Çun Dreli – Lum Shqipnia

0
95

Po flas me ty lum Shqipnia, sepse mua kurkush s’don me m’kuptua. Me marrin për artist të çmendun!
A bani mirë që lidhi besë me t’pa besin, s’muj me t’thanë po as jo, sepse nuk e di deri ku shkoi ngutia e njenit e pabesia e tjetrit!
A bani keq që e anashkaloi gjysën e Vilajetit, tue ndertua urë mbi kurrizin e vet, për më shkelë ai që nji Kosovë e djegi e nji popull e depertoi tek ti, ne nji kohë jo t’largët, ate ta thotë Po, çdo i dyti shqiptar që i ka dy fije mend!
Nuk i asht dashtë kjo rrugë e ngutshme lum Shqipnia, pa e blua mirë mendimin ne dy gurë t’cokatun mullini e pa e shterrë nji krua me vllaun!
Pse kjo etje për kapuç t’madh, ti i zgjatuni mbi hijen tande?
Pse shkon n’trok pa fre rrugëve t’dredhueme?
Për ku po turresh mjekërr bardhë?
N’Beograd shkoi edhe Enveri, por kur e hetoi mashtrimin ndertoi bunkere gjithjetën, jo pallate!?
Ti çka do me ndertua mbas mashtrimit tand?
Nuk ndertohen urat mbi plisat e djegun e shpirtnat e vramë lum Shqipnia! Me inate s’i bahet karshillek Evropës as vllaut. Pa grunë s’ka mbetë Myzeqeja, as pa ujë s’ka mbetë Fierzi!
N’Shkup ke hi e ke dalë me rob e mall. Kurkush s’ta pat vu drynin.
Po Beogradit, pse me ia çelë portin e detit?
Ma afër t’ka ty a Malin e Zi që po turresh si “Gjeneral Moisi”?!
Ndale hapin e cokate gurin, m’i thuej lum Shqipnia, se trash po i bluen mendimi mjekërr bardhit!
Dardani, 30.07.2021

Burimi/Facebook