Dhuratë për Shkodrën

0
207

Nga Ramazan Çeka

Për ty Shkodër jam krenar

Zanin tim ta kam dhuru

Djepi jot m’bani kangëtar

Kangët ma t’bukra me t’i k’ndu

Të ushqejmë shpirtin është po aq e rëndësishme sa dhe trupin ndaj me moton “Dhuratë për Shkodren”zbriti në Bulevardin “Zogu i Parë” në Parrucë këtë të shtunë, bilbili i këngës shkodrane dhe shqiptare “Mjeshtri i Madh” Bujar Qamili, i cili në bashkëpunim me TV1 Cannel performoi si asnjëherë tjetër pa praninë e spektatorëve një koncert live përmes ekranit më të madh të veriut, TV1 Channel si shenjë solidariteti, për të mbështetur qytetin e tij të zemrës dhe spektatorin e tij të dashur, i cili sot me shumë se kurrë gjendet në vështirësi ekonomike dhe gjendje të rënduar psikologjike, gjë që e rëndon akoma më shumë mungesa e aktiviteteve kulturore.

Shkodra dhe shkodranët pa kulturë skanë jetë, ndaj organizimi i këtij koncerti pati impakt të mirë për optimizëm dhe kurajo ne këtë situatë kaotike.

Falë bashkëpunimit dhe afrimitetit shoqëror që kam me të madhin Bujar Qamili e kam ndjekur prej kohësh këmba-këmbës në koncertet e tij recitale dhe e them me bindje se emocionet e mëdha të kësaj nate do mbeten të veçanta e të paharruara për të gjithë ne të pranishmit e në veçanti për Bujarin, çka u vu re tek emocionet e zërit të tij tek fjala përshëndetse, kur foli mbi të veçantat e këtij koncerti si kurrë më parë pa spektator në shesh dhe nevojës që artisti ka për spektatorin e tij.

Mardhënie më shumë se shpirtërore pa të cilën artisti nuk do kishte kurrë jetë. Situatë kjo e menaxhuar me mjeshtri nga Bepin Kolvata, i cili jo vetëm si bashkëpuntor, por edhe si prezantues, me thjeshtësinë që e karakterizon dhe oratorinë e një gazetari të mrekullueshëm, arriti ta kthej këtë koncert në një spektakël të vërtetë, duke bërë që sheshi “Zogu i Parë” në Parrucë të provonte emocione të mëdha, duke demostruar njëkohësisht edhe qytetari të lartë në respekt të rregullores mbi kohën e liridaljes të përcaktuar nga qeveria, çka u vu në dukje edhe nga prezantuesi Bepin Kolvata.

Në koncertin recital të këngëtarit Bujar Qamili ishte përzgjedhur një buqetë këngësh qytetare shkodrane që fare mirë mund të quhen edhe më të suksesshmet, të cilat janë bërë hite apo dhe shoqërueset e sofrave dhe gëzimeve për qytetarët e Shkodrës, ndër të cilat, disa të bashkëpunimit tim me Bujarin, çka më emocionoi akoma më shumë.

U desh kjo përvojë jete për të na dhënë të kuptojmë sa të varur jemi nga njëri-tjetri dhe sa shumë dashuri mund të marrim dhe japim falë shpirtit solidar që na karakterizon ne shqiptarëve.

Nga suksesi i këtij bashkëpunimi, kultura shkodrane triumfoi edhe njëherë fort, duke demostruar me seriozitet dhe besim vlerat e saj kulturore edhe në kushtet e cungimit të lirisë apo frikës së pandemisë.

Ishte madhështore kur i madhi Bujar Qamili zbriti nga skena për tu afruar akoma më afër pallateve të larta që harkojnë si kurorë në sheshin e Parrucës për të qenë sa më afër atyre banorëve, spektatorë të privilegjuar, të cilët e ndiqnin koncertin nga dritaret, ballkonet, e deri edhe mbi çatitë e pallateve përreth, të cilët këndonin, duartrokisnin dhe shoqëronin këngëtarin me këngë e fishkëllima, deri edhe me valle apo valvitje të flamurit tonë kombëtar.

Jehona që shpërndante dhe amplifikonte fonia çonin peshë pallatet, sa kur këndonte poshtë tyre këngëetari Bujar Qamili, të krijonte ndjesinë e serenatave pranverore të djalërisë, tek i shpreh ndjenjat e zemrës vajzës së bukur shkodrane, aq sa ta kishte zili edhe Rozafa e Legjendës, e cila prej shekujsh qëndron madhështore mbi kala.

Falë jehonës së medjas dhe lidhjeve online të rrjeteve sociale ky koncert pati një shikueshmëri prej mijëra e mijëra spektatorësh virtual, të cilët e ndiqnin me emocion të shtuar në valët e TV1 Chennel dhe faqen e tij zyrtare fb, si dhe në shpërndarjet e shumta të bëra sherë nga gazetar dhe punonjës të këtij televizioni, apo artëdashës shkodranë ku me mijëra kanë qenë edhe komentet ndër të cilat dominonte “TE KËNDOFTË ZEMRA BUJAR QAMILI” dhe SUKSESE NË BASHKËPUNIME TË TJERA” ku vlen të veçoj faktin se “Mjeshtri i Madh” Bujar Qamili premtoi për spektatorët e tij një tjetër koncert madhështor në stadium, premtim ky i bërë gjatë koncertit.

Në komentet e shumta të cilat vinin nga çdo skaj i botës veç emocionit që të jepnin, të veshnin me krenari për privilegjin që jetojmë akoma në Shqipëri. Sa mallë e freski kishte shpërndarë ky koncert në familjet shqiptare anë e mbanë botës, të cilat ashtu si ne gjenden në kushtet e ngujimit dhe luftës me pandeminë.

Kjo bëri që ky koncert të shpërndahet akoma më shumë e të vlersohet si kurrë më parë. Jehona e këtij koncerti nuk mund të kalonte pa marrë edhe vëmendjen e televizioneve lokale e kombëtare, deri edhe të institucioneve shtetërore, ku vlen të veçohet një status i Presidentit Meta në faqen e tij fb, të shoqëruar me një vidjo të realizuar gjatë koncertit.

E them me bindje se meritat për këtë koncert madhështorë, për kohën në të cilën u realizua, i ka i gjithë grupi i bashkëpuntorëve duke filluar me drejtorin e TV1 Channel z. Edmond Ndou, i cili së bashku me gazetarin Bepin Kolvata vunë në levizje gjithë stafin e TV1 Channel, duke siguruar edhe bashkëpunimin dhe mirkuptimin me forcat e rendit, të cilët kanë qenë të pranishem deri në fund të koncertit.

Në emër të artëdashësve shkodranë e shqiptar ju shpreh mirënjohje të veçantë TV1 Channel dhe ju uroj bashkëpunime të tjera edhe më të suksesshme me të madhin Bujar Qamili “Mjeshtër i Madh” i këngës së bukur qytetare shkodrane.

Prill 2020

Burimi/theworldnews.net