Blendi Fevziu – Masakra e Raçakut

0
65

Madalen Ollbrajt u zgjua pak më vonë se ditët e tjera, atë të shtunë të 16 janarit 1999. Mbledhja e një nate më parë për Kosovën zgjati më shumë sesa duhej dhe ajo ishte me pak orë gjumë. Ende nuk kishte aguar dhe pa lëvizur nga shtrati ndezi radion të dëgjonte lajmet. Ajo që mësoi ishte shokuese:
“E shtrirë në shtrat në gjysmëerrësirën e dimrit, dëgjova folësin që po kumtonte për një masakër që kishte ndodhur pesë mijë milje larg. Hollësitë nuk vonuan të mbërrinin. “Aty ka shumë trupa të pajetë, – u deklaronte ambasadori Ualker gazetarëve, – njerëz që janë qëlluar në mënyra të ndryshme, por shumica e tyre janë vrarë nga fare afër.”
Ollbajt ngriu. Kosova kishte shpërthyer më herët sesa e prisnin dhe mbledhja e një dite më parë, tashmë vlente vetëm për dokumentacion. Strategjia 13 faqëshe kishte rënë. Ajo që kishte ndodhur ishte e tmerrshme dhe do të rrëmbente shumë shpejt kryelajmin e mediave botërore.
Natën midis 14 dhe 15 janarit, një njësi speciale policore serbe e drejtuar nga major Goran Radosavjeviç, komandanti i tyre, doli nga një kazermë në periferi të Prishtinës. Siç ka dëshmuar ky vetë, në një intervistë për BBC-në në vitin 2001:
“Morëm njoftimin që një familje kishte vrarë 3 policë në Raçak. U nisëm në 2 të natës t’i ndëshkonim. Ishte shumë ftohtë dhe errësirë. Kishim siklet nga qentë, por nga i ftohti edhe ata ishin brenda. Ecnim nëpër drurë në këmbë. Kishte shumë dëborë, por arritëm.”
Pak orë më pas, duke gdhirë data 15 janar 1999, në fshatin e Raçakut, një lokalitet që fare pak njerëz e dinin se ku binte në Kosovë, u gjetën trupat e pajetë të dyzetepesë shqiptarëve. Ndër ta edhe një grua. Njërit prej trupave i ishte prerë koka. Ata qenë hedhur buzë një grope që njihej me emrin “Gropa e bebushit”. Ishin thuajse gjithë meshkujt që kishin ngelur në fshat. Gratë dhe fëmijet kishin dalë t’i kërkonin, pa e ditur, se asnjë prej tyre nuk jetonte më. Sipas shtypit, dy të mbijetuar, Ramë Nesret Shabani dhe Sadie Ramadani, e kujtojnë kështu atë ditë:
“Rreth orës 8:30, jemi tubuar në bodrum të shtëpisë së Sadik Osmanit, për t´u mbrojtur nga granatimet. Aty kanë qenë rreth 30 gra me fëmijë, disa burra dhe disa djemë të rinj. Ndërsa burrat e tjerë, rreth 30 veta, kanë qenë të vendosur në ahurin e lopëve të Sadik Osmanit. Fillimisht policia serbe i ka nxjerrë jashtë nga ahuri burrat dhe mandej ka ardhur një polic i maskuar dhe ka hapur derën e bodrumit, ka këqyrur brenda dhe ka dalë jashtë. Ndërkohë, ka ardhur komandanti i policisë së Shtimjes dhe e ka pyetur policin e maskuar:“Çka ka këtu brenda?“.Polici i përgjigjet:“Gra dhe fëmijë“. Komandanti ia kthen: “Pse po gënjen? Këtu paska edhe burra“. Na kanë nxjerrë në oborr dhe na i kanë marrë letërnjoftimet…, ndërsa gratë dhe fëmijtë i kanë mbyllur me dry (çelës) në bodrum.”
Burrat dhe djemtë i rrahën gjatë, dhe më pas i dërguan jashtë fshatit, ku i vranë pa asnjë paralajmërim. Vetëm 2 vetë arritën të iknin në mes të kasaphanës. Gazetarët mbërritën të parët, por menjëherë pas tyre, mbërriti vetë Uilliam Uolker, kreu i Misionit Vëzhgues të OSBE – së. Siç shprehet Ollbrajt në kujtimet e saj:
“Ai kishte parë trupat me sytë e tij, shumë prej të cilëve ishin të shpërndarë në një shpat mali e të mbuluar me borë. Të tjerët të hedhur njëri mbi tjetrin, secili prej tyre me plagë të llahtarshme, të gjithë të veshur civilë, njëri me kokë të prerë. I pyetur se kush ishte përgjegjës për atë masakër, Ualkeri nuk ngurroi të përgjigjej: “Policia serbe!”.”
Në fakt Uolkeri nuk dyshoi asnjë sekondë. Ai kishte shërbyer në Amerikën Qendrore dhe e kuptoi menjëherë nga duart e burrave të masakruar se asnjëri prej tyre nuk ishte luftëtar. Ishin thjesht bujq. Uolker doli përpara gazetarëve ku deklaroi:
“Pasi mbërrita në Raçak, banorët e tij më çuan në vendin, ku me tmerr të madh pashë kufomat e 20 njerëzve, të cilat kishin mbetur atje ku ishin ekzekutuar. Megjithëse unë pashë vetëm 20 kufoma, kryesisht pleqsh, të vrarë nga afër me të shtëna në ballë, në zverk ose në kokë – vëzhgues të tjerë kanë gjetur kufoma të tjera. Edhe pse nuk jam jurist – ajo që pashë më bën ta përcaktoj pa ngurrim këtë rast si masakër, si krim kundër njerëzimit .”
Deklarata e Uolkerit e transmetuar në gjithë mediat botërore dhe reportazhi i BBC-së që bëri investigimin e parë në kohë reale, hodhën poshtë deklaratën e Beogradit se në Raçak ishin vrarë luftëtarë të UÇK – së. Beogradi u mundua të mbrohej duke deklaruar se ata ishin terroristë, por ishte vonë. Në librin e tij “UÇK”, autori britanik, Xhejms Petifer, e përshkruan më qartë situatën:
“Oficeri komandues antiterror i MUP-it, Goran Radosaljeviç, dhe policia bënë një gabim trashanik strategjik, duke lënë një hendek në periferi të Reçakut plot me trupa të vdekurish. Ata lanë pas prova të pakundërshtueshme.
Kreu i MVIK-së, Uilliam Ualker mbërriti me të vërtetë shumë shpejt atje dhe e shpalli ngjarjen një mizori. Ajo u trajtua gjerësisht në shtypin ndërkombëtar si e tillë. Në klimën e kohës, kjo kërkoi kurajo të vërtetë nga ana e Ualker-it, diçka për të cilën ai ka meritë të madhe. Në konferencën për shtyp të 16 janarit, të nesërmen, ai u shpreh se “si një joekspert i fushës, mua (këto vrasje) më duken si ekzekutime”. Pikëpamjet e tij u mbështetën nga gazetari i BBC-së, Jackie Rouland, i cili vërejti se të vrarët “ishin të gjithë njerëz të zakonshëm; fermerë, punëtorë, fshatarë. Të gjithë ishin qëlluar në kokë”.
Në tension e sipër Millosheviçi nuk lejoi një grup investigatorësh të Gjykatës së Hagës, të kryesuar nga Prokurorja Arbor, të vinin dhe të hetonin për rastin në fjalë. Arbor u ndalua në kufirin Maqedoni – Jugosllavi, në Hanin e Elezit. Në vend të tyre u zgjodh një grup mjekësh finlandezë, që edhe ata u penguan shumë në punën e tyre. Helena Ranta, udhëheqësja shkencore e grupit arriti ta paraqiste raportin e saj shumë më vonë, më 17 mars 1998. Tani ai kishte vetëm vlerë statistikore. Por ajo i dha të drejtë Uolkerit, që ishte shpallur “Persona non grata” në Jugosllavi. Edhe pse ky vendim ishte ngrirë sërish nga Beogradi, 48 orë më pas. Raporti i Rantas thoshte:
“…Shumica e viktimave kishin të veshura xhaketa të rënda dhe bluza. Në xhepa nuk u gjetën municione. Veshjet nuk kishin asnjë shenjë dalluese të ndonjë njësie ushtarake. Nuk kishte shenja për shkuljen e shenjave të tilla. Në bazë të të dhënave të autopsisë (p.sh. vrimat e plumbave, gjaku i mpiksur) dhe fotografive të skenave, nuk ka gjasa që veshjet të jenë ndërruar ose hequr. Ndërmjet viktimave, të cilave u ishte bërë autopsia, kishte disa pleq dhe një grua. Shenjat të tregonin që këta njerëz ishin civilë të paarmatosur.”
Ngjarja u konfirmua edhe në një mënyrë tjetër zyrtare. “Uashinton Post”, publikoi në fillim të shkurtit përgjimet e telefonatave të Shainoviçit, zv.kryeministrit serb, që siç kujton Kris Hill nga takimi me të në Rambuje:
“Ai u kthye në burrë të rrënuar. Dy javë më parë, përgjimet në telefonatat e tij, transmetuar deri në “Uashington Post”, dukej se e përfshinin atë, në urdhrin e forcave të sigurisë, për masakrën e Reçakut. Shainoviçi e dinte kuptimin e përgjimeve të bëra publike. Herët a vonë, ai do të arrestohej për krime lufte. (U arrestua në 2 maj 2003 dhe në vazhdim, u akuzua fajtor në 2008).”
Masakra e Reçakut ndërroi rrënjësisht politikën ndaj Millosheviçit dhe Kosovës. Ajo konsiderohet pika e kthesës së diplomacisë ndërkombëtare. Ollbrajt kujton mëngjesin e herët të asaj dite kur mori lajmin:
“Pjesën më të madhe të asaj të shtune e kalova në shtëpi duke folur në telefon me gjysmën e botës. Deri në atë çast, kishim qenë të shqetësuar se gjendja në Kosovë do të shpërthente pasi të shkrinte bora e dimrit. Thirra Sandy Berger-in dhe i thashë e trishtuar: “Duket sikur këtë vit pranvera në Kosovë ka ardhur më herët!”
Sipas të dhënave të shtypit, Berger e kishte marrë këtë përgjigje, kur përgjumësh dhe krejt i hutuar, i kishte thënë Ollbrajtit:
“Po CIA ne na siguroi që nuk do të ketë një ofensivë serbe në Kosovë përpara pranverës!”
Kundërshtarët e Ollbrajt u stepën, ndërkohë që media botërore ishte e gjitha në një ofensivë kundër shefit të Beogradit. Imazhet e masakrave në Bosnjë po ktheheshin sërish. Klinton, telefonoi urgjent Boris Jelcinin. Tani duheshin ndërmarrë hapa konkrete dhe Rusia nuk duhej t’i pengonte më. Nëse do tentonte ta bënte këtë, SHBA-të dhe partnerët europianë do të lëviznin vetë përpara. Ollbrajt kujton se hapat u bënë më konkretë se kurrë:
“I kërkuam gjenaralit Uesley Clark, komandantit suprem të NATO-s dhe gjeneralit Klaus Naumann, kryetar i Komitetit Ushtarak të Aleancës, të shkonin në Beograd dhe të paralajmëronin Millosheviçin që të mos ndërmerrte shkelje të tjera të këtij lloji, të kërkonin që Gjykata për Krimet e Luftës të lejohej të hetonte ngjarjet e Reçakut dhe t’i kujtonin atij se kërcënimi i NATO-s për përdorimin e forcës vazhdonte të mbetej ende në fuqi.
Mblodha gjithashtu këshilltarët e mi më të lartë, duke u kërkuar një strategji që do të gërshetonte forcën dhe diplomacinë për të ndalur veprimet e Millosheviçit, në mënyrë që Kosova të mos kalonte nën guerilet e UÇK-së.”
Klark udhëtoi vërtet në Beograd, ku e kërcënoi hapur Millosheviçin për shkeljen e Marrëveshjes. Ai ia bëri të qartë se tani, ose do të kishte prani ushtarake ndërkombëtare në Kosovë, ose bombardime. Tentativës së Millosheviçit për t’i rezistuar Perëndimit i dha fund vizita e zv.ministrit të Jashtëm Rus, Advejev. Ky i fundit, i vuri mbi tavolinë presidentit serb një mesazh personal nga president rus Boris Jelcin. Sipas dokumenteve amerikane, Jelcin i komunikoi Millosheviçit, pamundësinë për ta mbrojtur pas Reçakut.
(Marre nga Libri “Lufta e Kosoves dhe Hashim Thaci”

Burimi/Facebook