Çun Lajçi – Për mua e për ata që lexojnë

0
68

Kallxo, ku rrin Keri i Sadri Bardhit, se ti piva trutë!
Bërtiti pjella e shkaut!
U çua n’maje t’gishtave!
U zgjat edhe ma shumë se q’e kish falë i madhi Zoti. Thua se deshti me i hipë n’tepe t’kresë e me i thanë; a po e sheh sa i madh jam?
A e din more, se jam komandar e t’ha me dhambë?
Bërtiti, e spërkalat e pështymës i banë çuf-çuf mbi kaftorrin e skuqun!
U çua edhe njiherë, n’maje t’gishtave, por s’e mbajtën. U pehat e ra n’thembra, tue u mbajtë n’krahun e Jasharit!
T’pshurrsha n’kafe, i tha e sytë gati i shkeu tue i hap me zor. Donte me tutë me sy, me fjalë e me spërkala pështymësh, kaçakun, që armët i ka babë e nanë! Gurin e ka zemër e tokën shtrojë mendafshi!
S’jemi dalë me ta pa hanin, se kemi kafe e hane n’Pejë boll!
Me ti lidhë duert, jemi dalë, si kamët pulës, ty e Kerit e Rizës e Zhukës e krejt kaçakëve. Me iu pjekë n’prush, jemi dalë!
Boll u kemi ba temena gurëve nëpër Grykë, tue kujtua se jeni tue ndejt mbas çdo çufrre me pushkë n’faqe!
T’dhifsha kafen bërtiti boshnjak Hyseni e shkumët e pështymës prap banë çuf-çuf mbi kaftorr!
Jashar haxha e përpiu me sy! Si retë n’qiell, që her e nxanë diellin her i zhdaravit era, ashtu ftyra e tij e ndrronte qehren. Gazi i rrinte n’buzë e gaca ia përcëllonte zemrën!
Smajl shkau, vjellte vner e ky s’po ipej.
Fol fol, sikur po i thoshte, se barku po fryhet e bistrica po rritet. Fol, sa s’ka shpërthye tamthi, se me cunga, ka me ta çua bistrica, kryet n’Pejë! Të Taphonet, ka me ta marrë hyqymeti!
Po i vlojshin zorrët si kazani i çajit mbi kaftorr. Zhagas po i shtërrnonte hapat mbrapa. Sytë s’i rrishin ma në nji vend. Xhandrët po i përbinte. S’i donte n’kambë. I donte t’përgjumun. Ishin tridhetë e tre e ky vet i treti!
S’ishte lojë!
Dritarës s’ia ndante shikimin. I rrinte mendja të Taku. Aty do t’shfaqej ai, si fantazëm, kur t’jehoi zani:
Nxeni pritat!
Nxjerrni bombat!
Kalluni sokolana e mos u tutni! Njiherë vdiset!

Burimi/Facebook