Artur Gorishti: Në Kanada punova në ndërtim dhe piceri, për të arritur këtu ku jam sot…

0
170

Filmi “Bota” riktheu pas tetë vitesh në Shqipëri aktorin Artur Gorishti, i cili jeton në Montreal, Kanada. Në filmin “Bota” regjisorja Iris Elazi i ka besuar personazhin e Benit, një rol që siç pohon dhe vetë aktori përjeton dramën e tij. Edhe pse ka shumë vite që është larguar nga Shqipëria, në kujtesën e publikut kanë mbetur filmat dhe rolet, ku aktori është protagonist, duke u cilësuar si një nga aktorët më të talentuar shqiptarë, i cili sot ka ndërtuar një karrierë kinematografike edhe larg Shqipërisë. Ndërsa tregon jetën e tij, aktori flet dhe për divorcin e tij, dhe duke e cilësuar veten “ të lirë”, tregon se sot ka ndërtuar një karrierë që i ka falur jo pak jetës së tij. Shprehet se filmi është kryevepër, por është piktura ajo që e çlodh. Artur Gorishti numëron disa role që i kanë falur shumë vlerësime. Përmendim këtu interpretimet e tij në filmat “Slogans” (“Parullat”), i cili ka fituar çmimin e rinisë në “Kanë” dhe në filmin “Gjoleka, djali i Abazit”. Disa nga filmat e tjerë ku ka interpretuar aktori i njohur janë edhe “Letra fatale”, “Yllka” 2005, “Tirana, viti zero” – (2001) si Tare, skulptori, “Unë ti dhe Kasandra” – (1999) (TV), “Vitet e pritjes” – (1990), Leko, “Eja!” – (1987), “Në emër të lirisë” – (1987), “Kronikë e atyre netëve” – (1986) (TV), “Dora e ngrohtë” – (1983), etj.

-Filmi “Bota” ju riktheu pas disa vitesh në Shqipëri. Por si u bë i mundur rikthimi juaj, si erdhi bashkëpunimi me regjisoren Iris Elezi?
Para dy vitesh në Montreal ku dhe jetoj, shikoj një e-mail të shkruar me emrin Iris Elezi mbi filmin “Bota”. Më shkruante mbi këtë projekt dhe dëshironte që unë të kisha një nga rolet kryesore të filmit. I ktheva përgjigje për po, dhe i thashë që të lexojmë dhe skenarin. Ajo ma solli skenarin pas dy ditësh. Kisha shumë kuriozitet, dëshira nuk më mungonte të vija të punoja në Shqipëri. Sapo e mora e-malin me skenarin fillova ta lexoj. Por me Irisin unë për herë të parë jam takuar në 2002 pas filmit “Parullat”. Ajo kishte parë filmin dhe e kishte pëlqyer. Erdhi në galerinë time që kam pasur në Bllok dhe shprehur simpatinë për filmin dhe rolin.

-Personazhi juaj është Beni. Si vjen ai në filmin “Bota”?
Është një skenar shumë i mirë dhe ngjarja ndodh brenda 7 ditëve. Personazhet janë shkruar me finesë dhe realistë. Është një film që të jepte dorë, por jo i lehtë. Ky skenar është i ndërtuar mbi disa shpirtra, mbi disa njerëz që kërkojnë të mbahen, por jeta i përplas siç do ajo. Personazhet kryesorë në filmit, Beni dhe e dashura e tij, por dhe kushërira që ndjek lokalin, janë në këtë vorbull, në këtë përpjekje për të dalë dhe për të krijuar një jetën tonën, që faktikisht është e thyer, nuk ecën drejtë, nuk shkon mirë asgjë. Beni ndoshta ka qenë në emigracion, ka ardhur që andej, por Beni është një njeri që kërkon me sa mundet të japë kontribut dhe të ndihmojë këdo, me aq sa ka mundësi. Është zemërmirë, por ndonjëherë kur njeriu përpiqet me të gjitha gjërat të jetë në rregull, ato mund të ndërthuren aq keq sa nuk kanë mundësi të ecin si duhet, dhe në fund atij i ndodh drama. Shkëputet dhe i ikën nga dora çdo gjë. Ai kërkon me çdo mënyrë ti bëjë gjërat, qoftë dhe jo pastër, vetëm të eci shpejt dhe të zhvillohet. Të tre personazhet kanë botën e tyre, janë inteligjentë dhe të hapur për tu zhvilluar, por nuk munden.

-Kur pritet të jetë premiera?
Me aq sa jam në dijeni tani po bëhet montazhi, dhe ndoshta nga pranvera e viti tjetër mund të përfundojë i gjithë ky proces, por se di kur mund të jetë premiera.

-Si ishte këtë herë bashkëpunimi mes jush dhe stafit të filmit “Bota”?
Gjithçka shkoi shumë mirë. Ishin të gjithë shumë të mirë, madje edhe elektricistët. Ishin dhe dy aktore të talentuara, Flonja Kodheli dhe Fjoralba Kryemadhi. Një përshëndetje dhe stafin nga Kosova. Këta janë Valmira, Borana, Nora dhe Urani dhe ishin të shkëlqyer, por dhe pjesa jonë nga Shqipëria ishin shumë të mirë. Italianët ishin të mirë, po ashtu dhe dy serbë që kishin ardhur për zërin. Çdo gjë ishte shumë profesionale, dhe maja e të gjithëve ishte Iris Elezi dhe Tomas Logoreci. Janë dy njerëz që më kanë lënë një mbresë të thellë. I falënderoj dhe kam një respekt të madh për të dy.

-Jeni një aktor që keni pasur role kryesore në filmat më të vlerësuar të kinemasë shqiptare. Publiku ju ka vlerësuar, por prej tetë vitesh i keni munguar kinemasë shqiptare. Pse?
Unë i kam munguar kinemasë shqiptare dhe kur kam qenë në Shqipëri. Një film nga një tjetër nuk bëhej kaq shpesh pas viteve ’90. Në mos gaboj “Gjoleka, djali i Abazit” u bë pas 8 vitesh pas “Parullave”, por e rëndësishme për mua është që të bëj role atëherë kur duhet.

-Meqë po flasim për kinemanë shqiptare, Artur Gorishti çfarë quan momentin më të bukur të kësaj karriere?
Kjo është si ajo dashuria e parë. Ndoshta ka mbetur filmi “Dora e ngrohtë”, një film që ka lënë gjurmë të thellë. Siç më thoshte Sandër Prosi: “Artur ti po vë një tullë në murin, që po ngre dalëngadalë”. “Dora e ngrohtë” nuk mund të them filmi më i mirë apo më i keq, por ka qenë filmi që lënë mbresë të thellë.

-Që në fillimet tuaja keni spikatur në kinematografinë shqiptare. Sa ka qenë e vështirë kjo karrierë për ju, i vlerësuar nga publiku dhe nga regjisorët?
Është çudi me punën e karrierës. Ajo u krijoka vetë, dhe ti mban distancë nga karriera. E vetmja gjë që më bën përshtypje kur mendoj karrierën, them, ja të kthehem pas në momentin kur do të filloja, dhe as kisha dëshirë të isha dikushi, por vitet kalojnë dhe karriera ngrihet pak nga pak. Është e papërcaktuar, karriera vjen vetë pa bërë plane. Jo se nuk jam aktiv për të bërë një gjë, por që të interesohem për të bërë një film, të marr në telefon, etj, nuk e bëj. Unë do të vijoj punën time si aktor.

Ad by Valueimpression
-Çfarë mendoni për kinematografinë shqiptare, para ndërrimit të sistemeve dhe sot prodhimtaria kinematografike?
Unë nuk e diskutoj që tani filmat shqiptarë janë më të mirë se sa dikur, por kjo s’do të thotë që aktorët dhe regjisorët të asaj kohe nuk kanë qenë më të aftë se këta. Ata janë pedagogët tanë, por e tillë ishte koha. Nganjëherë dhe më kanë keqkuptuar, që fatkeqësisht disa nga ata filma janë jashtë kohës, janë të ngadaltë, por kjo nuk do të thotë që ne nuk do ti shohim sot, por ka dhe filma të tjerë të mirë.

-Jeni larguar për në Montreal, Kanada, në vitin 2005. Si erdhi ky vendim?
Pasi mbarova filmin “Gjoleka djali i Abazit” valixhet ishin gati. Një javë pasi mbaruam dhe xhirimet u bëmë gati për të ikur. Kjo ishte bërë plan, dhe unë nuk mund të vazhdoja më të bëja art dhe të mos kisha mundësi të dilja në piacat e duhura të elitës shqiptare në kuptimin ekonomik. Veç kësaj edhe gjendja familjare duhej rregulluar, që të kishte kuptim dhe për fëmijët e mi. Unë në Shqipëri nuk mund t’ia dilja, por dhe artin nuk doja ta lija, dhe sakrifica ishte larg Shqipërisë.

-Si ishin muajt e parë për ju në Montreal?
Muajt e parë ishin për të rregulluar gjendjen, dhe kur shkova në Montreal atje fitova dhe “lirinë” time (qesh). Më pas problemi ishte që të njihesha. Unë e njoh se si është të ikësh nga vendi yt, dhe unë isha i rrahur me këtë. Unë duhej ti hyja punës, nga baza. Dhe fillova të bëj çdo gjë, çdo lloj pune, edhe në piceri, kuzhinë, ndërtim, etj, kjo nuk më prishte punë, përkundrazi ndjehesha më i fortë. Pas 2-3 vitesh, unë po i njihja vendet ku ishin. Në Montreal ka shumë studio të Hollivudit, që ishin afër shtëpisë ku unë banoja, por unë nuk e dija. Gradualisht filloi balanca të shkonte nga punët e mia. Periudha në të cilën unë bëra tre vjet punë të ndryshme, kam bërë koleksionin më të mirë të pikturave. Isha i lumtur, me ato pak lekë që merrja kthehesha në shtëpi dhe kjo më çlodhte. Në këtë periudhë unë fillova të merrem tamam me pikturë profesionale. Më pas kërkova dhe se ku ishin agjentët e filmit, ku takova agjentet më të mira për filmin. Puna ime ishte më pas celulari, që më kërkonin për role të vogla, për figurant, dhe këto ishin lekë. Më pas u la dhe kjo punë dhe fillova të bëja role të dyta në filmat në frëngjisht dhe anglisht. Ka 5 vjet dhe unë jetoj vetëm me punët e artit, pikturë dhe filma. Kjo ishte ëndërr dhe unë e arrita. Unë nuk kam më njeri mbi kokë prej 5 vitesh dhe kështu do të vijojë. Nuk kam pushime, o film, o pikturë.

-Pas filmit “Bota” a do të jetë një tjetër projekt me filmin shqiptar, po në Montreal?
Në muajin janar në Montreal kam një tjetër projekt. Kam fituar një audiencë për një tv shoë, që është me humor dhe do të kem një rol. Sa i takon Shqipërisë, prandaj po rri dy muaj, sepse unë kam pesë shkrime, pesë histori. Këto histori që unë kam shkruar, disa nga miqtë e mi i kanë pëlqyer, dhe mendojmë mos kthejmë ndonjë skenar filmi. Ky është një projekt, që është shpejt për të folur.

-Pikturën ju e vlerësoni, publiku do të ketë mundësi të njihet me krijimtarinë tuaj gjatë kësaj kohe?
Dua të hap tani një ekspozitë pikture, sepse kam marrë disa piktura nga Montreali. Mendoj se mund të çel një ekspozitë ose në galerinë e Akademisë së Arteve, apo diku tjetër. Pas filmit ndjehem i lodhur, dhe piktura të sjell sërish atë që ti ke lënë në film.

Ad by Valueimpression
-Si artisti, ku ndjehesh më mirë, në film apo pikturë?
Filmi është kryevepër, jeta ime është filmi, por ashtu siç shkojnë në kishë njerëzit të rigjenerohen dhe marrin veten, për mua është piktura.

-Si po kalojnë ditët në Tiranë?
Shumë mirë. Së bashku me nënën time dalim, bisedojmë për probleme të ndryshme. Kam takuar shumë njerëz, shumë artistë, dhe unë nuk e dija që më respektonin dhe më donin kaq shumë. Jam pak i surprizuar. Intervistoi: Julia Vrapi

Burimi/sot.com.al/