Djali i Adem Demaçit, Shqiptari: Ja si e mora këtë emër

0
58

Nuk e kishte fatin të lindte si shumica e fëmijëve të tjerë. Kur u lind e ndjeu vetëm përqafimin e ngrohtë të nënës së tij, por jo edhe të babait. Ani pse e kishte gjallë, mungonte prezenca e tij. Kjo për shkak që ishte në burg dhe ishte burgosur nga serbët për vendosjen e 99 flamujve shqiptarë nëpër rrugët kryesore të qyteteve të Kosovës.

Ishte pikërisht viti 1965 kur Adem Demaçi u bë baba i një djali. Lajmin arriti ta marrë vetëm prapa grilave.Por, pavarësisht kësaj ai edhe pse ishte në burg gruas së tij ia kishte lënë një porosi.

Kishte vendosur që emri i fëmijës së tij të jetë i veçantë nga të tjerët. Krejt kjo për t’u lidhur me barazinë kombëtare, pasi që një gjë e tillë në atë kohë mungonte.

Djalë apo vajzë, ai do të lindte me emrin Shqiptar ose Shqiptare. Dhe, këtë tashmë Adem Demaçi e kishte ngulitur në kokë.

Pikërisht sot për festën e shqiptarëve, Festën e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit në një rrëfim të veçantë djali i Adem Demaçit, Shqiptar Demaçi tregon gjithë ngjarjen e emrit të tij.

Thotë se emri i tij është gjakim për barazi kombëtare.

“Babai, atë kohë(viti 1965) në vuajtje të dënimit me burg politik, e ka porositur nënën që ‘nëse len djalë t’i lihet emri ‘Shqiptar’, e nëse len vajzë : emrin ‘Shqiptare’. Emri ishte synim, gjakim për barazi kombëtare , që në atë kohë qe tejet e mangët, sepse qe kohë që shqiptarët e Kosovës shpërnguleshin me dhunë në Turqi dhe diskriminoheshin kombëtarisht”, është shprehur Demaçi për FrontOnline.

Demaçi tregon se cili ishte pseudonimi i tij dhe kush ishin personat që nuk e thërrisnin në emër

Ani pse e ka emrin Shqiptar, jo të gjithë e thërrisnin kështu.Shqiptar Demaçi, kishte pseudonime të ndryshme. Familjarët dhe disa të afërm e thërrisnin në emra të tjerë, e disa të afërm të tjerë edhe më ndryshe.Kishte gjithsej pesë pseudonime. Demaçi tregon edhe emrat e tij të tjerë me të cilët njihej.

“Si fëmijë familja e të afërmit me thirrnin shkurt ‘Shipi’ , më vonë ‘Shqipi’, dikush ‘Shqype’, ca të afërm ‘Type’ , ca shokë ‘Demaç’ etj”, shprehet ai, derisa thotë se me kalimin e kohës është mësuar me emrin e tij dhe se më nuk i ka ardhur çudi.

Shqiptar Demaçi, djali i Adem Demaçit ka thënë se asnjëherë nuk ka menduar që ta ndërrojë emrin, ani pse emri i tij kishte një simbolikë të veçantë.

Teksa e shpjegon domethënien e emrit të tij, Demaçi deklaron se emri është shenjë dhe nuk bën të ndërrohet.

“Natyrisht që jo. Është një fjalë latine: “Nomen est omen” (Emri yt është shenjë, fatum, se çdo të jeshë)”, ka thënë ai.

I, pyetur se me cilat vështirësi është përballur gjatë kohës së okupimit serb kur bëhet fjalë për nxjerrjen e dokumenteve dhe mohimin e të drejtave të tjera Demaçi, pa dashur të jep detaje thotë se ajo kohë ka qenë e vështirë për të gjithë shqiptarët.

“Ajo kohë qe kohë e rëndë për popullatën në krejt ish Jugosllavinë e veçanërisht për boshnjakët e shqiptarët e Kosovës. Por, regjimi okupues serb nuk ka pas kohë me u marrë me detaje”, është shprehur Demaçi.

Por, tregon se çfarë kishte ndodhur kur nëna e tij kishte shkuar për ta regjistruar në zyrën e gjendjes civile.

“Natyrisht që e patën pyetur nënën se ç’është ky emër kështu dhe emrin tim atëherë e patën regjistruar me germa cirilike( e kam certifikatën origjinale)”, ka thënë ai.

Shqiptar Demaçi, është djali i veprimtarit Adem Demaçi, ndërsa me profesion është kirurg torakal.

Përndryshe, prindi i tij, Adem Demaçi, ka vdekur në vitin 2018 dhe është simbol i rezistencës kombëtare. Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai quhet edhe Nelson Mandela i Evropës.

Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998/1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së.

Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, është një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare.

Ai ka shkruar romanin “Gjarpijt e Gjakut” i cili u ndalua nga regjimi ish-komunist. Ai e pa dritën vetëm pas viteve nëntëdhjeta./

Burimi/(gazetaexpress.com)