ALUMNI – Liceu Artistik – Prof. Asoc. Ina Kosturi – violiniste/pedagoge

0
55

Mbaron me rezultate të shkëlqyera në violinë dhe gjithë lëndët Liceun Artistik “J. Misja” për të vazhduar studimet pranë Akademisë së Arteve të Bukura . Ndjek më pas shkollën e gjuhës dhe kulturës italiane “Lorenzo de Medici” në Firence e nëpërmjet saj realizon një audicion në Konservatorin e Muzikës “Luigi Cherubini”. Vlerësuar nga docenti i violinës pranë këtij Konservatori dhe titullar i Katedrës së Muzikës së Dhomës proff. Giovani Tanzini, për kualitetet e një violinisteje sensibël në interpretim, fillon përgatitjet për mbrojtjen e diplomës pranë këtij Konservatori.
Kthehet në Tiranë për t’u diplomuar shkëlqyeshëm në Akademinë e Arteve te Bukura (gusht 1992) e më pas vazhdon studimet në Firenze me proff. Yvette Gregorian. Në sezonin e jashtëzakonshëm (dhjetor 1992) diplomohet në Konservatorin “Umberto Giordano” të Foggias. “Giovane albanese si e diplomata al Conservatorio…”, është ky një nga titujt e së përditshmes “Gazzetta del Mezzogiomo”.
Kthehet në Tiranë për të realizuar një sërë recitalesh si soliste pranë skenave më të rëndësishme muzikore duke ekzekutuar premierë me orkestrën e TKOB- së koncertin Nr. 2 të Prokofievit nën drejtimin e dirigjentit Ermir Krantja, sonatat e veprat e Grigut, Brahmsit, Frankut, Shumanit, Shubertit, Saint –Seans, Bahut, nga Coreli tek Stravinskij . Fituese e konkursit të 7 Nacional të Muzikës “Citta di Monopoli”( 1995), renditet e katërta në konkursin “A. Astarita” në Napoli (1996). Nga viti 1994 – 2002 , violiniste pranë orkestrës së TKOB, nga 1994 pedagoge e jashtme Violinës në Akademinë e Arteve Tiranë .
Bashkëpunon në Tiranë e Itali me pianisten dhe dirigjenten e njohur Giovanna Fratta, me duot violinë piano në sallën e TKOB , cilësuar nga kritika si një dritë në ato vite të veshtira tranzicioni, koncertin inagural të sezonit të 17 të koncertor të “Amici della musica” të Lucerës, vlerësuar nga kryetari i Bashkisë së Lucerës , duke vazhduar si soliste interpretimet me orkestër harqesh e simfonike nën e baketën e Gianna Fratta në Odeonin Koncertor, me orkestrën e RTSH , me vepra të rëndësisshme të literaturës violinistike si koncertet e Max Bruch, Bach .
Krijon shoqatën “Bota e Artit” për të realizuar 9 edicione të aktivitetit “ Maratona Violinistike “ në 2006, 2007, 2008, 2009, 2010, 2016, 2018, 2019, 2021 si soliste, organizatore e krijuese.
Përtej traditës shqiptare te interpretimit te një recitali te vetëm, realizon 3 koncerte recitale në periudha të shkurtra dy javore, duke sjellë në edicionet e maratonës vepra premierë të literaturës violinistike si sonata Posthum e Ravel, Duo Concertatnt Stravinskij , Sonatat e Elgar, Copland, bravura nga Gershwin, Sibelius, Escobar , Debussy, Sonata për violinë solo nga Max Reger, krahas sonatave e partitave të Bachut e veprave të tjera të rëndësishme të repertorit violinistik.
Në edicionet Maratonës Violinistike promovon dhe interpreton veprat e panjohura e të vjetra shqiptare si interpretimi për herë të parë i sonatë së Nolit , pjesëve të Thoma Nasit, Kostandin Papajorgjit, Lec Kurtit, e Çesk Zadesë duke përkrahur muzikën e vjetër shqiptare e përkujtuar data historike si ajo e koncertit të parë recital të vitit 1926 në Tiranë.
Dy DVD të këtij koncerti të edicionit të katërt përfshihen në fondin e Bibliotekës Noliane në Boston për studiuesit shqiptaro – amerikan. Një letër falenderimi nga Katedralja Saint George mbërrin për këtë koncert si ruajtje e trashëgimisë kulturore dhe Shoqatën “Bota Artit”.
Në këto edicione interpreton si soliste me kuintetin e Universitetit të Arteve, orkestrën e Universitetit të Arteve nën e baketën e dirigjentit Eno Koço, duke interpretuar vepra të rëndësishme të literaturës Violinistike si Ciaccona e Vitalit , Svendsen Romance , Bach koncert në mi maggiore.
Në Maratonën 2016 nën baketën e dirigjentit Eno Koço dhe orkestrës së UA interpreton krijimin e saj të parë për violinë “ Fantazi për violinë e orkestër harqesh “ orkestruar nga Robert Radoja.
Në vitin 2018 nën baketën dirigjentit Eno Koço me orkestrën e UA interpreton kriijmin e saj të dytë , “Balladë për violinë e orkestër harqesh”.
Në vitin 2019 kompozon koncertin për violinë e orkestër harqesh në la minor, ardhur pas 30 viteve mungesë në krijmtarinë shqiptare për violinë , të cilin e interpreton nën baketën e dirigjentit Gridi Kraja dhe në 2021 në” Violinistic Greetings” dhe” Maratonën Violinistike” edicioni 9 në formacionin duo me pianisten Rudina Ciko, pianiste në 9 edicionet e Maratonës.
Maratona Violinistike edicioni i 9 i realizuar online dhe live me violinistë të huaj të niveleve botërore nga Serbi , Rumani , Francë , Londër , Amerikë, Itali, e violinistë e muzikantë shqiptarë që interpretuan shqip ishte një aktivitet i niveleve të larta të interpretimit dhe publicitetit , i vlerësuar nga moderatore të faqeve online të violinës si një krenari për muzikën e kulturën shqiptare e më gjerë për komunitetin e violinës në mbarë botën .
Ka marrë pjesë si violiniste në shumë transmetime të RTSH-së , ka shkruar një numër të konsiderueshëm artikujsh kritikë( rreth 200) për probleme profesionale të artit e muzikës, violinës , koncerteve e më gjerë me komente e analiza në të përditshmet e shtypit. Në vitin 2003 realizon pranë Radio Tiranës një cikël emisionesh me komente të interpretimit të muzikës klasike e asaj violinistike Në dhjetor 2008, realizon në Televizionin Calvin një cikël emisionesh të titulluara “Metronom”, emision i përjavshëm i muzikës klasike, duke interpretuar në violinë e piano veprat e Bahut, Grieg, Shuman, Brahms, Shubert etj., si dhe komentuar kompozitorët dhe dukuritë e botës muzikore
-Tetor 2006 boton “Përtej Personales”, libër me përmbledhje artikujsh e studimesh kritike.
-Maj 2007 publikon librin “Talente të heshtur”që kushtohet violinës, asaj shqiptare dhe një sërë çështjeve nga skena, emocionet, konkurset, pedagogjia etj .
-Nëntor 2009 boton librin Esenë “Pak mall për socializmin”, me shtëpinë botuese Ombra GVG.
-Maj 2012 boton librin, “Rrëfim në Tre kohë” me Shtëpinë Botuese OMBRA GVG.
Në dhjetor 2012 merr çmimin e vitit nga Unioni i Gazetarëve për artikullin më të mirë si publiciste.
Në korrik 2011 me votim unanim të Këshillit të Profesorëve në Universitetn e Arteve merr titullin Profesor i Asocciuar, ku aktualisht është pedagoge e violinës , titullare e lëndës , udhëhëqese e diplomave, duke kontribuar dhe në pasurimin e repertorit të studentëve, përkrahjen e stimulimin drejt skenës .

Burimi/Facebook/ALUMNI- Liceu Artistik