Ardita Jatru – Hallka të pa lidhura

0
191

1
Rrugica që vuajnë nga papastërtitë.
Paguajmë bashkinë, për të fshirë
idhnimet që hedhim nga vetja
dhe dërgohen për riciklim.
2
Dëgjoj fëshfërimat e qershisë
ndërsa shkul mendime të thata në bar.
Petale lulesh mbushet ajri
si qëmtim bore në blunë e kulluar të fillim majit.
Qeni i lidhur i komshiut leh papushim.
Këtë rradhë, kanë mbjellur qepë në oborr.
3
Ditë të ikura
pa pikë shije të mbetur në qiellzë
Nuk mërzitem.
Më shqetëson se çdo bëj
me ditët e tjera që do vijnë.
4
Mes hirit të degëve që u dogjën mbrëmë
një breshkë ka ngjeshur kokën.
Mendoj se ka ngecur, e nxjerr,
e marr në dorë të shoh në merr frymë
dhe më përplas në fytyrë urinën.
5
Bisht’ i dhelprës i varur në qafën e saj.
I ka marrë dhe sytë
dhe krenohet me dinakërinë e saj nën gëzof
teksa prapa i tundet etiketa.
6
Gjej rastin të pyes ca gjëra për familjen.
Nuk çuditem kur marr përgjigjet.
Gjithnjë jam ndjerë e shpërndarë copash
dhe vuaj tendencën e ikjes.
7
Kruaj një shenjë pikësimi në ekran.
Jam midis pikëpyetjes dhe pikëçuditëses.
Kalon macja përsipër
dhe me putrat e saj shuan gjithçka.
Më falenderon për mirëkuptimin duke
më tundur bishtin në hundë.
E ngjesh si top të ngrohtë në kafazin e brinjëve.
8
Së fundmi shoh ëndrra që më zgjojnë.
Është koha që çelin lulet, më thua.
Dikur hapja shpjeguesin e ëndrrave me nxitim.
Tani më shqetëson zgjimi.
9
Në parvaz kanë kryqëzuar qafën
një çift pëllumbash
Është stinë që mbarset gjithçka.
Përveç meje që sterilizoj mendimet
me kapsulë.
10
Ankohet nëna që tymos shumë.
Në fakt ajo s’e ka vënë re
që unë tymos kur udhëtoj e vetme
në një vagon me fjalë.
11
Përkthej ca kilogram vetmi në gjuhë të huaj.
Zë veten të jetë një tjetër, pa shpirt.
Ndërroj titullin.
12
Çfarë braktisim,
kthehet një ditë me furtunë.
Duke menduar që ky qe një fat i zi
bashkëjetojmë pa e ditur me pahir
me copat e shkulura nga vetja.

Burimi/Facebook