DUKE I SHKRUAR TË DIELËN ZIJA ÇELËS

0
99

Artur Spanjolli (Firence)
Ne gazeten Nacional
Nuk njihemi personalisht. Por Zija Çelën unë e njoh mirë me shqisën e gjashtë. E njoh sapo shkruan diçka. Ky është Zija Çela, them shpejt. Sepse Fjala e tij ka ngjyrat e individualitetit, ajo është e drejtpërdrejtë, ndihet aty jo vetëm sinqeriteti i tejdukshëm i gjithçkaje, por edhe thellësia e një shpirti të madh. Një shpirti artisti që nuk shterron kurrë së thëni atë që ndien.
Jam i lumtur që ka mijëra lexues, aq shumë miq e admirues kudo ku jetojnë shqiptarët, njerëz që bëhen mbështetës vlerash. Vlera që i shoh shumë bukur në Fjalën e shkruar të Zija Çelës.
Në distancë, e përfytyroj shkrimtarin tonë të famshëm këtë të diel Pashke. E përfytyroj rrethuar nga dashuria e të tjerëve. Por edhe duke transmetuar dashuri. E mendoj tani dhe ndiej gëzim që arriti deri në këtë moshë me shëndet dhe begati shpirtërore. Në sajë të kësaj begatie, falë këtij përdëllimi hyjnor, Fausti mbylli sytë i qetë, sepse e kishte kuptuar idealin më madhor. Vetëm duke u bërë i dobishëm për njerëzimin. Vetëm duke dhënë kontributin personal në çështjen e madhe të njerëzimit. Aty ai gjeti lumturinë e vet. Dhe një e tillë dashuri pa fund gjendet në zemrën e Zija Çelës, te miku që kurrë nuk e kam takuar, por që e kam të afërt, sepse të tilla janë gjërat që shkruan ai. Të ndiera dhe të çiltërta. Plot me humanitet dhe bukuri shpirtërore. Më ndodh rrallë ta ndiej një njeri aq afër, sa ç’e ndiej Zija Çelën, teksa lexoj tekstet e tij.
Tani e di, ai rri në strehën e vet, duke festuar ringjalljen e Krishtit dhe ka një dhimbje në shpirt. Një dhimbje e cila do të vdesë me Çelën. Por kjo dhimbje e thellë, më e forta dhimbje që mund t’i ndodhë një babai, nuk është dhimbja e pashpresë e një të humburi. Askush nuk di të dashurojë siç duhet, nëse nuk e njeh këtë ndjesi aq hyjnore sa ç’është dhimbja. Të mendoj tani në divan apo duke shkruar diçka, miku im, që s’të kam takuar kurrë. Dhe mes kujtimesh shfaqet drita e syve të tu. Shfaqet plaga jotë që nuk mbyllet asnjëherë. Oh, për nder të burrit që shembet në tokë dhe si një Dante i vërtetë mbytet në lotë! Për atë dritë hyjnore që kurrë nuk zbehet në shpirtin e njeriut, një lumë dertesh është jeta, ku ti në dëshmon se duhet ecur me dinjitet, kurajë e forcë. Dhe këtë e thonë gjithashtu sytë e tu, drita e syve të Zija Çelës. Drita, pra, është sunduesja mbi errësirën. Zemërgjerësia e njeriut, mirënjohja, empatia dhe mëshira janë më të forta se urrejtja, smira, përbuzja e hakmarrja. Mik i shtrenjtë, që kurrë nuk të takova por të ndiej kaq pranë, me mallëngjim të them se përdëllimi hyjnor nuk njeh skaj, nuk njeh fund, nuk njeh horizonte. Gjithçka është dashuri në këtë botë ku jetojmë. Është DASHUNI, po përdor fjalën tënde. Do të vijë një ditë, Zija i dashur, kur njerëzimi do të kuptojë se është pjesë e një Shpirti më të madh Kozmik e Hyjnor, dhe atëherë do të rritet si repekti për jetën, si respekti për njeriun, si respekti për gjithçka që quhet natyrë. Dhe vetëm kur të jemi në dimensione të tjera ekzistence, ku në formë drite do të jemi pjesë e gjithçkaje, atëherë do të kuptojmë se gjithçka është dashuri. Motori i vetë universit është DASHUNIA, dhe ne jemi vetëm një formë modeste e paraqitjes, e demonstrimit të saj.
Bluja e e mirënjohur e Toskanës italiane ku jetoj, është e lakmuar ngado. Duke qenë shkrimtar, unë kam marrëdhëniet e mia me këtë qiell dhe, duke qenë piktor, përpiqem gjithashtu t’i hedh në telajo ndriçimet e blusë. Por s’e mohoj, gjithnjë më duket e pamjaftueshme. Prandaj në këtë ditë Pashkësh e ringjalljesh jam ulur e të shkruaj. Të shkruaj, sepse ndonëse larg, përmes Fjalës tënde më vjen deri këtu edhe drita jote, drita jote e veçantë, Zija Çela, mik i shtrenjtë që kurrë nuk të kam takuar.
Firence, 4 prill 2021

Burimi/Facebook