Aleksander Vezuli – Festivali në RTSH dhe metodat e vjetra të organizimit të saj.

0
81

(Rrjedhojë e diskutimeve të djeshme)
A është RTSH institucion shtetëror? Po. A mos ka ky institucion, ashtu si dhe shteti, një kushtetutë që zbaton po ato metoda të vjetra diktatoriale, në përzgjedhjen e këngëve të festivalit? Po. I njejti avaz për 60 vjet. Gëzuar 60 vjetorin festival! Këto metoda të vjetra, tashmë arkaike, në organizimin e festivalit bën që krijuesit të përballen përpara një barrikade konjukturale të hekurt për të hyrë në festival.
Po sjell një analogji me sportin. Në kampionatin evropian apo botëror të futbollit ftohen dhjetra apo qindra shtete me ekipet e tyre përkatëse të marrin pjesë në atë aktivitet sportiv. Dikush humb, dikush fiton, sipas takatit, derisa ekipet fituese arrijnë në finalet e atij kampionati. Ku janë komisionet atje? Demokraci hë? Pse në mbarëvajtjen e festivalit shtetëror siç është festivali në RTSH vazhdon të egzistojë komisioni?
“Çfarë flet ti ore”? – do më përgjigjen organizatorët. “Nuk jemi ne ata që do thyejmë “kushtetutën” e festivalit! E di ti që ajo është tabu”?
Le ta supozojmë se u paraqitën 50 këngë e cila ka 4 krijues: këngëtarin, kompozitorin, autorin e tekstit dhe orkestruesin. Pra, 50 këngë x 4 krijues = 200 krijues. Hiq ata të përkëdhelurit e aprovuar, ky komision ka ofenduar krijimtarinë e dhjetra të tjerëve të pa aprovuar. Me çfarë të drejte i keni hyrë në hak? Apo këtë detyrë u kanë dhënë.
“Çfarë të bëjmë ne të gjorët” – pëshpërisin anëtarët e komisionit duke shikuar njëri tjetrin. Çfarë të bëni? Ta bëni festivalin në 4-5 netë ku të futen të gjitha këngët e paraqitura, kuptohet jo ato me cënime politike, fetare apo fjalë të papërshtatshme për moralin tonë dhe më pas zgjidhni kush do të hyjë në natën finale. Nuk na mbetet hatri ne se nuk na zgjidhni në natën finale ama paraqitemi në sy të publikut të barabartë, transparent, ashtu si në sport, të gjithë në fushë të mejdanit.
Kur arbitri nxjerr një lojtar me kartelë të kuqe, veprimi i tij shikohet nga dhjetra mijëra sportdashës brenda në stadium, e miliona në ekranet televizive. Kush është ky komision kaq arbitror i festivalit që i nxjerr kartelën e kuqe dhjetra e dhjetra krijuesve, dhe asnjë nga ata që përjashtohen nuk e kuptojnë pse dolën jashtë loje. Çfarë është ky veprim diktatorial? Fashizëm.
Kemi mësuar në shkollë që demokracia është shtypje e pakicës dhe liri për shumicën. Kush është kjo pakicë, ky komision në fjalë që shtyp shumicën (krijuesit) dhe u jep dritën jeshile një pakice të marrë pjesë në festival? Kush është ky komision që veçon disa të nënës e disa të njerkës? Ka ardhur koha që keta lloj komisionesh të marrin kartelën e kuqe, dhe kjo metodë e vjetër e vlerësimi të një krijimtarie duhet të fshihet nga “kushtetuta” artistike një herë e përgjithmonë. Është tashmë metodë fashiste, diktatoriale, e papranueshme tani në institucionet shetërore.
Stop metodave të vjetra ditaktoriale! Rregulloni “kushtetutën” artistike!
Me respekt, nga një kompozitor që mban 50 vite krijimtarie mbi supet e tij.

Burimi/Facebook