Ditmir Bushati – NJË FITORE E TË ARDHMES

0
73

Po, Kosova përqafoi të ardhmen!
Më shumë sesa një fitore e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, 14 Shkurti 2021, do të shënohet në historinë e Kosovës si dita kur sovrani me votë plebishitare shembi modelin e vjetër dhe përqafoi shpresën.
Është fitorja e çdo qytetari që jeton në Kosovë dhe diasporë, që kontribuon përmes punës së ndershme për Kosovën shtet funksional, demokratik, si një dhe të pandarë.
Është fitorja e çdo sipërmarrësi të ndershëm që beson tek puna, shpirti i garës, shteti zhvillimor, barazia në mundësi, përkundrejt kapitalizmit grabitqar që thellon pabarazinë, mpin shoqërinë e nxit braktisjen e vendit.
Është fitorja e shoqërisë civile, medias së lirë dhe profesionistëve me integritet moral që besojnë tek vlerat e lirisë, humanizmit, qytetarisë, drejtësisë sociale, përballë gazetarisë rentiere e shpirtprishur në shërbim të pushtetit.
Është fitorja e një modeli të ri politik që s’ka të bëjë me moshën, gjininë e prejardhjen, por që ndjen përgjegjësinë para njerëzve, duke demonstruar konsistencë në ide, përgjegjshmëri shtetërore e pathyeshmëri, duke mos u bërë palë me veset e politikës që gërryejnë idealin e jetës demokratike.
Është fitorja e standardit dhe kulturës demokratike. Kosova, 13 vjet shtet, na dha mësime të vlefshme, edhe pse ne e kemi plot 109 vjet shtet. Në demokraci zgjedhjet janë garë vlerash dhe jo të fortësh. Partitë politike i nënshtrohen gjykimit të popullit.
Fitoret e mëdha shoqërohen gjithnjë me pritshmëri dhe përgjegjësi të mëdha. Tanimë, Lëvizja Vetëvendosje, Albini dhe Vjosa janë përpara një përgjegjësie historike për ta drejtuar Kosovën me dinjitet, dashuri e përkushtim drejt sfidave të shtetkonsolidimit demokratik, mirëqënies sociale dhe partneritetit me botën demokratike. Sfida, që kërkojnë një konsensus të ripërtërirë politik e shoqëror. Ata kanë përgjegjësinë për të jetësuar besimin e qytetarëve të Kosovës duke sjellë një standard të ri qeverisës shumë të dëshiruar për gjeneratën e Kosovës Europiane.
Urime Kosovë❤️

Burimi/Facebook