Ansambli shtetëror i këngëve dhe valleve popullore shqiptare në R.M.V

0
48

Ansambli Nacional mbajti koncertin e radhës me sukses të jashtëzakonshëm për 13 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe 60 vjetorin e lindjes së Ilir Shaqirit!
Ansambli për herë të dytë shënoi 13 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës por ndryshe nga viti i kaluar kësaj radhe koncerti u ideua krejtësisht ndryshe! Me këngët më të bukura të Ilir Shaqirit të cilat ku më bukur sesa në ambientin e shkëlqyeshëm të sallës së madhe të Filharmonisë së Maqedonisë u festua shtetformimi i Kosovës dhe 60 vjetori i artistit të madh kombëtar Ilir Shaqiri. Duke respektuar rregullat Anti Covid, 300 të ftuar patën kënaqësi e emocion të ndjekin për së afërmi koncertin që zgjati 90 minuta në sallë dhe transmetua për mijëra spektatorë në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri e Diasporë përmes valëve të Televizionit të Maqedonisë, RTV 21 dhe TVSH.
Të pranishëm ishin përfaqësues mediash, deputetë, ministra, zv ministra, sekretarë shtetëror, drejtues institucionesh kulturore e arsimore dhe shumë intelektualë e artistë! Programi filloi me prezantimin e biografisë me karrierë 40 vjeçare të Ilir Shaqirit dhe këngët më të bukura të shfaqura në videoprojektor kurse më pas u interpretuan këngët e Ilir Shaqirit ndër dekada. Blloku i parë nisi me “Këtu kam folenë” 1992 , “Dallëndyshe” nga albumi “Tingujt e zjarrtë” 1994, “Tetovare” nga albumi “E di një këngë për ty” 2006 “Dridhe Shkup e Shkodër” e vitit 2004 intepretuar nga solistët Besarta Murtezani, Era Azemi, Kastriot Latifi e Salajdin Miftari. Më pas u ekzekutua vallja “Malësorja” me shumë nivel nga vallëtaret e ansamblit, kujtim dhe nderim për kompozitorin shkupjan Lorenc Antoni, koreografi e profesorit Artan Ibershimit. Në bllokun tjetër ndryshe nga radhët e kaluara drejtori Shkodran Tolaji për nderë të Pavarësisë dhe Ilir Shaqirit interpretoi këngën “Kosovë, tokë e bekuar” krijuar në vitin 2003. Më pas u interpreruan
“Këngë bashkimi” krijuar më 1997 si pjesë e Albumit “Tingujt e zjarrtë” “Shqiptaria” dhe “Zëri i atdheut” krijuar më 1992 që u interpretuan nga Jetmir Rexhepi, Kastriot Latifi e Agron Kalisi. Pas këtij blloku grupi i solistëve solli “Një si perëndia” pjesë e albumit “Këngë e rrallë” krijuar më 1991, “Cucë e Uskanës” 2007 pjesë e albumit “Pranë diellit” dhe “Moj Shqipëri të qofsha falë” krijuar më 1991.
Il ir Shaqiri që përmes këngës ka evidentuar periudhat dhe ngjarjet historike të shqiptarëve, që nga fillimvitet e tetëdhjeta e deri me tash jo rastësisht në ka sjellur temën e atdhedashurisë. Në vitin 1993, në Festivalin e këngës në Radiotelevizionin Shqiptar interpretoi “Udhët e mia”, e cila deri në ditët e sotme mbetet një nga këngët më të dashura për shqiptarët. Në vitin 1989, në kohën e demonstratave gjithë-popullore në Kosovë, në Radio Prishtinë po incizohej kënga e famshme “Fjalët e Qiririt” dhe tringëllimat e mospajtimit që mbuluan Prishtinën e asaj nate, u bënë pjesë e këngës. Kosova me gjithë përpjekjet e shqiptarëve kudo, arriti ta fitojë lirinë e shumëpritur, por pavarësia e saj po vononte. Në vitin 2007, Iliri bashkë me Naim Gjoshin, Xhevdet Gashin, grupin Korona, Dilaver Kryeziun dhe Isa Qosjën, do ta finalizonte këngën Pavarësia, e cila u bë kolonë zanore e Ditës së shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe në 13 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës sonë të dashur Ilir Shaqiri solli në Shkup këngët “Udhët e mia”, “Fjalët e qiririt”. Pika kulminante e koncertit ishte “Erdhi dita e Pavarësisë” e cila u realizua dhe si koreografi nga prof.Dilaver Kryeziu dhe u interpretua nga të gjithë artistët në skenë! Prezantimi i koncertit u bë në mënyrë të mrekullueshme nga Avni Qahili kurse mjë meritë për realizim ka orkestra e ansamblit, orkestruesit Edon Ramadani, Valton Beqiri, Xhevdet Gashi, Fahri Beqiri, korepetitori Agim Bafti. Në fund kryetari i komunës së Çairit si bashkëorganizator ndau mirënjohje për Ilir Shaqirin, nderin e Kosovës dhe zërin e atdheut duke e falemnderuar për atë që i fali Shkupit, shqiptarëve në RMV dhe artit shqiptar në përgjithësi! Koncerti i Ansamblit dhe evidentimi i biografisë artistike të Ilir Shaqirit u vlerësua nga të pranishmit dhe telespektatorët si ngjarje e rrallë dhe më e rëndësishmja e mbajtur për këtë përvjetor të 13-të të shtetit të Kosovës.

Burimi/Facebook