Bislim Ahmetaj – Ku ta festojmë ditëlindjen tënde Azem !?!

0
22

Azem Hajdarin po të mos e kishin ndaluar plumbat e policisë së pushtetit, Ai, Azemi ynë sot do të festonte 59-vjetorin e lindjes me familjarët dhe miqtë e tij, me bashkëpunëtorët dhe pa asnjë medyshje edhe me kundërshtarët e tij politikë që do të klasifikoheshin prej tij tek miqtë dhe bashkëpunëtorët.
Sepse i tillë ishte Azemi për ata që e njohën nga afër, për ata me të cilët punoj e bashkëpunoj në ato pak vite të angazhimit të tij politik, për ata që e njohën qysh në fëmijërinë e tij dhe deri sa u nda nga jeta e përkohëshme në tokë për t’ju bashkuar atyre që nuk harrohen kurrë.
Unë i përkas atij grupi që e njoh Azemin si njëri të familjes, si një djalosh që s’dinte të ndalej, si njëri të angazhuar, si lider, si Atdhetar, si politikanë, si bashkëpunëtorë, si njëri të pazakonshëm, si hero. Që vetëm plumbat e një ideologjie patologjike që s’ngopet me armiq dhe gjak mund ta ndalnin. Fatkeqësisht kjo ideologji e zezë që solli vetëm errësirë sepse në themel të dhunës dhe pushtetit vuni gjakun e njerëzve më të shquar të Kombit shqiptarë, ja doli ta heshtë zërin e atij që sot do të ishte 59 vjeç, zërin dhe frymën e atij që mundi ti mundë, mundi ti nënshtrojë “baballarët” e tyre gjakatar. Ata nuk ja falën, ata e vranë, ata e pushkatuan në derë të partisë që e kishte themeluar në Dhjetor të 90-s , mu në qëndër të Tiranës, bash në zemër të Atdheut.
Po dilema ime në këtë 59 vjetor të ditë-lindjes së tij është sa njerëzore, aq edhe absurde: Ku ta festojmë ditëlindjen tënde Azem?
Vendi ku ngrihej Memoriali që ngritën qytetarët e Tiranës ku ti mbete i përjetshëm është denatyruar dhe ndryshuar aq sa nuk kujton asgjë nga kujtimi yt dhe i Besimit, kështu që ne miqtë dhe bashkëpunëtorët e tu të Dhjetorit 90 dhe ata të viteve tua politike do të dukeshim si kukulla kineze në atë shesh ku lulëzon biznesi I njerëzve të drogës, krimit dhe politikës.
Aty ku ishte Selia e PD-së dhe zyra juaj kanë mbetur veçse disa gjurme turpi,aty tani janë zyrat e dhuruara nga kundërshtarët (tuaj-tanët) politikë një partie mushkë që lindi egoizmi dhe rivaliteti brenda forcës politike që ti themelove në 90-tën.
Te Selia e re ku është strehuar partia që ti themelove përveç “rojeve” dhe njerëzve që frekuetojnë kafen e cila është pronë e një trashëgimtari të Toptanvë, siç ishte edhe kafja para selisë se vjetër ku ti pive kafen e fundit të jetës tënde në të gjallë, natën e 12 shtatorit të 98-s s’të njeh askush. Ka prej atyre që mendojnë që ti, AZEM HAJDARI je prodhim marketing, pra je thjeshtë një legjendë e cila mund të përdoret për të sjellë një grushtë vota që për hirë të së vertetës janë ba si uji i paktë.
Selia e re e partisë tënde-tonë është shndërruar më bunker njëlloj si shpia e kryeministrit në Surrel.
Do më shkonte mendja që 55-vjetorin tënd si themelues I pluralizmit politik ta festonim në Parlamentin e Shqipërisë por më vjen marre ta pranoj që parlamenti i sotshëm, por edhe ai i kaluari më shumë i ngjajnë një ferme qensh se një kuvendi ku zgjidhen hallet dhe problemet e bashkëvendasve tanë.
Me vjen keq dhe jam i trishtuar se nuk e di ku mund ta festojmë 59 vjetorin tënd o Azem Hajdari , veç po i lutem Dervish Luzhës që ti e besove dhe e madhështove në të gjallë, por edhe të madhit Zot që ishte i vetmi që ti ju përule që shpirti yt të gjej paqe në parajsë, festoje këtë 59 vjetor me shpirtrat e lirë që ke afër, na i le ne hallet e tokës.
Unë po e ngrej me fund një gotë verë për shpirtin tënd të lirë.
Tiranë me 11 Mars 2022

Burimi/Facebook