Çun Lajçi – Kur lind djali rritët lisi

0
70

Iu kishte gëzua konaku shumë muej ma parë. Edhe zemra iu kishte ba mal! iu kishte shtua fara trimit e rraja iu kishte forcua ndër bregoret e Malësisë!
N’vend t’pushkëve za kishin lëshua çifteliat, lahutat e tupanat, bile edhe kosat kishin vringëllua n’odën e tij muze, atje buzë liqenit të Detroitit. Djepi i vjetër qindvjeç kishte ba rrak-rrak, tue ia kujtua buzë liqenin e Vraninës!
Mbas shumë çikave, Zoti e kishte pa me nji djalë e motrat e gëzueme kishin thanë: Kurrë s’ka me guxua kush me na prekë prej Luanit!
Anton Marku Junçaj e kishte dredhë mustakun, e cakërrua gotën: Për jetë e mot e gëzofsh njat emën! Luan t’pastë Malësia e rrajë t’bardhë katundet tona përtej Deçiçit, e kishte bekua t’birin!
E çoi zanin n’Junçaj, n’Camaj, n’Lulgjuraj, n’Gojçaj e krejt Malësia e mori vesh se fisit iu shtua edhe nji pushkë n’frengji edhe nji krah n’arat e bukës!
Kur mori vesh se nji i kelmendas, artist rugovas, erdhi ndër malësorët e Michigamit, e shtroi sofrën n’muzeun e vet e çoi fjalë të Zef Lulgjuraj: Ma gëzoni konakun me njat mik,e ma nderoni bukën ju djemtë e Malësisë!
Shkova se s’bahej ndryshe.
Na priti n’oborr, si para kullës se Dedajve n’Bardhaj. Kur u futa mbrenda bërtiti: Mos i dath opangant, se po zbresim n’muze e aty asht ftoft!
Nji kat shtëpie ishte me sofra, djepa, xhubleta, tirqi, jatagana, huta, kosa, trokaça, bluda, tundaça, çiftelia, lahuta, libra t’vjetër, plisa, fotografi trimash, çibukë e kutia duhani, gjithçka që patën malësorët ndër breza!
S’pata çka me thanë, se fliste muzeu i Malësisë së Tuzit edhe për mua. U ula n’stolin e drunit, të sofra me mish viçi e lahutën e shtrëngova me gjuj. Kangën e Mujit të Utbinës e knova për Luanin!
E mora edhe sharkinë e s’mujta pa e vajtua syzezën n’dërrasën e vekut.
Kur ia lam konakun i thashë: Luani u baft Dedë Gjon Luli i Michigamit.
Antoni e Toni Gojçaj janë dy malësorë që me nderuen me nji lahutë e tjetri me nji sharki.
Unë n’vend të falenderimit thashë: Ju e batë tuejën, por athue Zoti a do t’ma dhuroi edhe njiherë zanin që e kam pasë e me i k’nua “Besë lidhjes së malësorëve” si dikur!
Nandor, 01.11.2021

Burimi/Facebook