ALUMNI Liceu Artistik – Merita Rezha Tershana -piano

0
77

Është një nga pianistet më aktive në skenën muzikore shqiptare. Është lindur në Tiranë, ku ka filluar studimet për piano që në moshë të vogël. Ka mbaruar Liceun Artistik në klasën e mësueses Nadjezhda Porodini në vitin 1990 dhe më pas kryer studimet e larta në klasën e prof. Margarita Kristidhi në Akademinë e Arteve në Tiranë. Ka ndjekur disa kurse pasuniversitare në Gjermani me profesorë të njohur si Paul Badura-Skoda, Till Engel, etj. Ka luajtur si soliste me orkestrat e Radio Television Shqiptar, Teatrit të Operas e Baletit, Filarmoninë e Tiranës, orkestrën e Akademisë së Arteve, me Orkestrën Filharmonike të Kosovës, me dirigjentë të njohur shqiptar dhe të huaj, si B. Llapaj, D. Savic, E.Koço, A. Lepuri, Zh. Ciko, J. Barbullushi, L. Quadrini, N. Marin, etj. Ka marrë pjesë e ftuar në festivale prestigjoze si soliste dhe në asamble të muzikës së dhomës, si në Schleswig Holstein Musik Festival në Gjermani, Bregenz Festspiel në Austri, Festivali I muzikës së dhomës në Grosseto, Itali, etj. Është e ftuar prej shumë vitesh në festivalet më prestigjoze të rajonit si në Festivalin Remusika në Kosovë, Ohrid Summer Festival, Pianodrom, Festivali ndërkombëtar i muzikës së dhomës, Different trains Festival, Balkan contemporary music festival. Ka interpretuar në shumë skena në vende të ndryshme si Gjermani, Austri, Japoni, Danimark, Zvicër, Itali, Greqi, Maqedoni, etj. Luan në muzikë dhome me instrumentistë të njohur si Klaidi Sahatçi, Ermir Abeshi, Andrej Bielow, Firmian Lermer, Andreas Lend, Areta Zhulla, Tomas Leleu, Loic Schneider, Roberto Trainini, etj. Është interpretuesja e shumë premierave të veprave për piano të kompozitorëve shqiptarë si dhe të disa premierave shqiptare, si integralia e veprave për piano të Xenakis në Festivalin Vjeshta e Tiranës 1998, ku në sallë ishte I pranishëm vetë autori. Në vitin 2009 ka regjistruar një cd me vepra të Schumann-it dhe më pas një cd me vepra të Aleksander Peçit. Në Shqipëri është fituese e disa çmimeve si Interpretuesja më e mirë në Festivalin e muzikës së re shqiptare në 1996, dhënë nga një juri e kryesuar nga kompozitori francez G. Boeuf. Është fituese dy herë e çmimit Kult, në vitet 2010 dhe 2016, si Interpretuesja më e mirë e vitit. Punon në Universitetin e Arteve në Tiranë që prej vitit 1994 fillimisht si koncertmaester dhe që nga viti 2002 si pedagoge në Katedrën e Pianos. Ka titullin Profesor i Asociuar që prej vitit 2007 dhe aktualisht është Zevendes Dekane e Fakultetit te Muzikës dhe Drejtuese e Katedrës së pianos.

Burimi/Facebook/ALUMNI- Liceu Artistik