ALUMNI/Liceu Artistik – Silvester Shoshi – violine

0
155

Silvester Shoshi Lindur në Shkodër, në vitin 1994. Studimet në violinë i fillon në moshën 5-vjeçare në shkollën artistike ‘Jordan Misja’, në Tiranë, me pedagogen Zana Gruda. Pas përfundimit të ciklit të mesëm në vitin 2012, filloi Vitin Akademik Bachelor në Universitetin e Arteve, me pedagogun Bujar Sykja. Studimet në Master dhe diplomimin e kreu në Konservatorin e Muzikës ‘Santa Cecilia’, Romë-Itali, në vitin 2017, me rezultatin maksimal, nën drejtimin e pedagoges Enrica di Paolo. Gjatë këtyre viteve, ka marrë pjesë në aktivitete, konkurse dhe masterklase të ndryshme. Ka marrë pjesë në Konkursin Ndërkombëtar Violinistik ‘Andrea Postacchini’ – Fermo, Itali; në konkursin ‘Annarosa Taddei’ – Romë, ku fiton çmimin e tretë, duke luajtur si solist me Orkestrën ‘RomaTre’. Gjithashtu më përpara, ka marrë pjesë në konkursin ‘Pjetër Gaci’, ku fiton dy çmime të para. Deri më tani ka zhvilluar katër koncerte recitale, ku tek koncerti më i fundit në vitin 2019, organizon një orkestër, duke luajtur 4 Stinët e Vivaldit, dhe duke përfshirë dy vepra të kompozuara të tij, premierë.

Gjithashtu ka qenë dy herë pjesë e Orkestrës Rinore Mesdhetare, duke patur mundësinë të punojë me dirigjentë të njohur si Carlo Rizzi dhe Alain Altinoglu. Ka zhvilluar disa masterklase të ndryshme me violinistët e njohur si Felix Ayo (Romë), Bartek Niziol, Amiram Ganz, si edhe masterklase në muzikë dhome me Sondra Tamman dhe Michael Malkieëitz. Gjatë periudhës në Itali, ka punuar dhe zhvilluar koncerte duke qenë pjesë e orkestrave të ndryshme si: ‘orkestra Rinore e Teatrit te Operas të Romës’, orkestra ‘RomaTre’, ku ka punuar me dirigjentin dhe violonçelistin e njohur Luigi Piovano. Ka punuar gjithashtu me Orkestrën Italiane të Kinemasë me dirigjentin e njohur Justin Freer, e gjithashtu disa regjistrime studio me po të njëjtën orkestër, me kompozitorin Paolo Vivaldi. Edhe në Shqipëri ka zhvilluar disa koncerte instrumentale dhe vazhdon të jetë aktiv ne jetën artistike. Gjithashtu, vitet e fundit ka bashkëpunuar me Radio Marinë Shqiptare duke përgatitur një libër me muzikë liturgjike dhe duke drejtuar një cikël emisionesh muzikore. Aktualisht punon në mësimdhënie në instrumentin e Violinës.

Burimi/Facebook/ALUMNI/Liceu Artistik