DHE GOMARI MË S’DUROI

0
89

Një natë te komshia
po qante fëmija,
kërkonte çorape,
çorape me vija…

Ia solli mamaja
çorapet e saja,
të gjitha të mira,
me lule, me ngjyra.
S’pushonte fëmija,
i donte me vija…
U ngrit edhe babi
me vrap nga krevati:

  • Ç’të bëj moj amani,
    është mbyllur dyqani.

S’i di tregëtia
kusuret e mia,
do natën fëmija
çorape me vija…

Dëgjohen në porta
trokitje të forta…
U zgjuan komshinjtë
dhe fërkojnë sytë,
pastaj nëpër rafte,
në komo, dollape
kërkojnë çorape,
çorape me vija,
se plasi fëmija!

Fëmijët e tjerë
po flenë si shqerrë,
veç “shpirti i babit”
qan majë krevatit
sa tundet shtëpia:

  • Më blini çorape,
    çorape me vija,
    tani… në këtë çast,
    o unë do pëlcas!

Një goxha gomar,
që flinte në stallë,
u zgjua nga gjumi,
durimin e humbi,
i tha qaramanit
i nxehur tej mase:

  • Aman, se na plase!

~ Tasim Gjokutaj ~