Basha nuk njeh vendimet e Kuvendit: S’kanë lidhje me PD, manifestim personal i Berishës kundër SHBA

0
80

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi mbrëmjen e kësaj të shtune pas mbledhjes së Kryesisë, se Kuvendi i zhvilluar ditën e sotme ishte manifestim personal i Sali Berishës kundër SHBA. Basha tha se asnjë deklarim i dalë nga tubimi i sotëm nuk ka lidhje me PD dhe institucionet e zgjedhura prej saj.

“Sot duhet të ishte një ditë feste për PD, por kjo ditëlindje është një ditëlindje e thyer. Sot nuk është një ditë e mirë as për PD, as për demokracinë shqiptare. 31 vjet pas themelimit të PD u bëmë dëshmitarë të një manifestimi personal të Sali Berishës kundër SHBA-së. I bëjmë të ditur çdo demokrate dhe demokrati që sot është shqetësuar nga një shfaqje e shëmtuar antiamerikane e Sali Berishës se kjo ishte përpjekja e fundit e dëshpëruar dhe e turpshme e tij për të marrë peng PD-në dhe për ta kthyer atë në një bunker për interesat e veta personale. Asnjë deklarim i dalë nga ky tubim nuk ka asnjë lidhje me PD-në dhe institucionet e zgjedhura të PD-së”, tha Basha.

Lulzim Basha njoftoi se të dielën në orën 15:00 do të zhvillohet mbledhja e Këshillit Kombëtar, ku do të propozohet shkarkimi i kryetarit të saj, Edi Paloka, shkarkimi i disa anëtarëve të Kryesisë dhe miratimi i një rezolute pas situatës së krijuar në PD. Po ashtu, Basha bëri me dije se janë shkarkuar disa kryetarë degësh dhe se do të mbajnë përgjegjësi ligjore dhe penale ata që kanë falsifikuar dhe shpërdoruar simbolet e PD.

“Në përgjigje të falsifikimeve, shpërdorimit të funksioneve, simboleve dhe në kundërshtim me urdhrat dhe vendimet zyrtare të organeve të partisë, Kryesia e PD ka vendosur thirrjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtar nesër e dielë, 12 Dhjetor ora 15:00 me këtë rend dite. 1 Diskutimi dhe miratimi i një rezolute lidhur me situatën e jashtëzakonshme të krijuar nga veprimtaria antistatutore që dëmton rëndë interesat politike dhe elektorale të PD. 2. Miratimi i propozimit të kryesisë për shkarkimin e kryetarit të Këshillit Kombëtar dhe disa anëtarëve të Kryesisë për shkelje të rënda të statutit të PD dhe vendimit të kryesisë së datës 15 Nëntor. Kryesia vendosi shkarkimin e disa kryetarëve të degëve. Kryesia ngarkoi sekretariatin ekzekutiv për të vënë para përgjegjësisë ligjore dhe penale të gjithë personat përgjegjës për falsifikimin dhe shpërdorimin e simboleve të PD. Nesër me atributet e mia si kryetar do t’i njoftoj Këshillit Kombëtar të PD edhe vendimet e mia sa i takon disa funksioneve të tjera të shpërdoruara në këtë proces”, tha Basha.

Pas mbledhjes së Kryesisë, Basha tha se Kuvendi Kombëtar i PD do të mbahet më 18 Dhjetor, ku sipas tij demokratët do lenë pas pjesët e hidhura të së shkuarës dhe mbeturinat e komunizmit.

“Siguroj të gjithë demokratët që institucionet e PD duke nisur nga Këshilli, Kryesia, Kryetari vazhdojnë të jenë në krye të detyrës në përmbushje të statutit. Demokratët do të mblidhen në Kuvendin Kombëtar të thirrur nga kryesia e partisë më 18 Dhjetor, ku do diskutojnë gjëra të rëndësishme për të ardhmen e tyre jo për hallin personal të Berishës. Në 18 Dhjetor PD, demokratët shqiptarë do lenë pas pjesët e hidhura të së shkuarës bashkë me mbeturinat e komunizmit dhe të korrupsionit, drejt ndryshimit që meriton çdo demokrat dhe çdo shqiptar”.

Në stadiumin “Air Albania” u zhvillua këtë të shtunë Kuvendi i PD-së i iniciuar nga Sali Berisha. Ishin të shumta vendimet që u morën nga delegatët që morën pjesë, që nga ndryshimet statutore e deri tek shkarkimi i Lulzim Bashës. Për këtë të fundit u krye votim i fshehtë ku 4446 delegatë votuan pro shkarkimit të Bashës për thyerje të rënda të statutit të PD për marrje të kompetencave.

Po ashtu, ata miratuan shkarkimin e nënkryetarëve të PD-së, Sekretarit të Përgjithshëm dhe Kryesisë. Sipas mbështetësve të Kuvendit të 11 Dhjetorit nuk ka asnjë arsye për të kontestuar vendimet që u morën gjatë të shtunës pasi Kuvendi është organi suprem i partisë dhe të gjithë i binden vendimeve të tij. Ndër të tjera, në Kuvend u vendos edhe për krijimin e një Komisioni të Përkohshëm Rithemelimi që do të marrë në drejtim partinë deri më 22 Mars.

Burimi/tvklan.al