BUZËQESHJA QË DO TË NA MUNGOJË

0
67

Lamtumira e parakohshme me aktorin e humorit, Anton Krosaj

Sot më 21 korrik 2020 është ndarë nga jeta në moshën 54-vjeçare, aktori i njohur Anton Krosaj. Bëhet e ditur se vuante prej disa kohësh nga një sëmundje e rëndë, luftën ndaj së cilës do ta kishte të pamundur ta fitonte.
Humori Shkodran, arti skenik i satirës dhe komikes ka humbur sot një emër që e përbushi vlerën dhe kontributin me pasion përkushtim. Por humbja më e madhe është për familjen dhe të afërmit, për miqtë dhe kolegët, për të gjithë ata që u pikoj në shpirt kjo ikje e parakohshme të Antonit, këtij njeriu të mirë dhe plot humor. Ai që sot do t’i mungojë edhe Shkodrës, Teatrit Migjeni ku dha një kontribut me vlera, krijoi tipe dhe karaktere, personazhe dhe profile, të cilët i jetësoi në role e pavdekshme.
Përpjekjet dhe përkushtimi i tij për të dhënë maksimumin e shpërblyen me shumë admirues, të cilët do ta kujtojnë përgjithmonë Anton Krosja nëpërmjet roleve të tij, nëpërmjet lojës origjinale autoriale. Ai do të mbetet në kolanën e veprimtarëve të humorit si një aktor me cilësi të spikatura. Emri dhe rolet që ai krijoi do të mbeten pjesë e galerisë së traditës së artit komuk shqiptar, do të jenë të gjalla edhe sot që shpirti i tij ka marrë rrugën për në amshim.
Jetëshkrim
Anton Krosaj u lind më 26 Janar 1966 në Shkodër. Ai nisi si aktor me Fabrikën e Duhan-Cigareve, po në qytetin e lindjes. Gjatë kësaj kohe mori pjesë në shumë shfaqje dhe luajti shumë role në Fabrikën Duhan-Cigare. Më pas nisi si aktor me Estradën Profesioniste Shkodër në 2003. Në vitin 1985 mbaroi Shkollën e Mesme Industriale.
Ai ka marrë pjesë në disa komedi të RTSH-së dhe disa nga to janë ‘Para nga qielli’, ‘Piruet’, ‘Pesha e gruas sime’, ‘Pavioni zero’, ‘Personazhe ne kurth’, etj. Në këto komedi ai mbahet mend në mendjen e publikut pë rolet e spikatura që ka pasur.
Disa nga komeditë e tjera të njohura në të cilat ka luajtur aktori me estradën profesioniste janë: O vajzën o komunën; Vëllai nga babai; Surpriza; Big Brother Shkodra 1; Martesë me Intenet; Big Brother Shkodra 2; Zef Deda Shoë 3; Lumturi në Fukarallek; Je Shkodran në qoftë se; Humor me shkolle te mesme etj; Ka vene në skenë 3 shfaqe për fëmijë; Gëzuar 2015; Gëzuar 2016; Pranverë për fëmijë, e të tjera.
Gazeta “Zani i Malsisë” përcjell familjes dhe të afërmve, kolegëve dhe miqve të Anton Krosajt, ngushëllimet më të sinqerta për këtë ndarje të parakohshme me të shtrenjtin e tyre. Ai nuk është më, por do të mbetet në kujtesën e gjithë admiruesve të humorit, i gjallë në rolet që la si testament i vlerave skenike.
“Zani i Malsisë”

Burimi/Facebook / Vasel Gilaj