Dielli Sot- ARSHI PIPA, JETA DHE VEPRA

0
248

Në pranverë të vitit 1991, Pipa u zgjodh kryetar i “Vatrës”, pa qenë anëtar i saj, detyrë në të cilën qindroi vetëm nji vit, sepse në qershor të 1992-shit, nuk u rizgjodh…!!!!

Nga Anton Çefa-DIELLI

Bir i një familjeje dinjitoze për ideale e virtyte atdhetare dhe krenare për traditat kombëtare, Arshiu mori drejtimin e një njeriu të ndershëm e kambëngulës në bindjet e veta, kundërshtar i çdo konformizmi. I ati, Mustafa Pipa, qe njeri me kulturë të gjanë, jurist për nga profesioni, patriot dhe demokrat për kah idealet. E ama, nanë Hatixhja, qe një shembull virtyti e pune për fëmijët e saj, stoike në fatkeqësitë e panumërta që i ranë mbi krye, burrneshë e vërtetë shqiptare, vdiq në internim, me shpirtin plagë. I vëllai, Myzaferi, avokat, me interesa të gjana kulturore, demokrat, kundërshtar i çdo diktature, botues i revistës “Fryma”, ku shprehi pikëpamjet e tij përparimtare politike e shoqënore, u pushkatue në terr nga organet e sigurimit, sepse kërkoi me gjetë drejtësi e rregull në gjyqet e tyne kriminale. Motrat, edhe pse të shkëlqyeshme në mësime dhe intelektuale të formueme, u detyruen me ba punët ma të randa për me fitue bukën e gojës.
Arshiu u lind në Shkodër, në vitin 1920. Kreu mësimet fillore në qytetin e lindjes dhe po ashtu arsimin e mesem, vitet e para në Shkollën Saveriane të Jezuitëve dhe të fundit në Liceun e Shtetit, Dega klasike. Studimet e nalta për filozofi i kreu në Firence (Itali), ku mori gradën shkencore të doktorit në filozofi, tue mbrojtë disertacionin: “Morali dhe feja tek Bergsoni”.
U kthye në atdhe në vitin 1941 dhe deri në fund të vitit 1944 dha landën e filozofisë në Liceun Shtetnor të Tiranës, tue dhanë mësim në të njajten kohë në Licetë Shtetnore të Shkodrës dhe të Durrësit. I brumosun me ideale fisnike, antifashist dhe antikomunist i vendosun, krahas punës së tij si mësues në shkollat e mesme të Tiranës dhe Durrësit, që heret u fut në rrugën e vështirë të artit e të kulturës kombëtare. Në vitet 1943-44, kur Shqipnija vuente nën pushtimin e huej, në nji moshë të re , nxori revistën “Kritika letrare”, në të cilën dallohet për nji trajtim origjinal dhe objekiv të personaliteteve, veçori që do ta shoqnojë atë edhe ma vonë në këtë fushë. Në faqet e revistës, ndër të tjera, ravijëzohen figura të tilla të letersisë e të kulturës sonë si Konica, Noli, Migjeni, etj. Eseja e tij e shkrueme për Konicën e dëshmoi atë si një kritik të kategorisë së parë.Ajo mbetet dhe sot e kësaj dite nji nga xhevahiret e krtikës sonë letrare, sa për thellësinë e trajtimit, aq për stilin e shtjellimit dhe koncizitetin. Bashkëpunon me artikuj të ndryshëm në shtypin e kohës dhe shkruen poezi, të cilat i boton në vëllimin “Lundërtarë”, 1944, nji përmbledhje lirikash që dëshmon nji talent në shperthim.
Për pak kohë, në vitin 1945, qe mësues i italishtes dhe i gjuhës shqipe në Kolegjin e Mësuesve, Tiranë. Në prill të vitit 1946, e arrestuen për shkak të refuzimit të tij kategorik me veprue në përputhje me politikën e regjimit diktaturial.
Në vitin 1957, u arratis në Jugosllavi dhe, në vitin 1958, emigroi në SH. B. A. Në fillim punoi si arkëtar (kashier) në nji hotel të Nju Jork-ut. Veprimtaria e tij pedagogjike dhe organizative në fushën e mësimit dhe të edukimit përbën një kapitull të veçantë, të gjanë, të larmishëm e shumë të frytshëm. 1).
Në vitin 1960, filloi punnën si mësues filozofie në kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas. Në vitet 61-62, drejtoi Departamentin e Gjuhës Italiane në City University, Georgia, në Shkollën e Gjuhëve dhe të Gjuhësisë, dhe, në të njajtën kohë, gjatë verës, dha filozofi në Kolegjin e Arteve të Lira. Po në këto vite ka dhanë italisht në Columbia University .
Në vitet 63-66, ka qenë Profesor i Asociuem në Departamentin e Gjuhës Italiane, në Universitetin Berkley të Kalifornias, ku dha mësim në kurset e lëtërsisë moderne italiane dhe drejtoi seminaret e kritkës letrare për De Sanctis (1963), Croce-n (1964), Vico-n (1965). Gjatë vitit 1965 dha mësim edhe në kurset e gjuhës shqipe, letërsisë dhe folklorit tonë. Gjithashtu dha edhe filozofi romane. Në vitin 1966, drejtoi disertacionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph. D).
Me nji sensibilitet të dukshëm ndaj padrejtësive, – çka i karakterizon njerëzit e ndershem dhe idealistë, – gjatë kohës që qe në Universitetin Little Rock, Arkansas, përjetoi me dhimbje realitetin e diskriminimit racial në shoqëninë amerikane dhe u revoltue. Atje përkrahu lëvizjen studenteske të Berkley University të Kalifornisë, e njohun si “Free speech movement”, dhe u ba kritik i paanshem i poltikës. 2).
Në vitin 1966, kaloi në Universitetin e Minnesota-s, në Minneapolis, në fillim si profesor i asociuem, dhe ma vonë si profesor i gjuhës italiane në Departamentin e Gjuhëve Romane. Në Universitetin e Minnesota-s, u ba anëtar me të drejta të plota dhe kontribuoi në planifikimin, hartimin dhe ndamjen e diplomave të studimeve të gjuhës italiane. Qe, gjithashtu, drejtues i Programit Master për këtë gjuhë. Temat e diplomave për master e Ph. D. u shkruen dhe u miratuen nën drejtimin e tij. U ka dhanë mësim, gjithashtu, kurseve extraculiculare të gjuhëve, kurseve të qytetnimit dhe të kulturës dhe, në veçanti, kurseve extraculiculare për shkrimtarët e mëdhaj: Dante, Bokacio, Manxoni, Leopardi, për Poezinë Kalorsiake, Letërsinë Utopike, dhe leksionet krahasuese: Marksizmi dhe ekzistencializmi në tregim dhe dramë; ka drejtue seminaret Ungaretti dhe Montale, Vico dhe Croce. Veç sa thamë, ka ligjërue ciklin e leksioneve: Simbolizmi Francez dhe Hermetizmi Italian, Romantizmi në Francë dhe në Letërsinnë Italiane, në kurset e përbashkëta të diplomantëve të gjuhëve frënge dhe italiane. Në Universitetin e Minesotta-s për tetë vjet me radhë mbajti falas nji kurs të gjuhës shqipe. Gjatë vitit 1970, ka konceptue dhe hartue Programet e Master-it për gjuhët frënge dhe italiane.
Me daljen në pension u vendos përfundimisht në Washington, D. C., pranë së motres, Fatimes. Gjatë kësaj kohe u intensifikuen lidhjet e tij me “Vatrën” dhe “Diellin”. Gjithnji, ai ka qenë bashkëpunëtor i zellshëm i “Diellit”. Shqetësimet e tij për gjendjen e “Vatrës”, në këte kohë, dhe mendimet e tij për prosperitetin e saj, ai i shprehi, së pari, në “Dielli”, në artikullin e gjatë “Për riorganizimin e Vatrës”, (nr. i 16 gushtit 1983) dhe në Fjalimin e rastit të 28 Nandorit 1986, “Për shpëtimin e Vatrës”, që u botue në “Diellin” e 28 Shkurtit, 1987. Më duket se Arshiu ka dhanë përcaktimin ma të saktë dhe ma të bukur për Vatrën: “Vatra asht nji monument historik i vetëdijes dhe kulturës kombëtare”. Ai ka shkrue me dhimbje krahnori për gjendjen e mjerueme të “Vatrës” dhe ka vlerësue lart prestigjin e saj ndaj organizatave të tjera të diasporës, gja qi i jep mundësi e avantazh asaj t’i bajë nji sherbim të madh kombit, “i cili do të ketë vlerë ma të madhe nëse Vatra mban nji qendrim sipërpartiak dhe sipërqeveritar”. “Ndërhymja e saj, shkruen Pipa, asht sidomos e randësishme ndër raste kur të drejtat e kombit shqiptar cenohen ose rrezikohen”.
Në pranverë të vitit 1991, Pipa u zgjodh kryetar i “Vatrës”, pa qenë anëtar i saj, detyrë në të cilën qindroi vetëm nji vit, sepse në qershor të 1992-shit, nuk u rizgjodh. E mori kryesinë e “Vatrës” me të vetmin qellim për ta vu ate në shërbim të problemeve me randësi të jashtëzakonshme historike, qi dolen para kombit tonë: zhvillimeve demokratike në Shqipëni dhe zgjidhjes së problemit të Kosovës. Gjatë kësaj kohe tepër të shkurtë, ai iu kushtue me të gjitha energjitë rimëkambjes së “Vatrës”, dhe kreu shumë punë me vlerë. Në “Albanica”, në nr. 3-4 të 1992-shit, në shkrimin On VATRA and Dielli, ai ka shkrue me hollësi për to. Puna e tij asht pasqyrue, gjithashtu, në numrat e “Diellit”, që editoi ai gjatë kësaj kohe.(Lexoje te plote ne Dielli online)

Burimi/Facebook /Dalip Greca