Dalip Greca – NJE KRYEVATRAN SI CHRIST LEPON*

0
8

Në një nga albumet në arkivin e Vatrës më pat tërheqë vëmendje fotografia e Komisionit Drejtues të Degës 33 në Detroit, Michigan për vitet 1949-1950. I lexova me radhë emrat: nga e majta në të djathtë: Orhan Ali, Banush Chaush Qyteza,Suria Mehmet-sekretari i degës -Christ A. Lepon, Kryetari i degës : Jashar Petrusha, -arkëtar dhe Muhamet Zagari e Lame Hysen Slatina-Kontrollorë.
U ndala tek emri i kryetarit : Christ A. Lepon. Nuk kisha informacion rreth tij. Fillova investigimin, që nga Detroiti për të kaluar në Çikago. Pas dy vitesh gjeta të dhëna të mjaftushme për kryetarin e degës nr. 33 në Detroit, që më parë kishte drejtuar degën e Vatrës nr 30 në Çikago?


Christ Anton Dhimitri Lepon, ishte lindë në fshatin Bradvicë në qarkun e Korçës me 23 Prill 1892. Ai emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një grup bashkrahinarësh në Vjeshtën e Dytë të vitit 1907, ku nuk kishte mbushë ende 15 vjec. Krahas punës së përditshme, Lepon i kushtoi vëmendje arsimimit të tij. Me këmbëngulje dhe vullnet përfundoi arsimimin e mesëm dhe më pas studio në Depaul University, Çikago, Illinois. Është pikërisht Universiteti ku sot është hapur Katedra e Gjuhës, Kulturës dhe Letërsisë Shqipe, që mbanë emrin e filantropit shqiptar-Hidai Eddie Bregu, sponsor i saj.I ndjeri Hidai Bregu i mbante lidhjet me Vatrën përmes gazetës Dielli dhe ishte kontributor në 100 vjetorin e themelimit të Federatës VATRA, Prill 2012. Filantropi ndërroi jetë në gusht 2014. Emrin e tij mbanë Katedra që drejtohet nga Gazmend Kapllani, një bashkatdhetar i njohur në fushën e letrave por edhe në atë të mbrojtjes të të Drejtave të Njeriut, veçanërisht të emigrantëve shqiptarë në Greqi.
Pikërisht në këtë universitet studioi dhe mori Diplomën Bachellor Of Science Christ Lepon.
Në Luftën e Parë Botërore Lepon shërbeu në Forcat Navale ajrore të Amerikës. Rastësia e shpëtoi nga tragjedia: Me 30 Maj, 1918, ditën që arriti në Brest, Francë, vapori me të cilin udhëtonte, u silurua nga një nëndetse Gjermane, por lumturisht vapori nuk pësoi dëme, përkudnrazi Torpedot i mbytën dy nëndetset gjermane që e siluruan.
Zoti Lepon ishte në kohën e tij i anëtarësuar dhe kontributor në disa prej shoqatave amerikane të kohës: American Legion, American Veterans of Foreign Wars, Disabled American veterans, si dhe në Shoqërinë Masonike.
Përpara se të shpërngulej në Michigan, Christ Lepon ishte ndër veprimtarët me emër në të gjithë shtetin e Illinoisit. Ai e drejtoi degën e Vatrës që nga viti 1930 deri në vitin 1934. Emri i tij doli në pah veçanërisht në organizmin e ekspozitës së përbotshme(Century of Progress) që u organizua në Çikago në tetor të vitit 1934, ku Shqipëria kishte Ditën e saj të prezantimit me pavionin e saj. Ai mori përgëzimet e Ministrit të Mbretërisë shqiptare Z. Faik Konica, por edhe të Gjeneralit amerikan Horton, mik i shqiptarëve, një nga kryesuesit e Komisionit të Miqëve të Shqipërisë në Amerikë.
Z. Christ Lepon organizoi dhe shërbeu si Chairman i Albanian Liberation Committee, Çikago, me anë të të cilit protestuan kundër krimeve greke në Toskëri. Me këtë rast kishte marrë pjesë edhe zoti Charles Hart, Kryetari i Shoqërisë FRIENDS OF ALBANIA.
Christ Lepons ishte një humanist i spikatur, ai udhëhoqi dy fushata në Çikago për ndihmën e Kryqit të Kuq Shqiptar. Po ashtu organizoi dhe shërbeu si kryetar i parë i “One Forty One Club of Van Buren Post, American Legion, Çikago, IL”, ndërkohë që u zgjodh tre vjet me radhë chairman për Memorial Civil War Veterans Association of Cook County, Illinois.Jetëshkrimi dhe veprimtaria e tij u publikuan në librin për njerëz të njohur”Who’s Who in Illinois.”
Në biografinë e tij jetësore shënohet dhe një fakt tjetër: Zoti Christ Lepon shërbeu si Chairman i Shqiptarëve të Çikagos në fushatën e United States War Bonds, si dhe anëtar i komisionit të American Red Cross(kryqit të Kuq Amerikan), Çikago, IL.
CHRIST LEPON DHE SHTATORJA E SKËNDERBEUT NË ÇIKAGO
Christ A. Lepon është trajtuar edhe në librin voluminoz”Dritëhijet e një diplomati” të autorit Agron Alibali. Në 3 faqe e gjysëm të librit, nën titullin”A duhet busti i Skënderbeut në Çikago”, Alibali gjenë rastin të informojë edhe për Panairin Botëror të Çikagos. Shkas bëhen dy letra që Konica mori prej Christ A. Lepon, përgjigjen e të cilave e kthen me 28 Shkurt 1935. Lepon i kërkonte mendim Ministrit të Mbretit rreth vendosjes së statujës së bronztë të Skënderbeut në Çikago. Letër-përgjigja është interesante dhe ia vlen që ta risjellim në kontekst”:
Me 18 të Shkurtit 1935;
I dashur Zoti Lepon
Letrën Tuaj të Janarit 27 si dhe atë të Shkurtit 23 i mora.Më vjen keq që nuk munda t’ju përgjigjem më parë. Shkaku i vonimit është se as dëshiroj t’ju kundërshtoj as mund t’ju përkrah, dhe ashtu kam mbetur i pavendosur.
Mendimi që t’i ngrihet Skënderbeut një shtat prej bronzi, veçan në daltë nga dora e një artisti me vlerë të vërtetë, është një mendim aq i lartë dhe i bukur, sa s’gjej dot fjalët e duhura që ta lëvdoj. Po pyetja që më pengon është kjo: Ç’punë ka Skënderbeu në Çikago? Amerikanët nuk interesohen në historinë e shkuar të kombeve të vegjël të Evropës, nga ana tjetër, në Çikago, rron një shumicë shqehësh(Sllavësh), që janë armiqtë e palodhur të Kombit shqiptar:Ashtu që plani juaj do të pengohet nga moskuptimi i Amerikanëve dhe nga fryma armike e shqehëve.
Po të ish se nisjit një lëvizje që t’i ngreni Skënderbeut një shtat në një qytet të Shqipërisë: Në Tiranë, në Krujë, në Shkodër, në Korçë, në Berat, në Gjirokastër, a kudo që në qoftë-puna do të ishte ndryshe.Ajo do të ishte një dhuratë fisnike Shqipërisë nga bijtë e saj të ndodhur jashtë, edhe në sytë të botës do të bënte më tepër bujë se sa një shtat i ngritur në Çikago.
Këto janë mendimet e mia.”…
Studiuesi Alibali shkruan se: Fati i Shtatores së Gjergj Kastriotit në Çikago ndofta përfundoi me këtë letër, mirëpo Christ Lepon nuk reshti së punuari për lidhjen e marrdhënieve shqiptaro-amerikane dhe për shpëtimin e Shqipërisë. Pas pushtimit Italian ai u vu në krye të një grupi shqiptarësh e miqësh amerikanë dhe themeloi Komitetin e Çlirimit të Shqipërisë. Në vitin 1944 ai botoi, madje bleun”Shqipëria e Pamposhtur”, një përmbledhje me shkrime dhe ese prej veprimtarësh të ndryshëm e miq të Shqipërisë, ku përfshihet dhe një polemikë e fuqishme e ish-Ministrit Amerikan Charles Hart kundër pretendimeve greke ndaj Shqipërisë së Jugut dhe parashtrohet një interpretim korrekt i historisë dhe vizion i qartë i së ardhmes së Shqipërisë.
Christ A.Lepon u nda nga jeta në nëntor 1978, kishte lindë me 23 prill 1892.
*Pjesë e shkrimit”Kur Faik Konica pritej me 15 të shtëna topi në Çikago…

Burimi/Facebook