Ardiana Dhimiter Mitrushi – Dhe përsëri meditoj…

0
186

Sa shumë dua të debatoj me veten pasi çdo ditë është një moment që shpesh shkon si era me shi, por që nuk kam mundësi t’a kthej…
Dhe përsëri meditoj…

Unë e pranoj aparencën time si një dhuratë që më është dorëzuar pa kushte, si ristrukturim për të ardhmen dhe unitetin tim abstrakt gjenetik. Hapat e mia ishin një përpjekje e mposhtjes së vetmisë duke u mbajtur fort në kolonën time të brishtë. Por, unë përballem me rrethanat ambientale, me tokësorët, banalitetin, me artin vizual të kronikës me gur’ zemre, dhe muzikën alternative të shpirtit tim që fuqishëm aktron vetveten, por nuk mund ta ndrydhësh kurrë…
Unë e marr epitetin apo “llagapin” si një kapistall identiteti që nuk m’a harron fytyrën, natyrën, shijen time, por nuk harroj pasthirrmat ditore, ato që çdo kush i’a thotë vetvetes heshturazi…
“Po kush dreqin jam dhe pse?!…”
Sot, tani më shumë se kurrë po e njoh vetveten, marr jetë, marr frymë dhe, veproj instiktivisht si një orë e ingranuar që zemra i rreh pa pushim, por nuk harroj të shpërndaj falas buzëqeshjet që marrin dritëhije nga shirat dimëror’ të kristaltë. Unë lëshoj brengën që lëngon udhëve që gëlltisin vrerin e kohërave pa kujtesë…, me shkronja të pa numërta dua t’a gudulis sedrën, t’a zbavis dhimbjen mes hipokrizive dhe luftrave, si një betejë me përzgjedhje fustanesh që valvisin lirinë…
Me këngë dua të tregoj baladat e fëmijërisë, të rinisë që si ndëshkim morri revoltën si lutje dhe, argëtimi i dha udhë sinkronizimit të ironisë “moderne”…
Po sot çfarë po ndodh me mua?…, po, po me ty Ard’?…
Ahhh!… Panoramat pandemike përzgjatin tentakulat si metastaza kanceroze nën lëkurë, më ngjasojnë me oktapodhë të vetë ftuar në sofrën e shtruar nga morti…
Arenat tokësore bëjnë përcjelljet zanore përmes ekosh të mbytura nga pasiguria, por me nënqeshje arrogante, histerike dhe tektonike. Thirrjet e mia humbasin në humnerën centrifugale të drejtësisë, vendimet shtyjnë me forca tokësore centripete duke përhapur dhe shtyrë me forcë jashtë shpëtimtarin famkeq, atë që flamurin për dorëzim se shpalosi kurrë por fshiu lotët e krokodilit pa dhëmbë…
Zëri më përplaset për fytyrë dhe me mua ankon, por dhe debaton?!…
Të jem marruar vallë i them vetes?!…
Pëshpëris zë ulur për t’ mos t’a dëgjuar as vetë, por kjo botë me veshët e djallit më përgjon dhe ndëshkon, si tirani gladiatorin edhe pse triumfator…
Unë akoma meditoj, shkruaj, kërkoj, pres të gjej atë që asnjë përgjigje nuk më jep, atë që koha mëkatet ja ka shkruar në gurin epokal si dhe në kronikë zemre që drithëron. Në epitafin solemn janë shkruar paditë ku Homeri vetë verbërisht vështronte lëngimin e marrë të dashurisë së frikshme dhe rezistente, por më shumë e ëndërronte si në baladat e Kurbinit…
Me gishtat dhe hiret e Ofelisë Hamleti do të përkëdhelte, damkoste faqet e lavdisë së hamshorëve që virgjërinë se njohën kurrë, por i dhanë veç një rrugë vetë vrasjen…
Koha si një kalë i shfrenuar shfryn prapësitë e saj, vjell vrerin e të shkuarës si një pikatore që drithëron çdo ditë. Flijimet janë kthyer në një post gjyqësor që ndan rrugët ku veç sorrat do të na vajtojnë të gjithëve njësoj…
Hëna e heshtur shkund krimet mes shkreptimave qiellore, dhe vajet i vesh si një pëlhurë që fluturon me hijen e vdekjes që “askush” nuk do ta pranojë…
Dielli mrekullon me shigjeta të zjarrta për të djegur edhe të pa qënin, por ja që unë përsëri vazhdoj të shkruaj dhe luftoj me shpresën e rreptë, që më ka lidhur kokë e këmbë me fjalët ekskluzive prit, të lutem prit…
Akoma ushqehem me thërrimet e ditës, marr forcë nga yjet e natës, ledhatohem me rrezet e diellit që ngroh dëshirat që ndezin dhe, presin të trokasin…
Penën e ushtroj me një siguri karizmatike, si një shpatë metaforike që retorikisht nuk mund ta spjegosh kurrë…
Mendimet i rrah deri aty ku kapaciteti nuk mban më, kjo si një çlirim shpirtëror. Faqet e mia do të mbushen dhe rrjedhin aromën time të dinjitetit dhe lirisë që unë dua t’a dua, por vetëm pozitivisht… Dhe përsëri meditoj…
Ardiana Mitrushi 08/17/2020