushtar, me 1989 dhe shkruaja vjershat e mia të para si kjo strofa e një poezie për vendjlindjen:

“…Sohodollit si t’ia nis
Mallin nga Juban’ i Shkodrës?
Do ia lyp pak dallëndyshen
Vargut të Filip Shirokës”.

Burimi/ObserverKult