Çun Dreli – Ata ishin vet Malësia

0
63

Po shkojmë thot Agroni, po i dredhohemi Bratilës e po dalim n’Qafë t’kishës. Ke ardhë sa herë t’ka qitë puna n’Tuz, por katundet e burrave të mëdhej, hala pa s’i ke.
E ke recitua “Lahutën…” e Gjergjit, por hala s’ke trupua Drumes për n’Bardhaj, të Kulla e Dedës. Sot të dy degëzimet e rrugëve do ti ecim, edhe n’Traboinë të krojet do t’shkojmë, edhe n’Bardhaj të Lulajt!
Dhe nisemi.
Nji shi imcak m’i lagë shpatullat deri sa hi e dal gërmadhave t’Kishës vjetër, aty ku ndahet rruga për Drume e Traboinë!
Kishë e vjetër e rrethueme me vorre hala ma t’vjetra, në t’djathtë të Bratilës, n’përpjetëzen e Malësisë!
Kërsh e gurë e çufrra, e kurkund prroje e kroje me shua etjen njeriu, as ato pak dele e ato pak lopë, që i pashë n’livadhin e Dedë Gjon Lulit, përfundi kullës!
Kusherini i Dedës që na e çeli kullën na tha: Kurrë ujë s’kanë pasë këto troje, e plagë sa t’duesh! Puçillat, (brrakat), si kjo e Dedës, (dhe na tregon me dorë për nji gropë me gurë) i kanë marua n’formë govate, për mu mbledhë shiu i rreptimtë e me mujtë gjaja me shua eçtimin.
S’pari e pyes për do rrasa n’murin e oborrit, n’formë shkallësh, (si dhamë t’rralluem, t’futun n’mur), që s’i kisha pa të kullat tjera. Këto çka janë i them?
Për me hipë n’oborr, por edhe me i hip kalit n’shpinë. Deda asht kjenë plak, e këtu të këto rrasa e ka avitë kalin, e prej këtyne rrasave iu ka gjujtë atit n’shpinë!
E mahnitshme!
Hera e parë që po ballafaqohesha me shkallë të tilla.
Shiu shpeshtohet, kurse unë afrohem të shtatorja e Dedës, aty n’derë t’kullës. Ai, ulun n’skemli, dredhë duhan, kurse unë ia ve dorën n’supe e t’vogël i them: a po t’kull duhani, se çehrën e paska t’randë?!
Kur po ia çkrepim turkut karrabinën e vjetër? Pse s’je dal të qarri me i pritë burrat?
Pse po rri n’shi? Plakut kollaj i ftofen mushknitë!
Agroni e Galusha jeme m’kqyrin për seri. Nuk flasin por shikimi i tyne kallxon se mua s’me besojnë ma!
Ia paska luejt nanën Corona, kujton n’vete Agron Dushaj, kurse unë flas e flas. Futëm n’kullë e shkruej n’librin e përshtypjeve: Ti n’luftë me turk e shkja por edhe n’luftë me ujin! Zoti t’lindi e t’la n’rrasën e gurit mu djegë eti more Dedë Malësia!
Dhe dredhojmë për Traboinë të kroni, me shpresë se do ta takoj Anton Gojçajn e Detroitit që kullën e ka n’krye t’katundit. Por jo, ai ishte të vorri i babës, kurse unë piva ujë dhe zbrita n’Tuz, aty të librat e Panairit e të do akademik që do t’flasin sonte!
Leartit që m’priste “n’Trojë” i them: Kanë jetua do trima, atje ku ban dreqi ve, se n’fushë s’i kanë lanë me zbritë. E ata janë ba kërsh e gurë e kryet ua kan thye krajlave e sulltanave e kurrë tungjatjeta s’u kanë thanë e kurrë lanë si kan me u ngjitë n’Malësi!
Ata kanë qenë vet Malësia e vet toka pa kroje, por n’damarët e gjakut u ka rrjedhë e lirë jeta, sa vet liria!
Tuz,19.08.2021

Burimi/Facebook