ALUMNI/ Liceu Artistik – Prof. Dr.Ilirjana Dema – violinë/pedagoge

0
66

Prof. Dr. Ilirjana Dema, një ndër emrat me talent të spikatur në fushën pedagogjike-akademike i nisi studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja” në vitin 1960 dhe u diplomua në instrumentin e Violinës më 1972. Pas një viti pune si mësuese violine në shkollën e muzikës në Elbasan, në vitin 1973 nis studimet universitare në Institutin e Lartë të Arteve, sot Universiteti i Arteve ku përfundon me vlerësime maksimale degën e “Teoritikut” asokohe, sot “Muzikologji”. Në vitin 1979 përzgjidhet në grupin përfaqësues të Bërthamës Shkencore, çelur po atë vit pranë I.L.A. Në këtë stad rritja e thelluar profesionale merr prioritet. Kështu, në 1987 përfundon me shumë sukses kualifikimin post-universitar. Në 1996, specializohet në Konservatorin rajonal “Rueil Malmaison” dhe Konservatorin Superior, Paris, Francë. Përvoja pedagogjike në disiplinën e solfezhit, e fituar në shumë vite pune, krijoi në vitin 2000, mundësinë e përgjithësimit origjinal didaktik në mbrojtjen e gradës shkencore “doktor” me temë “Metodologjia e Edukimit Ritmik”, vlerësuar maksimalisht. Në vitin 2001 shkëmbim eksperience në Konservatorin e Barit, Itali.
Pas një aktiviteti të gjerë shkencor, me pjesëmarrje në Sesione Shkencore, me referime dhe artikuj të botuar në revista dhe shtypin periodik, brenda dhe jashtë vendit, Komisioni i Kualifikimit Shkencor në vitin (2004) i jep titullin “Profesore e Asociuar” dhe në vitin (2012) titullin “Profesor”.
Në bazë të punës shumë të suksesshme pedagogjike dhe kontributit shkencor asaj i besohet përgjegjësia për 9 vjet Shefe e Seksionit të muzikologjisë në Akademinë e Arteve dhe 2008-2012 Përgjegjëse e Departamentit të Kompozicionit, Muzikologjisë, Dirigjimit dhe Pedagogjisë muzikore në A.A me zgjedhje.
Në faqet e ngjeshura të biografisë profesionale të znj. Dema përmendim disa nga aktivitetet shkencore si; pjesëmarrrje në sesione shkencore dhe konferenca kombëtare; 1972 -Raporti hero-masë në Operan shqiptare”, 1979 “Disa tipare në demokratizimin e muzikës simfonike-Instrumentale”, 2002 “Formimi teorik dhe estetik i muzikantëve të rinj” mbajtur në sesionet shkencore A.A Tiranë, 2013 “Roli i muzikës si faktor zhvillimi tek fëmijët me nevoja të veçanta”, 2014 “Transition and Society, an interdisciplinary approach”, (2018)“Rëndësia e edukimit të vazhduar në fushën e pedagogjisë së specializuar”, mbajtur në Universitete të ndryshme.
Në konferenca ndërkombëtare, (1992) “First Balcan Congress of music” tema “Disa tipare të muzikës së kultivuar shqiptare dhe roli i Akademisë së Arteve” Arahova Greqi. (2012) në Universitetin Aristotel Selanik me temë bosht : “Muzika , Terapia, Shoqëria, ku referon temën “Muzika, faktor i rëndësishëm për terapinë mendore dhe fizike tek fëmijët me sindromën down”; (2017) Në Universitetin Evropian të Qipros me temë bosht “Modus, Modi, Modality”, “Risitë teorike dhe didaktike në edukimin ritmik”, studim që u përgëzua nga profesor të ardhur nga Londra, Selanik etj; (2011) Kumton temën “Për një qëndrim racional në interpretimin e figurave irracionale”, mbajtur në konferencën shkencore të Institutit Alb-Shkenca Prishtinë, Kosovë. (2012) Shkup, Maqedoni, referon temën “ Gjergj Antoniu artist me vlera poliedrike”, mbjatur në takimin e VII-të ndërkombëtar Alb-shkenca. (2011) në Itali, Cesena, referon “La ritmica nella musica balcanica ed Albanese” në Konservatorin Statale di Musica Bruno Maderna, Instituti superior di Studi Musicali.
Prof. Dr. Ilirjana Dema ka qenë e ftuar disa here për të mbajtur leksione të hapura, Seminare dhe Masterclasse kryesisht me tema “Metodika e Solfezhit dhe zgjerimi i objektit të lëndës në pështatje me kërkesat bashkëkohore”, “Mikrokosmos Di B. Bartok”, në Universitetin e Shkupit, Tetovës, Kosovë, Perugia Itali si dhe cikël të plotë leskionesh në Prishtinë, Kosovë. Si muzikologe mban nën autorësinë e saj 38 emisione të përjavshme në ciklin “Jetë e gdhendur në këngë” në Radio Tirana dhe gjithashtu e ftuar për diskutime në median vizive.
Ndër dhjetra artikuj që numëron në revistat shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare përmenden, “Ein Virtuose der albanischen cellokunst” “Një virtuoz i artit violonçelistik shqiptar” Gjermani, “For a rational approach to the interpretation of irrational rhythmic figures” Kosovë , “Veprimtaria artistike e një muzikanti shqiptar në dy kohë” Journal of Saint Peterburg State Conservatory Rimsky Korsakov etj.
Në kontributin e saj muzikologjik shkencor, renditen dy monografi. “Teoria dhe praktika e solfezhit ritmik”(2003) vlerësuar nga Viktor Fell Yellin professor muzike në Universitetin e New York, Departamenti i Muzikës. “ Kam lexuar librin tuaj Teoria dhe praktika e solfezhit ritmik ‘ dhe e kam cilësuar atë si një nga më të përsosurat dhe pedagogjikisht me interes nga një numër tekstesh me këtë subjekt. Nuk gjej fjalë të shpreh sa jam i kënaqur, që shoh një liber kaq të shkelqyer”
Studimi monografik “Gjergj Antoniu një jetë me Violonçel” botuar nga shtëpia botuese Flesh (2010). Vlerësuar nga personalitete të fushës si një punë shumë serioze, me analiza të thelluara shterruese për violonçelistin Gjergj Antoniu.
Gjithashtu kontribut të veçantë jep edhe në përgatitjen e leksioneve të shkruara për të parën herë në Shqipëri të disiplinës “Historia e mendimit teorik muzikor”. Znj. Dema në planin shkencor ka kontribuar si anëtare e Bordit Shkencor në revistën akademike, kulturore dhe letrare “Humanus”, si dhe ka realizuar me dhjetra Oponenca të nivelit Bachelor, Master dhe Doktoratura të studimeve muzikore
Pedagoge për 41vjet, Ilirjana Dema ka lënë gjurmë në breza të tërë studentësh jo vetëm në aspektin profesional, ku ndërlidheshin gjatë orës së mësimit të gjitha disiplinat muzikore për formimin e tyre artistik , por edhe në etikën humane të komunikimit. Kur kthen vështrimin pas, është një jetë e tërë plot pasion, vullnet dhe këmbëngulje në shërbim të profesionit.

Burimi/Facebook