Depresioni, sëmundje e trashëguar apo e fituar gjatë jetës? Ja çfarë thotë studimi i fundit

0
213

Që depresioni mund të jetë një sëmundje e trashëgueshme, kjo nuk është asgjë e re. Por pyetja nëse “ai është i lindur apo i nxitur nga rrethanat e jetës”, nuk ka qenë kurrë e lehtë për t’iu përgjigjur. Kjo pjesërisht pasi trashëgimia jonë gjenetike dhe mjedisi i fëmijërisë, nuk janë dy gjëra krejtësisht të ndara.
Një studim i gjerë me thuajse 12.000 familje norvegjeze të përbërë nga një nënë, baba dhe fëmijë, e ka treguar këtë gjë në një mënyrë të zgjuar. Në fakt, gjenet e prindërve mund të ndikojnë negativisht tek fëmijët e tyre, madje edhe pa i trashëguar ata.

“Nëse gjenet e prindërve ndikojnë në depresionin e fëmijës, kur ne kontrollojmë gjenet e fëmijës, zbulojmë se efekti duhet të ndodhë përmes mjedisit”-thotë një nga studiuesit e studimit të ri, Roza Çezman. Gjenet e prindërve, mund të ndikojnë kësisoj në mjedisin në të cilin fëmijët rriten në një mënyrë negative.

Studiuesit kishin qasje tek pyetësorët e plotësuar nga nënat. Aty ata gjetën përgjigje, nëse vetë nënat kishin simptoma të çrregullimeve mendore. Dhe në fund e zbuluan një lidhje të tillë. Një pjesë e efektit negativ nga gjenet e prindërve, mund të shpjegonte nëse nëna kishte simptoma ankthi apo depresioni.
Me fjalë të tjera, mund të ndodhë që gjenet e nënës ndihmojnë për ta bërë atë të sëmurë mendërisht, dhe ishte pikërisht kjo gjë që i dëshpëronte fëmijët e saj. Por Çezman thotë se ky shpjegim është ndoshta një thjeshtëzim i tepruar. Studiuesit nuk kishin shumë informacione për familjet, sidomos për baballarët.

“Një hap tjetër i rëndësishëm, është të shohim shëndetin mendor të babait, dhe faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në mjedisin në familje”-thekson ajo. A do të thotë kjo se prindërit që kanë lloje të caktuara gjenesh, janë të destinuar t’i zhytin fëmijët e tyre në depresion?

“Jo, nuk është përcaktuese. Nuk është e sigurt që nëse i keni këto gjene, do të keni këtë stil prindërimi”- mendon Çezman. Ajo mendon se studimi mund të jetë qetësues për disa prindër. Përfundimi është se nuk ka një shpjegim të thjeshtë, se përse disa fëmijë bien në depresion.

“Si gjenet dhe mjedisi, kanë ndikimin e tyre”- shton ajo. Gjithashtu nuk ka asgjë të re tek përfundimi se gjenet mund të ndikojnë në mjedisin familjar, thotë Çezman.

Gjenetika, si e prindërve ashtu edhe e fëmijëve, mund të ndikojë në dinamikën e familjes. Për shembull, fëmijët që janë të predispozuar gjenetikisht ndaj ankthit, mund të ndikojnë që prindërit e tyre të sillen ndryshe, thotë ajo. Ndërkohë, kërkimet gjenetike kanë treguar se disa prej gjeneve të prindërve, kanë të bëjnë me sasinë e edukimit që marrin fëmijët e tyre. Në këtë studim të mëparshëm, dukej se gjenet ndihmuan në formimin e mjedisit që prindi krijoi për fëmijët, dhe kjo nga ana tjetër ndikonte në nivelin e arsimimit të vetë fëmijëve.

Kjo është arsyeja pse Çezman, nuk u befasua shumë nga gjetjet e studimit të ri. “Zbulimi ynë kryesor nuk është plotësisht revolucionar, sepse ne tashmë e dinim që ambienti ishte i rëndësishëm”- thotë ajo. Studiuesit e kanë ditur këtë shumë kohë para se të mund të deshifronin gjenet e njerëzve.
Por për të bërë krahasime me metodat tradicionale, studiuesit britanikë dhe ata norvegjezë gjithashtu llogaritën trashëgiminë në një mënyrë tjetër. Duke përdorur informacionin në lidhje me farefisin e prindërve, vëllezërve dhe motrave të tyre, ata ishin në gjendje të llogaritnin marrëdhëniet midis trashëgimisë dhe mjedisit.

Duke përdorur këtë metodë, ata zbuluan se depresioni ishte 37 për qind i trashëgueshëm. Kjo shifër është thuajse dyfishi i numrit të llogaritur kur u studiuan gjenet e familjeve. Por se cili numër është më i afërt me të vërtetën kjo thotë Çezman, është e vështirë të thuhet. Asnjë nga metodat nuk është e përsosur. Dhe për pasojë, nuk ka ende një përgjigje të prere, nëse depresioni është rezultat i “natyrës apo mjedisit”./Përshtatur nga CNA.al

Burimi: https://sciencenorway.no/children-depression-genetics/nature-or-nurture-heres-what-researchers-found-out-when-they-studied-children-with-depression/1773047

Burimi/cna.al/