DËSHMI / ILIR ÇUMANI: “SI E FALA SHOKUN E FËMIJËRISË…!”

0
138

Intervistë e z. Ilir Çumani, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë dhënë kryeredaktores së revistës “Psikologjia”, znj. Oriona Tresa.

Njeriu sado të tregohet i kujdesshëm në respektimin e kodeve dhe rregullave që i ka vendosur vetes në sjelljet e veprimet e tij, prapë se prapë është qenie sociale që në situata të veçanta ndodh edhe të thyhet, të dominohet nga emocionet sipas rrethanave që i paraqiten. Për Ilir Çumanin, kështu funksionon. Duke i hequr paralele marrëdhënieve të ndryshme shoqërore apo familjare, edhe ai nuk është se ka qenë gjithmonë ‘i imunizuar’ nga rreziku i të rënit preh i gabimeve apo keqkuptimeve. Në dëshminë personale, Çumani tregon hapur investimin më të madh moral që ai ka bërë për hir të kujtimeve të vjetra të fëmijërisë.

Përvoja ju ka gjendur përpara një çasti ku keni gabuar ose kanë gabuar me ju?

Mendoj se nuk bëj përjashtim. Nga natyra, jam individ i hapur, i ndjeshëm, social, i sinqertë e i drejtpërdrejtë me të gjithë. Kjo ka anët e mira, por edhe anët e riskut në ato raste kur njerëzit me të cilët kam të bëj, këto karakteristika apo “dobësi” të personit tim i keqpërdorin. Në përgjithësi bëj pjesë në kategorinë e atyre njerëzve që fal shumë, edhe në ato raste kur të tjerët më kanë keqkuptuar apo dëmtuar me paramendim. Më kujtohet para 16 vjetësh, kur një shoku im i fëmijërisë më ngatërroi në një biznes me të afërmit e tij, duke më mbushur mendjen dhe kërkuar nga unë që të bëhesha ortak në një sipërmarrje të tyre, me kusht që të gjitha kursimet e jetës sime deri në atë kohë t’i investoja në “biznesin” që ata kishin ngritur. Fundi ishte fatal për mua, sepse dola i humbur, u dëmtova shumë.

Si ndodhi?

Në atë kohë, kisha disa vite që punoja në sektorin privat, në një zyrë të përfaqësimit publik dhe konsulencës ligjore. Nuk i kisha mbushur të 30–at. Isha i pastrehë dhe jetoja nëpër konvikte. Paratë që kisha kursyer gjatë gjithë jetës, për momentin mjaftonin për të blerë një apartament të mirë e të bollshëm dhe të filloja të ndërtoja jetën time familjare. Pikërisht këtu filluan andrallat dhe zhgënjimi që më pas më shkaktoi përveçse stres edhe një dëm të madh ekonomik. Personat me të cilët më lidhi shoku im nuk ishin aspak serioz në “biznesin” që ata kishin, nuk u treguan asnjëherë korrektë. Ata abuzuan në të ashtuquajturën “sipërmarrje” të tyre duke e falimentuar dhe duke më përvetësuar paratë që unë i investova në “biznesin” e tyre. Edhe pse personi që më rekomandoi bashkëpunimin me këta njerëz e kishte informacionin e mjaftueshëm për personat në fjalë, (si pasojë edhe për problemet dhe situatat që do të vinin më pas), unë i besova deri në verbëri shokun tim të fëmijërisë sepse bashkë ishim rritur në shtëpinë e fëmijës.

Pse shkoi deri në “debat” apo “zemërim” le të themi?

I jam shmangur debatit, por zemërimi ishte prezent. Për shumë kohë marrëdhëniet tona u ngrinë sepse ai nuk u tregua i sinqertë. Ai e keqpërdori miqësinë dhe besimin tim, duke më shkaktuar një dëm të konsiderueshëm material, por edhe një stres pa asnjë arsye që më shoqëroi gjatë. Me këtë veprim të shokut tim, m’u duk se u shkërmoq e gjithë ajo lidhje e bukur dhe e pastër që kishim krijuar për vite të tëra që nga fëmijëria e hershme. Megjithatë pas shumë kohësh vendosa t’ia shtrija dorën e paqësimit i pari. E fala sinqerisht.

Cilat ishin arsyet që ju çuan drejt faljes?

Më mundonin shumë kujtimet e së kaluarës, kujtimet e fëmijërisë së bashku. Vlerësoja se ato kishin më shumë peshë se gjithçka tjetër, që në rastin konkret më kishte munguar familja. Pas 16 vjetësh, ai ka krijuar familje ashtu si dhe unë. Gëzon një status shumë të mirë social dhe për këtë ndjej një kënaqësi si për veten time.

Kishte nota keqkuptimi që më vonë i sqaruat?

Nuk dua ta sjell në mendje atë histori të pakëndshme që erdhi si pasojë e sjelljes, mungesës së sinqeritetit të shokut tim. Ajo që dua të them tani është fakti se ndjehem mirë, pasi me iniciativën time i kam rivendosur marrëdhëniet me të si më parë. Takohemi herë pas here. Pak ditë më parë së bashku pimë një kafe dhe kemi biseduar gjatë për kujtimet tona të fëmijërisë. Asgjë tjetër jashtë kësaj teme nuk kemi folur. U ndjeva mirë. Edhe ai gjithashtu.

Po ndonjë rast tjetër që ju keni kërkuar falje?

Ndodh që në jetën e përditshme të kërkoj falje kur jam i bindur dhe e ndjej se jam në gabim, por, do veçoja një rast kur punoja në arsim. Gjatë një ore mësimi, në një moment i jam drejtuar ashpër një nxënësi duke e qortuar në sy të shokëve të klasës. Në fakt, ai ishte një ndër nxënësit më të mirë në shkollë, por situata në të cilën u ndodha, bëri që unë në mënyrë të padrejtë t’i adresoja qortimin tim, të cilin nuk e meritonte sepse nuk ishte ai shkaku.

Çfarë mënyre përdorët për të kërkuar falje?

E lashë në heshtje. Megjithatë sa herë që përballeshim në oborr apo korridor të shkollës, hera-herës me shikim, përpiqesha t’i transmetoja sinjale pozitive, paqësore, pse jo dhe pendese. Vite më vonë, i ndodhur në pozicionin që aktualisht kam, u përballa me ish–nxënësin në një veprimtari që organizonim për 20 Majin, në “Ditën Kombëtare të Jetimëve” në Pallatin e Brigadave. Dëgjoj një zë në sallë: “Si je profesor Iliri, nuk më mban mend!? Jam filani, ish-nxënësi juaj. Ai ishte rritur, burrëruar. Ishte bërë përkthyes i gjuhës angleze dhe shoqëronte në veprimtarinë që organizonim me jetimët, Ambasadorin e SHBA–së në Shqipëri, Z. John Withers. U gëzova pa masë dhe aty përfitova nga rasti ta falënderoj për atë që ai kishte arritur në jetën e tij dhe njëkohësisht, munda t’i ktheja edhe borxhin e vjetër duke i thënë: “Më Fal!”

Sipas Ilir Çumani…

“Falja është testamenti më i bukur i mençurisë, i mirësisë dhe i urtësisë për të gjithë të gjallët. Është gjest fisnik, aset i vyer i institucionit human. Falja është visar i çmuar i shpirtit njerëzor, të cilën për fat të keq, jo të gjithë kanë fatin ta posedojnë atë. Në mijëravjeçarë, institucioni i faljes dhe i pendesës predikohet me forcë në librat e shenjtë, sepse falja kërkon fuqinë e madhe morale e shpirtërore edhe atëherë kur në çastin kur të kanë pushtuar energjitë negative, kur kokat e nxehta vlojnë nga intrigat, urrejtja, smira, xhelozia, pasionet dhe emocionet e sëmura të çastit, duhet të dish të shmangesh nga kurthet e tyre dhe të falësh. Në jetën time të vështirë e me plot dallgë, jam ndeshur me mjaft situata të tilla. Jam rrëzuar me mijëra herë në përpjekje me mbijetesën dhe sfidat me të cilat jeta më ka vënë në sprovë. Por, kam ditur të fal dhe njëkohësisht të kërkoj falje, gjithmonë duke ecur përpara, pa kthyer kokën pas. Të falësh do të thotë të jetosh në paqe me të tjerët, por edhe me vetveten. Unë këtë e kam ndjerë gjithmonë”.

Botuar në revistën “Psikologjia”, nr.97

Huazuar nga ilircumani.blogspot.com/