Dedikimi i djalit të Shaban Shalës: Pusho i qetë Babë, nga sot ushtarët e FSK do jenë krah me Ushtrinë Amerikane

0
181

Nëntë vite me parë ndërroi jetë Shaban Shala, njëri nga veprimtarët e hershëm të çështjes kombëtare dhe ish-ushtar i UÇK, shkruan Scanner.

Gjatë luftës së UÇK-së kreu detyra me rëndësi, sidomos në Zonën Operative të Drenicës. Pas luftës ishte epror i lartë i TMK-së dhe kurdoherë veprimtar i denjë i çështjes kombëtare.

Në përvjetorin e vdekjes, te varri i tij kanë bërë homazhe familjarë dhe bashkëveprimtarë të tij, të cilët kanë kujtuar veprën dhe sakrificën e tij dhe familjes Shala për çlirimin e Kosovës.

Por, fjalë emocionuese ka shkruar edhe djali i tij, Xheladin Shala, në përvjetorin e tij, që nga sot do tē kujtohet edhe si data kur Kuvendi mori vendim që Forca e Sigurisë së Kosovës tash e tutje të jetë përkrah Ushtrisë Amerikane në misione paqeruajtëse.

“Babë sot u bënë 9 vite nga ndarja jonë fizike me ty, por shpirtërisht jam dhe do të jem bashkë deri në amshim .
Ti mungon shumë dhe asgjë nuk të zëvendëson , por Jeta jote plotë Lavdi dhe Krenari na e lehtëson dhimbjen e madhe që kemi për ty.
Ti Gjeneral i Gjeneralëve që Nderin, Besën dhe Veprën i kishe një, ti i pathyeshmi, ti që popullit i qëndrove gjithmonë afër në luftë e në paqe.
Pusho i qetë Baba se nga sot bijtë më të mirë të Kosovës do jenë krah për krahe me Ushtrinë Amerikane”, shkruan në dedikim për të i biri.

Ndryshe, Shaban Shala është vëllai i heroit Bedri Shala, i cili ra heroikisht së bashkë me Abenë, gjatë luftimeve në Junik, ndërkaq shtëpia e tij vazhdimisht ka qenë strehë e ushtarëve të UÇK-së.

Burimi/Scanner/