Ardiana Dhimiter Mitrushi- Metamorfozë…

0
23

Sot, gjysma e hemisferës së trurit njerëzor tronditet vazhdimisht nga këmbanat e rënduara të orës shekullore të qytetit, tronditet nga ritmi i hapave kronike, nga stërzgjatje hijesh të shumëfishuara prej dritës së hënës heshtake. Temperamenti mendor i merrte goditjet dhe i shndërronte në ritmikë hip-popi pa bujë heshtjeje.

Ulur pranë vetvetes numëronim gërmat e fjalëve që rridhnin, formulonin ditarët e hirtë të groposur, të zbrazur në gropën e fushëbetejës me lumenj lotësh. Në analizën time historike personale ka shumë paranteza të pa deshifruara mbi ardhjen dhe rritjen time si fëmijë, sot nënë. Hapat fëminore m’i matnin me kode të llogjikës abstrakte dhe subjektive. Padija ishte dështim i vetëdijes, i vetëmbrojtjes legale dhe ilegale, ishte kukulla arrogante, kryeneçe, kapriçoze, pengmatike apo pengmarrëse, por e përbetuar deri në dhëmbët e vdekjes.

Sot, lufta po merr përmasa dhe forma të çuditshme operimi, gllabërimi, pushtimi apo pushimi. Ne nuk e zgjedhim atë si dëshirë për ri-mëkëmbje të shpirtit zero, por si një mjet paqje pa paqe. Kur mendoj këto idealizma konfrontuese, më lind pyetja tepër konfronte: “ Ç’ rëndësi do të kishin fëmijët si qenie njerëzore për kohët që kaluam, a kishte vallë?!…”

Unë vetë, si fëmijë isha një jashtëqitje epshesh dhe orgazmash njerëzore, diku mondane, partriarkale, karrieriste, mbase edhe partiake. Çuditërisht në duart e jetimëve si dhuratë na jepej një flamur i bardhë “i shpëtimit”, ndoshta një dorëzim i detyruar dhe pa kushte…?! Si jastëk rëndomt flinte libri bolshevik me faqe përrallash të frikshme për të na vënë në “të ëmblin” gjumë… Atje mësuam dhe përdorëm gënjeshtrën tuaj monstruoze metamorfike, mësuam mbijetesën e jetës sociale në vetmi kriptike, e cila akoma edhe sot më ulërin egër, më zvarritet gjarpërueshëm si drithmë që të kujton vazhdimisht.

Unë duhej të rritesha pikërisht aty ku evolucioni jetik ishte ekzistent edhe pse “gudulisej” nga tangente perverse shqisore. Unë shpesh harrohesha në bukurinë e dlirë të vetvetes, shpesh flisja me zogjtë e jetës time, sekretet ishin cicërrima kodesh unike të kthyera në një monotoni ditore, ato e ndiqnin renë e mendimit dhe valën e shpirtit tim vetëfolës.

Me duart e njoma të fëmijërisë fluturoja në rrugët e fantazisë së ajrit, dirigjoja sonatën oqeanike të një kuarteti harqesh me jehona ekosh valore akuatike. Dallgët e etura më përplaseshin në buzët e ankoruara në bregun dashuri, aty ku e panjohura enigmonte dhe kamuflohej nën rërën endacake. Këmbë zbathur gudulisja shijet e ngrohta diellore dhe ecja përgjatë linjës së guackave të vetmuara, të braktisura nga cikli i jetës.

Uji i kripur luante dhe më ndillte djallëzinë fëminore, më bënte të përpëlitja këmbët më fort dhe luajtur me stërkalat kristalore. Qeshja e kripur, e lagur kërshëronte dëshirat fëminore të çamarokes së pagdhendur dhe naive në identitet. Atje ndihesha e vërtetë, e sinqertë, e çliruar dhe e përsosur nga e përditshmja unë.

Guackat pa jetë rendnin të dilnin në bregdetin ëndërrimtar, prisnin plot shpresë rradhën për t’u përzgjedhur si të ishte një sfilatë oqeanike me blitce kamerash kudo. Guackat fatlume lodronin në duart tona dhe ekot ujore prosperitike të suksesit thërrisnin duke përcjellë amanete.

Metamorfoza si një tekton dramatik gërmonte në koren e vjetër, fletët e përgjakura të mbushura plot me gërma, me mllefe dhe sjellje plot histeri. Ditari faqoste dhe fashonte plagët e botës time dhe si një mozaik i ngurtë më ndiqte hapat e paheshtura plot siguri. Në kokë mbështillja muzikën time të shpresës, notat fluturonin, lodronin dhe arnonin lëndesat dhe pendesat e fjetura diku.
Dyert kishin bërë betimin e drynjtë, me dhëmbë të ndryshkura titaniku mbërthenin bravat që burgosnin dhe fundosnin oqeane zemrash, ruanin virgjërinë mondane për ballon stoike të jetës.

Tingujt e harqeve zgjuan tufanët e errëta, zgjuan bekimin e fitores kundër “termopileve”, fitoren me “mullinjtë e erës”…, por kurrë nuk mundën të m’a lëndoni apo bënin pis shpirtin artistik të lindur gjenetikisht.
Metastazat metamorfike ledhatonin simfoninë e tokës, me koret alkapela ngjyrosnin dhe përkëdheknin bujshëm hyjnoren e dëshiruar dashuri.

Sot mendueshëm, me largpamësi horizontesh dua t’a ëndërroj, imagjinoj metamorfozën time humane, dua t’i prek momentet në tërësi, ashtu sikur fëmija e sapo lindur nënën e saj.
Unë jetën e dua pafundësisht, lumturia muzikon ankorimin e spirancës të shpresës jetike.
Unë nuk mund të ndaloj këtë metamorfozë profetike, jam dhe do të mbetem e lirë, por aspak pragmatike.

Ardiana Dhimitër Mitrushi 03/06/2022…

Burimi/Facebook