Dalip Greca – SOT DITËLINDJA, “DIELLI” U BË 112 VJEÇ

0
112

NGA DALIP GRECA*
Përvjetorët e gazetës Dielli shënojnë ngjarje të rëndësishme jo vetëm për Vatrën e vatranët, por edhe për komunitetin dhe vendlindjen. Përvjetorët e mëdhenj të gazetës kanë lanë pas ngjarje të mëdha. Kështu psh përvjetori i 50-të i Diellit lindi Fondin e Studentëve të Vatrës(që vazhdon edhe sot); përvjetori i 60-të bashkoi në SHBA për të parën herë shqiptarët e mërgatës së vjetër arbëreshe të Italisë me Shqiptarët e Amerikës; përvjetori i 100-të rilindi Diellin, që aksidentalisht ishte shuar për 2 vite e gjysëm…
Kur Dielli mbushte Motin e parë të botimit, editori i dytë i Diellit, Faik Bej Konitza, shkruante:”Me këtë numër, 22 Tetor 1910- DIELLI mbushi Motin e parë të botimit… Kur bën një udhë të gjatë, udhëtari qëndron ndonjëherë, rri mbi gur dhe hedh sytë pas. Është një çlodhje, një kurajo për të shkuar përpara, kur sheh se sa eci dhe kur mendon se ku do të shkojë…” …
Natyrisht, Konica, nuk e mendoi se Dielli do ta kalonte një shekull Jetë!
Ndërsa Editori i parë i gazetës, ai që e pagëzoi Diellin, me emrin e bukur ndriçues-,ai që hartoi programin Kombëtar, të botuar në numrin e parë, Fan S. Noli, që pati fatin ta shoh Diellin-burrë të rritur, tek festohej 50 vjetori i gazetës, Uronte:”Urojmë me gjithë zemër që DIELLI,gazetë e parë në Gjuhën Shqipe, që u botua e përditshme, të arrijë të festonjë dhe 100 vjeçarin.”
Dielli e kaloi 100 vjeçarin dhe ka hyrë në dekadën e dytë të vjeçarit të dytë të jetës së vet dhe vatranët nuk do ta lejonë që të shuhet ky qiri Kombëtar i ndezur në kohë errësire për Kombin dhe Lusim Zoti të arrijë 200 vjetorin.
Po ku qëndron Misteri i jetës shekullore, 109 Vite VATRA dhe 112 vite –Dielli?
Kësaj pyetjeje janë përpjekë që t’i japin përgjigje analistë, studiues, gazetarë, historianë. Duket se konkluzioni logjik i ish Editor i Diellit Peter Prifti (1958-59), janë më të pranuarat. Së pari, Shqiptari e sheh Vatrën jo si një shoqatë, por si një Institucion, si një Monument historik. Së dyti, edhe Vatra, edhe Dielli, lidhen me dy figura eminente të Historisë Kombëtare, Noli dhe Konica.
Së treti, semantika kuptimore e VATRËS dhe DIELLIT, janë magjike. Emri i Federatës të sjell menjëherë në mendje imazhin e ngrohtë të Vatrës dhe oxhakut, që shpërndajnë ngrohtësi, por dhe mikpritje, bujari karakteristike shqiptare. Po edhe –DIELLI-, është një fjalë që na tërheq si me magnet, sepse”Diell” do të thotë Dritë,energji e pasosur,Jetë e Gjallëri.
Vatra dhe Dielli janë emra të goditur, që i kanë tërhequr fort shqiptarët nga fillimi i Shekullit 20 e deri tash në shekullin e 21.
Juristi i njohur, nje nga zerat e fuqishem te diaspores shqiptare ne kohe te veshtira, Juristi erudite, atdhetari I sprovuar Hasan Dosti, ne 60 vjetorin e Gazetes Dielli, per Diellin dhe Vatren, u shpreh: “Vatra” dhe “Dielli”, janë shprehje simbolike këto. Na zgjuanë iden’ e zjarrit e të dritës, që do të thotë flakë patriotizmi dhe rreze kulture. Këtyre simbolizmave u janë përgjegjur edhe realitetet”. Ndersa gazetari i pare i Vatres, editori i Diellit refat Gurarzezi Diellin dhe Vatren i ka cilesuar si”Institute Kombetare”.


Gazeta më e vjetër e Botes Shqiptare, që vazhdon të botohet në Amerikë, DIELLI, mbetet një monument i gjallë i gazetarisë shqiptare dhe i kulturës tonë Kombëtare, që sjell 112 vite histori të shqiptarëve të Amerikës. Në gjoksin e Diellit ka shumë histori, ka dhe një çmim të tretë në konkursin e shpallur nga Organizata COMMON COUNCILL FOR AMERICAN UNITY, ku morën pjesë 1000 gazeta që botoheshin në Amerikë në gjuhë të huaja. Dielli konkuroi me Editorialin e shkruar nga editori i asaj kohe, Qerim Panariti, nje nga dishepujt e Nolit.
Në maj të vitit 2017 gazeta Dielli u dekorua nga Presidenti i Shqipërisë me dekoratën” Nder i Kombit”.
***
Dielli, ishte me fat sepse u udhëhoq nga pena të talentuara, shkrimtarë e gazetarë të njohur, (po perdor renditjen kohore)duke nisë me Fan S Noli, Faik Konica, Efthim Natsi, Kristo Dako, Kostë Çekrezi, Kristo Floqi,Loni Kristo, Andrea D. Elia,Bahri Omari, Aqile Tasi, Andon Frasheri,Refat Gurrazezi, Nelo Drizari, Petër Tiko, Qerim Panariti, Peter Prifti, Dr.Athanas Gegaj,pak kohë punoi si ndihmës editor edhe poeti e shkrimtari Çam Bilal Xhaferri, Xhevat Kalljaxhiu, Dr.Eduard Liçaj, Din Derti, Prof. Arshi Pipa, Anton Çefa dhe prej 12 vitesh kam nderin që ta Editoj unë Gazetën-Ikonë


Gazeta më e vjetër e Botës Shqiptare, me emrin simbolik “Dielli” sot ka ditën e Lindjes.
” Dielli” lindi në Boston prej Shoqërisë atdhetare Besa-Besë dhe ka si ditëlindje datën 15 shkurt 1909. Më 11 mars 1912, mbasi shoqëritë shqiptare të Amerikës vendosën që të federoheshin në Vatër (procesi i bashkimit nisi që në dhjetor 1911-dita zyrtare e themelimit të Vatrës është 28 prill 1912, dita e njohjes nga Shteti i Massachusetts, 10 qershor 1912) Dielli u bë pronë e Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra dhe nisi të dalë dy herë në javë. Me 18 Nëntor 1914, Gazeta nisi të botohet tri herë në javë dhe më 9 nëntor 1915 u bë e përditshme nen drejtimin e Kostë Çekrezit. Historishkruesit e Vatrës dhe të Diellit e kanë bërë tashmë publik faktin se Dielli erdhi si nevojë shpirtërore dhe informuese për shqiptarët e Amerikës në një kohë të vështirë.
Mëkëmbsi i Mit’hat Frashërit, i shumëdturi Hasan Dosti, është shprehur se “Vatra” dhe “Dielli” na zgjuanë iden’ e zjarrit e të dritës, që do të thotë flakë patriotizmi dhe rreze kulture. Këtyre simbolizmave u janë përgjegjur edhe realitetet”.
Kronika e lindjes së Diellit, është e njohur: Me mbylljen e gazetës “Kombi” të Sotir Pecit në Boston me 10 Janar1909, diktohej nevoja e një tribunë kombëtare për të luftuar për të drejtat e Kombit shqiptar, ndërkohë që ishte mbyllur tashmë dhe Albania e Faik Konicës. Kur qe hapur Kombi me 6 qershor 1906 numri i shqiptarëve sipas regjistrave të kohës ishte rreth 7 mijë, ndërkohë që kur u mbyll gazeta e Pecit, numri i shqiptarëve së paku kishte shkuar në dhjetë mijë. Pa gazetën Kombi emigrantët shqiptar kishin mbetur si në shkretëtirë, në terrin e padijes e mosinformimit. Nevoja për një gazetë u bë më emergjente kur xhon turqit burgosën Dervish Himën në Shkodër sepse i gjetën Flamurin e Shqipërisë në gji dhe asnjë gazetë në Shqipëri nuk guxoi që të shkruante e ta mbronte atdhetarin nga frika e represionit turk. Shoqëria Besa-Besë mori vendimin për botimin e një gazeta shqip në Amerikë. Dielli u shkak që të vinte drejt Amerikës nga Europa edhe Faik Konica, për t’u vënë në krye të taborrit kombëtar të shqiptarëve të Amerikës së bashku me Fan Nolin që kishte mbërritë tre vjet para tij.Deri në atë kohë dy patriotët nuk njiheshin përsafërmi me njëri-tjetrin, por ishin të njohur në distancë duke lexuar shkrimet e njëri-tjetrit në shtypin e kohës si dhe nga letërkëmbimi. Me përpjekjet e të dy kolosëve të mendimit shqiptar të asaj kohe u ndez ky kandil kombëtar, siç e cilëson ish editori Refat Gurrazezi, kandil që ndriçon ende edhe sot në SHBA falë kontributit të shqiptarëve të Amerikës.
Gazeta ka për kumbarë Fan S. Nolin që e pagëzoi me emrin e bukur “Dielli” ndërkohë që emri i Vatrës duket se ka për Kumbar Konicën.Është e dokumentuar kjo në një artikull të botuar në gazetën Dielli me rastin e 10 vjetorit të themelimit të Vatrës, në numrin special, ku Konica dëshmon:”Për emrin, formën federale, Kanunoren, rregulloren, dhe shpiriten e parë të VATRËS, jam responsible (përgjegjës) unë. Po e drejta është që Vatra, të cilën un’ e lashë çilimi shtatë muajëshe, u rrit, u madhua, u bë një forcë nga Fan Noli dhe Vatranët e Amerikës, me 1915-1919 dhe në atë zhvillim unë s’kam patur asnjë pjesë (Faik Konica-Dielli, 31 mars 1922).
Dielli ishte shkolla e parë e shqiptarëve të Amerikës për të mësuar shkrim e këndim, ndërkohë që u bë Abetarja për mësimin e Atdhetarizmit. Në shkollën e Diellit kanë kaluar shumë gazetarë. Editor i parë i Diellit faktikisht ishte Fan Noli, por editor faktik i emëruar prej Shoqërisë Besa-Besë ishte Faik Konica. Emrin e Nolit si editor nuk e gjejmë në numrat e parë të gazetës. E vërteta është se 29 numrat e parë të gazetës i drejtoi Fan Noli, më pas erdhi nga Londra Faik Konica dhe e mori në dorë Diellin. Edhe në historinë e Vatrës është shkruar se editor i parë i Diellit ishte Fan S. Noli, ndërkohë që në numrin e parë të Diellit qe botuar ky shënim:”Kjo gazetë do të botohet prej shoqërisë Besa-Besë, e cila do të bëjë mbledhje të përgjithshme me 15 të marsit(1909), në Boston për të zgjedhur një direktor.Gjersa të vijë direktori i kësaj flete, Dielli do të dalë një herë më dy javë, pastaj do të nisë të dalë për javë me rregull.”
Faik Konica mbërriti në Boston me 9 tetor 1909. Refat Gurazezi shkruan në Historinë e Vatrës se ”Kur doli nga “Inverna” ish veshur me kostum Kombëtar dhe i mbajti veshur disa ditë, jo vetëm aq, por s’desh t’i hiqte dhe i lutej Fan Nolit që të vishej edhe ai si prift me kamilaq të lartë dhe të shëtitjin tok nëpër rrugët e Bostonit. Më në funt e bindën shokët që i hoqi ato petka dhe veshi rroba të vendit. Më 22 të tetorit Konica mori në dorë drejtimin e Diellit.”
DIELLI DHE PROGRAMI KOMBËTAR
Dielli u bë ungjilli i shqiptarëve të Amerikës, të cilët të mbledhur fillimisht rreth Besa-Besën, e më pas rreth Vatrës, e kthyen atë në një busull orientuese në kohë të trazuara, kur kombi shqiptar përjetonte çastet e vështira të egzistencës. Do të mjaftonte shfletimi i programit të kësaj gazete për të gjykuar mbi misionin, orientimin, guximin dhe arritjet në fushën e atdhetarisë, shtetësisë dhe natyrisht të gazetarisë shqiptare.
Dielli ka meritën historike se shtroi para shqiptarëve programin Kombëtar, i cili paraqet edhe kthjelltësinë Kombëtare dhe orientimin kombëtar të atyre që e hartuan atë program. Ka dy mendime për autorin e programit, një pjesë mbrojnë idenë se e shkroi Noli, një pjese këmbëngulin se sitli është i Konicës, balanca anon nga i pari. Në programin Kombëtar të Diellit kërkohej njohja e Kombësisë shqiptare prej qeverisë turke; njohja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, Arsim Kombëtar në shqip, kërkohej zhvillim ekonomik, ndërtim rrugësh, kërkohej përcaktimi i kufijëve kombëtar që të përfshinin Vilajetet e Kosovës, Shkodrës, Janinës dhe Manastirit dhe këmbëngulej fort për qeverisje të vendit prej shqiptarëve përmes një Parlamenti Kombëtar.Programi i Diellit kërkonte lirinë dhe të drejtat e Kombësisë shqiptare prej guvernës turke, por pa u ndarë nga Perandoria,duke patur të përbashkët veç ushtrinë, punët e luftës dhe punët e jashtme.
Gazeta Dielli luajti rol të rëndësishëm në përgatitjen e lëvizjeve kryengritëse të viteve 1910-1912 dhe duket se kjo ishte arsyeja që Perandoria e ndaloi hyrjen e saj në Shqipëri, por u përdor një reng për ta futur gazetën sërish në Portat e Perandorisë dhe në Shqipëri, u përdor emërtimi”Dielli dhe Flamuri”. Aty nga gushti 1912 Dielli u la i lirë pasi Qeveria e Qamil Pashës vendosi ta njohë autonominë e Shqipërisë, gjë që nuk u konkretizua sepse shtetet e Ballkanit i shpallën luftë Turqisë në tetor 1912.
Që në kryeartikullin e parë të Konicës në Dielli me 29 tetor 1909, u shfaq mendimi për krijimin e një shoqërie të fortë Kombëtare, rreth së cilës të mblidheshin të gjithë shqiptarët e Amerikës. Konica e drejtoi Diellin deri në mars 1910, më pas për ca kohë Diellin e nxori komisioni i Besa-Besën, por ai nuk vazhdoi më gjatë se fundi i prillit, Konica e rimori Diellin si editor në fillim të majit deri në korrik. Gazeta nuk doli për 3 muaj. Është koha kur Konica nxjerr Trumbeta e Krujës në St. Louis në Sain Louis.
NOLI, KONICA DHE EDITORËT E TJERË QË DREJTUAN DIELLIN
Gazeta “Dielli” qe me fat sepse që në numrin e parë trashëgoi erudicionin e Fan Nolit, stilin e tij informativ, ironik e sarkastik; dhe më pas edhe përvojën e vyeshme e stilin polemizues, por dhe plot elegancë të Faik Konicës, Kristo Dakos, Kostë Çekrezit, Bahri Omarit, Rafat Gurrazezit, Qerim Panaritit, Nelo Drizarit, Xhevat Kallajxhiut, ish drejtorit të gazetës Demokratia e Gjirokastrës, Athanas Gegës etj. Mbi të gjitha Faik Konica, i mbiquajturi ”ustai i gjuhës shqipe” sillte me vete shkollën e madhe të Albania-s, ç’ka shërbeu në rritjen e standardeve të profesionalizmin të mëtejshëm të Diellit.
Duke shfletuar koleksionet e Diellit, bindesh se secili prej editorëve i dha ngjyrën e stilit dhe të shpirtit të vet gazetës së shqiptarëve të Amerikës. Lënda që rrjedh në faqet e Diellit i ngjanë një përroi malor që rrjedh rrëmbyshëm, pa u ndalur; në të është përjetësuar jo vetëm historia e shqiptarëve të Amerikës, por e gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë. Aty është kombi shqiptar, aty është shteti shqiptar, pasi qe fat për Vatrën që lindi para shtetit dhe e orientoi shtetin, që foshnje.
Gurazezi, hartuesi i së parës Histori të Vatrës, shkruan se si Noli ashtu dhe Konica patën mosmarrëveshje me komisionin e Besa-Besën që nxirrte gazetën. Në kohën kur Noli vazhdonte studimet në Harvard, nuk e braktisi gazetën që e kishte krijuar vetë. Edhe pse ishte i ngarkuar me studimet dhe punët e kishës ai gjente kohë të drejtoi Diellin edhe për nëntë muaj, tetor 1910- qershor 1911. Pas Nolit ishte Efthim Natsi, që e mori përsipër barrën e drejtimit të Diellit për dy herë, por me periudha të shkurtëra kohore. Pas tij ishte Kristo Floqi editor i Diellit nga tetori 1911 deri në korrik 1912. Konica edhe pse e la Trumbetën e Krujës dhe iku nga St. Louisi, nuk u mor për ca kohë drejtëpërsëdrejti me Diellin dhe aso kohe lëshoi një batutë, që i zemroi ata që merreshin me Diellin ”Nuk e lexoj më Diellin pasi kam frikë se harroj shqipen” pat thënë Faiku, por në fakt iu afrua prapë Diellit dhe bashkëpunoi me të ngushtësisht, duke u rikthyer edhe si editor i gazetes rilindase.Historia vijon.
Mirenjohje per te gjithe Editoret e Gazetes Dielli!(më gjerësisht lexoni Diellin në print)

Kan være et billede af 1 person dhe kostum
Kan være et billede af 3 njerëz, folk, der står dhe tekst
Kan være et billede af 8 njerëz dhe folk, der står
Kan være et billede af 3 njerëz dhe folk, der står




Kan være et billede af një ose më shumë njerëz dhe folk, der står
Kan være et billede af 1 person
Kan være et billede af 7 njerëz dhe folk, der står
Kan være et billede af 5 njerëz dhe folk, der står
Kan være et billede af 1 person

Burimi/Facebook