Çun Dreli – Rrugëve

0
76

Rrallë duhesh me udhëtua i thashë djalit, që e voziste makinën rrugës se vjetër Podgoricë-Petrovac, nëse don me t’marrë malli si mua, për vendet që i ke shkelë, jo ma shpesh se dy dekada!
Ai vetëm e luhati kokën! Unë vazhdova me folë.
Ke qenë i vogël kur kemi kalua kah Vranina e Viri. Kam folë edhe atëherë,(bile me ma shumë mall se sot) për Mrizin e Avdi Hyses e Kullën e Oso Kukës! Nuk t’kujtohet, e di, se ishe tepër i vogël, por folë t’kam edhe për rrugën e vjetër Vir-Ostros-Katerkollë!
E kemi shkelë atëherë kur unë isha i ri e ti kërthi n’gjinin e nanës!
Ai ishte ba sy e vesh e timonin e mbante fort me duer. E ama rrinte mbrapa e rrallë-rrallë m’i vërtetonte fjalët.
Atëherë ishim katër veta n’makinë. Sot tre! Na mungon njana, por ja që mirë po e kujtojmë tue shkelë rrugëve t’saj, i thashë e nji fik e çava përgjysë.
Merre! Qenka i freskët. Ti gjysën unë gjysën!
Hallall i paska pasë paret malazezi që na i shiti para se me mbrri të Liqeni i Shkodres!
Fola shumë n’mengjesin e dhetë ditëshit t’fundit të gushtit 2021, kur e lam Tuzin e morem rrugë për Ulqin.
I tregova edhe për masakren e Tivarit kur mbrrimë të ish fabrika e duhanit, n’Tivarin e vjetër! I fola edhe për xhirimin e filmit “Lepuri me pesë kambë” atyne guroreve me copa lendinash, që u xhirua dhunshëm, sepse n’Kosovë na nxuni vjeshta e nisi me ra borë!
Ulqini na priti se s’kishte ku t’shkonte përtej detit! Të Xhamia e Peshkatarve, aty n’Ranën e vjetër e lam makinën dhe pimë kafe n’hotelin bri saj! Secili prej nesh i ripërtrini kujtimet e para dy dekadave tue i shetitë sytë sa n’Kala sa n’kodrën e ish hotel Jadranit. Siduket asnjeni s’e gjet hijen e Mirakes, ndaj e morem makinën e dolem pishnajave Aquarius-Ibiza-Sapore di Mare e vend nxumë të Aragosta.
Learti s’priti me pushua shpirtin por u hodh dallandyshë n’det përfundi Albatrosit, kurse e ama e filmoi që ta ketë për kujtim.
Kaq ishte pushimi im n’Ulqinin e ditëve t’mia t’shkueme. U nisem për Prishtinë mbas orës katër, t’lumtun që iu rikthyem mbas shumë vitësh e t’përmallshëm për Miraken që nuk e gjetëm!
Ah sikur t’rrinim t’pakten nji javë tha Galushja kur u futem n’makinë.
Boll ishte kjo gjysë dite i thashë, se s’durohet malli tue kërkua rrugëve e pishave hijet e përendueme!
Learti ishte vozitësi që na ktheu vonë n’Dardani. Prishtina ishte aty, n’tymin e Obiliqit e n’pluhunin e Platosë së Kurrizit!
Dardani, 22.08.2021

Burimi/Facebook