Arben Brace – Ngjarja e Elbasanit

0
37

Ngjarja famëkeqe e Elbasanit e cila na kërcënon sot me prishjen e zgjedhjeve dhe kompromentimin e të gjithë procesit zgjedhor së pari vërteton tërësisht farsën dhe dështimin e reformës në drejtësi me të cilën mburren qeveritarët e korruptuar që po çojnë vendin në greminë vetëm për interesa meskine pushteti dhe korrupsioni të pafre.
Sikur edhe një minimum morali t’i kishte mbetur policisë dhe drejtësisë sonë, padyshim që do t’i kishte dhënë përgjigjen e duhur kësaj çështje madhore duke zbardhur të vërtetën e cila do të jepte impulse morale demokratike dhe do të ndëshkonte fajtorët me humbje fatale.
Ngjarja famëkeqe e Elbasanit, kur grupet paramilitare, me ndihmën e partisë në pushtet, në prani të Policisë së Shtetit, shkojnë të armatosur dhe qëllojnë pa hezitim megjithëse jemi rreth 8-dekada më pas, përbën një shëmbëlltyrë adeguate të forcave të regjimit nazist që vepronin në rrugë duke arritur objektivat e tyre më anë të forcës dhe dhunës dhe më pas veprimet e tyre ligjësoheshin nga organet shtetërore.
Po kështu, jemi njësoj sikur në kohën naziste, kur organet e drejtësisë të sunduara nga nazistët ishin gjithmonë të gatshme për të mos marrë në konsideratë ligjet në fuqi, duke përfshirë edhe ato që ishin miratuar nga vetë nazistët sa herë që kjo u përshtatej interesave të tyre, apo kur ekzistonte frika se interpretimi gjyqësor mund të shkaktonte pakënaqësi për shefat e sistemit.
Çfarë mund të themi për një sistem drejtësie sikur ky… ?! Apo për për një organ të specializuar me ligj sikurse SPAK…!? Me mosveprimin e tij ai tashmë duket si një sistem për mbrojtjen e direktivave dhe arritjen e qëllimeve të partisë në pushtet sesa si një rend ligjor. SPAK tashmë jo vetëm që është joeficent si një sistem ligjor, por i mungojnë të gjithë standartet procedurialë të drejtësisë dhe të transparencës. A mund të ketë më autoritet ligjor SPAK, kur nuk vepron dot në asnjë rast ku cënohen interesat e partisë në pushtet? Duke vepruar në këtë formë, sipas së cilës institucionet e ligjit nuk kanë asnjë autoritet dhe kanë pushuar së ekzistuari për drejtësinë e vërtetë, ato janë kthyer thjeshtë në vegla të pushtetit.
Tashmë drejtësia shqiptare është kthyer në një vegël banale nën komandën e “sovranit” njësoj sikur e drejta naziste që u kthye në një tërësi normash apo komandash ad hoc që ndryshonin sa herë e kërkonte regjimi. Gjykatat nuk synonin zbatimin e parimit të sundimit të së drejtës, por ekzekutimin e komandave të autoritetit nazist.
Por nëqoftëse pranojmë që autoriteti i ligjit buron nga një marrëveshje morale ndërmjet qeveritarëve dhe të qeverisurve, në bazë të së cilës qytetarët respektojnë ligjin themelor kushtetues apo parimet themelore të së drejtës, nëpërkëmbja e drejtësisë nga ana e pushtetarëve përbën një lloj mashtrimi të qytetarëve dhe për pasojë marrëveshja nuk është më e vlefshme. Në këto kushte qytetarëve u lind e drejta të mos u binden ligjeve të tilla, të cilat nuk duhet as të quhen fare ligje, pasi nuk respektojnë kërkesat themelore proceduriale. Ky është shkaku që edhe vetë Kushtetuta Amerikane, duke e parë të drejtën e zgjedhjeve të lira si një ndër parimet themelore bazë për demokracinë, paracakton ultimatume të tilla deri në rrëmbimin e armëve karshi të gjithë atyre që cënojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Asnjë lloj krize nuk do të kishte ndodhur sikur të funksiononin sikur duhet organet e drejtësisë si për ngjarjen e Elbasanit por edhe atyre të Dibrës dhe të Shijakut etj në zgjedhjet e kaluara.
Prandaj, pavarësisht retorikave boshe të qeverisë dhe ndërkombëtarëve mbi “suksesin” e reformës në drejtësi, Kuvendi i ri që do të dalë nga zgjedhjet e lira të 25 Prillit duhet të shikojë me përparësi ristruktimin dhe të përgatisë një reformë radikale demokratike në sistemin e drejtësisë, që ajo të mos mbetet peng në duartë e politikës korruptive nëqoftëse duam që demokracia shqiptare të prosperojë dhe të mos biem në duartë e klikave autoritare që pëdorin drejtësinë për interesa pushteti.

Burimi/Facebook