Bardhyl Mahmuti – Me dhanë jetën për një bindje është veprimi më radikal i mundshëm për me dëshmu vlerën e besimit tënd-Jeta Zhitia

0
149

Fjala e shkrimtares së re Jeta Zhitia në akademinë përkujtimore me rastin e 30 vjetorit të rënies së Afrimit dhe Fahriut:

“Zonja dhe zotërinj, në emër të familjes Zhitia, falënderoj organizatorët e kësaj akademie. Dhe falënderoj gjithë juve që keni tregu kujdes gjatë këtyre 30 viteve…
Burrat s’qahen, thuhet n’Shqip.
Por është shumë më e komplikume se kaq. Ata burra dhe ato gra kanë qenë djem e vajza, vëllezër dhe motra.
Për mu që nuk e kom njoft, Afrim Zhitia gjithmonë ka qenë vëllai i Mamit ose edhe Axhi për Dritëron dhe Flamurin, dy njerëz të dashur, të cilët Mamit i thojnë hallë.
Një mengjes veror të vitit t’kalum e ndjeva për herë të parë që Afrim Zhitia nuk ka qenë vetëm vëllai i mamit dhe me këtë vëllai i Dajës Sylë dhe Dajës Naim ose edhe djali i Babushit – se Babushi ma tregon këtu e aty një fjalë të Afrimit – ndjeva që ka qenë dhe djali i Nonës Qamë.
Atë mëngjes shkova n’kuzhine dhe Nona Qamë ishte t‘u pjek speca. Rrinte heshtur dhe nuk i hjeke sytë prej pllake.
-Mirëmengjes, Nona Qamë, – i thashë.
-Mirë, çfarë miri! Mu pergjigj me një za nervoz, po nga ato nervozat që mundohen me fsheh dhimbje.
Pas këmbënguljes time për fjalë të qeta mes nesh, ende me kurrizin prej meje, tuj rrutullu specat më tha me një za të përlotun:
-Mos u kanë për kurgjo që ka vdek Afrimi? Tash po naj merr djemtë Specialja.
Mrena meje diçka u thy.
Iu afrova edhe ia preka kurrizin me një dorë.
Çka i thuhet një Nane n’këtë rast – i cili nuk është i vetmi n’këtë Kosovë – çka i thuhet kur mirë e din që asgjë n’këtë jetë, asnjë fjalë nuk do ia lehtësoj dhimbjen, kurrë.
E unë në atë çast vetëm fjalë kisha. Fjalë edhe një bindje.
-Nuk i ka shku poshtë vdekja Afrimit, jo. Jon tu luftu, oj Nona Qamë. Jon tu luftu dhe tu punu përditë.
Sikur mblodhi vetën, se u kthy ka unë dhe prapë me atë zanin nervoz, m’tha:
-Duhet me ia dit kimetin jetës!
Unë, tu mos e dit një fjalë këtu a aty, e pyta:
-Po, mire oj Nona Qamë, po kimeti çka osht?
Poget këtë llojë pyetje nuk e priti, se u qetësoj dhe keshi. Kapi specin ma t’vogël n’pllakë, dhe e qoj n’ajër që dy ftyrat tona e kishin n’mes dhe m’shihte n’sy. Speci ishte i vogël sa një pëllëmbë e dorës.
-A pe sheh sa i vogel? Këtij duhet me ia dit kimetin. Duhesh me kanë falenderues për çdo gjë n’jetë. Jetës duhet me ja dit kimetin. Qaq.
Për këtë jetë, të cilës duhet me ia ditë kimetin, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu dhe tepër shumë dëshmorë tjerë kanë dhanë të vetën.
Liria e atdheut dhe e dheut mëmë, kjo është e drejta e individit për një jetë n’liri.
Me dhanë jetën për një bindje është veprimi më radikal i mundshëm për me deshmu vlerën e besimit tënd. Në rastin e deshmorëve tanë besimi i tyre ishte ky që çdo njëri prej nesh këtu dhe në të gjithë Kosovën meriton një jetë sovrane, një jetë dinjitoze, një jetë veprimtare.
Me të njëjtin radikalitet ne sot duhet t’luftojmë për lirinë. Se lufta për të nuk ka mbaru.
Hannah Arendt e ka thanë saktë: “Liria nuk është çlirimi prej emergjencës, mjerimit ose frikës. Liria e vërtet vjen më pas. Liria është mundësia me vepru lirshëm”.
Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu kanë ditë që kanë pas të drejtë me kërku ma shume nga jeta se çka u kanë e mundshme në kohën e tyre, me kërku jo më pak se çka e kanë ditë që kishin meritu.
Kanë pas mjaft besim në vete që kanë guxu me luftu për një popull të tërë, për neve.
A kemi ne sot të njejtin vetëbesim sa me kërku më shumë nga bashkqytetarët që kanë marrë sipër detyrën e qeverisjes? Dhe ata me kërku më shume nga popujt fqinj?
A kemi mjaft vetëbesim sa me kërku më shume nga vetja? Më shume nga njëri-tjetri? Me guxu me kërku atë që meritojmë?
Duhet. Se nuk ka qenë për kurrgjo që është vra Afrimi. Nuk ka qenë për kurgjo që është vra Fahriu.
Duhet të marrim guximin me këmbëngul në kërkesën tonë për më mirë.
Çdo akt jete është një akt lufte për lirinë.
Çdo ditë duhet t‘i perkujtojmë deshmorët nëpërmes veprimeve tona.
Çdo herë që lëvizim mrena sistemit demokratik për të cilin ata kanë luftu, ne duhet të qëndrojmë të vetëdijshem për pergjigjësinë tonë si qytetar të këtij vendi dhe anëtarë të këtij populli.
Jo i gjithë populli atëherë e ka pa të domosdoshme luftën çlirimtare. Kanë qenë disa, dhe disa nga ata sot nuk janë më.
Po ne sot që jemi duhet të ruajmë me sy shqiponjësh lirinë e çdo njërit prej nesh,
Rëndësia e të cilës është dëshmu me gjak nga tepër shumë anëtarë të popullit tanë.
Nuk ka kompromise kur është n’pyetje jeta e njeriut.
Nuk ka kompromise kur janë n’pyetje drejtat e individit.
Nuk ka kompromise kur është n’pyetje liria e popullit shqiptar.
Këtë kanë deshmu Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, këtë kanë deshmu tepër shumë tjerë.
Këtë e përkujtojmë sot, për këtë duhet të jemi të vetëdijshem çdo ditë.
Faleminderit.”

(Fjalim i mbajtur para pandemisë)

Nga Bardhyl Mahmuti

Burimi/Facebook