E shkuara dhe e tashmja në “Arbni historik, gjeografik, kishtar dhe politik” të Aurel Plasarit

0
174

Nga Artan R. Hoxha, Ph.D. (Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët)
Si mundet historianët të kapërcejnë kufijtë ontologjik që disiplina e historisë imponon mbi periodizimin e historisë? Si mund të lexojë një historian që studion shekullin XX një sprovë mbi shekujt XI–XIV? Në çfarë mënyre, një libër që shqyrton dinamika dhe procese historike të Mesjetës mund të jetë i vlefshëm për dikë puna e të cilit përqëndrohet të tranformimet socio-ekonomike dhe kulturore të shekullit të shkuar? Ashtu si ndodh me te gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore, zgjerimi i dijeve historike sjell ndarjen e vazhdueshme të punës, që përgjithësisht shprehet në specializimin tematik apo kronologjik. Veçse këto ndarje, pavarësisht kritereve mjaft të velfshme që përdoren për t’i kriuar ato, janë artifice intelektuale, që kanë si funksion njohjen më të hollësishme të historisë përmes ngushtimit të fokusit të punës kërkimore. Por shpesh, sidomos kur vjen fjala pnë studimet historike, ndarjet e mëdha kohore, që më konkretisht janë Lashtësia, Mesjeta, periudha Moderne dhe ajo Bashkohore trajtohen si kuti të shkëputura, të cilat nuk komunikojnë me njëra-tjetrën. E vërteta është më e ndërlikuar. Shkrimi i historisë, edhe ai për periudhat më të largëta është një akt thellësisht aktual, që përcaktohet gjerësisht nga rrethanat historike si dhe debatet teorike dhe ideologjike të kohës në të cilat shkruan dhe jeton historiani. E thënë ndryshe, shumë studime të mbi Mesjetën apo Antikitetin prekin në fakt problematika me mjaft rëndësi për ditët e sotme.

Një gjë e tillë është veçanërisht e vërtetë për studimet që analizojnë formimin e identitetit etnik dhe kombëtar, rrënja e të cilëve shtrihet në Mesjetë. Këto analiza paraqesin interes sidomos në kuadrin e debatit mbi nacionalizmin. Sikundër kanë argumentuar shumë studiues së fundmi, përfshi edhe medievist, teza e zanafillës mesjetare të kombeve europiane është një sajesë e nacionalizmit. Kombi, thonë ata, është një krijesë e periudhës moderne dhe prandaj, çdo përpjekje për të argumentuar se në Mesjetë u ngizën kombet e Europës është një manipulim ideologjik me qëllime të pastra politike në funksion të progrmeve nacionaliste dhe miteve që e mbajnë ato në këmbë. Por ka edhe të tjerë, të quajtur ndryshe primordialistë, që argumentojnë se rrënja e kombeve moderne është më e vjetër dhe se ndryshe nga sa thonë modernistët, ajo nuk duhet identifikuar vetëm te proceset ekonomike, politike dhe ideologjitë e epokës moderne, por shtihet më herët, tek etnitë e Mesjetës. Pra, thonë ky grup studiuesish, formimi i etnosit ka shërbyer si një themel për ndërtimin e kombeve modern dhe i parapriu atyre.

Pikërisht një çështje të tillë trajton edhe studimi “Arbni historik, gjeografik, kishtar dhe politik” i Aurel Plasarit, i cili plotëson temën e trajtuar prej tij mbi Skënderbeun dhe shtetin e e drejtuar nga heroi ynë kombëtar. Në qendër të kësaj sprove është procesi kompleks që shndërroi emrin e një krahine të ngushtë të fasadës adriatikase, të lokalizuar në atë që sot është Shqipëria e Mesme, në një emërtim territorial etnik. Duke rilexuar nga një prizëm i ri dokumentacionin që tashmë njihet prej historianëve, Plasari hedh dritë mbi një varg çështjesh që kanë patur dhe vijojnë të kenë një domethënie mjaft të madhe politike. Ndër to është i ashtuquajturit hiatus nëntë shekullor nga Albanët e shekullit II të erës sonë të përmendur nga gjeografi grek, Ptolemeu, tek rishfaqja e tyre në burimet e shkruara në shekullin XI; si dhe raporti midis formimit të etnosit, ndërtimit të identitetit etnik dhe shtetformimit ndër arbërit.

Kriteri historik me atë politik kanë qenë pazgjidhmërisht të lidhur në afirmimin kombëtar të lëvizjeve nacionale përgjatë shekujve XIX-XX. Në fazën e lartë të imperializmit europian, përgjatë shekullit XIX, europianët i ndanë popujt në dy grupe, në ata me histori dhe ata pa histori. Sipas këtij kategorizimi, vetëm popujt me formacione shtetërore, me institucione dhe kulturë të sofistikuar elitash që kontrollonin pushtetin politik cilësoheshin si kombe, e për rrjedhim, kishin histori. Popujt e tjerë, ata të cilët nuk identifikoheshin për nga etnia me parinë që kontrollonte pushtetin politik cilësoheshin si popuj pa histori. Kjo ndarje, e lindur në elitat politike, ekonomike dhe kulturore europiane shprehte raportet e pushtetit ndërmjet këtyre të fundit dhe pjesës tjetër të botës. Në një botë eurocentrike, ku fuqitë europianë nisën të modelonin botën sipas imazhit dhe interesave të tyre, klasifikimi i popujve me dhe pa histori krijonte hierarki që justifikonin imperializmin dhe ekspansionin europian në botë. Kështu, nën petkun moral të “misionit civilizues” apo atij racist dhe më të sinqert të “barrës së njeriut të bardhë”, popujt me histori fituan të drejtën të impononin autoritetin e tyre mbi popujt pa histori,.

Ky kategorizim pati një rëndësi të dorës së parë për lëvizjet kombëtare të Ballkanit, aktivistët e të cilave nxituan të përdornin historinë si mjet për të legjitimuar themelimin e shteteve të tyre kombëtare si dhe shterirjen e tyre territorial. Nacionalizmi në qoshen juglindore të Europës huazoi gjuhën dhe ideologjinë e imperializmit të fuqive europiane. Shtetet e reja të Ballkanit, të dala nga kalbëzimi i pandalshëm i Perandorisë Osmane, teksa nxituan ta cilësonin veten si përfaqësuese të popujve me histori, nuk vonuan t’i emërtonin popujt fqinjë si grupe pa histori. Shqiptarët do të ishin një nga viktimat kryesore të këtij racizmi historik. Jo vetëm që ideologët dhe aparati propagandistik i shteteve serb, grek dhe bullgar do t’i cilësonin shqiptarët si ardhacak të kohës së Mesjetës në trojet ku ata jetonin – duke humbur kështu përparësinë që jepte autoktonia dhe lashtësia – por ata argumentuan gjerësisht edhe se shqiptarët nuk kishin histori, nuk kishin patur shtet të tyrin dhe prandaj si etnos nuk gëzonin aftësi shtet-formuese. Prej këtej, cilësoheshin si inferior dhe legjitimohej shndërrimi i tyre në subjekt të nënshtrimit nga etni superior. Kjo do të thoshte se shqiptarët humbnin të drejtën të kontrollonin vetë territorin ku ata banonin. Vërtetimi i autoktonisë dhe i aftësive shtetformuese të shqiptarëve, të cilat do të shpreheshin me krijimin e një elite politike dhe kulturore vendase ka përbërë një tematikë shumë të rëndësishme për historiografinë shqiptare. Teksa përpiqeshin të vërtetonin vijmësinë iliro-arbërore dhe shtetformimin si proces endogen në radhët e arbërve, historianët shqiptar synonin të delegjitimonin tezat e kolegëve të vendeve fqinje, që i shërbenin projekteve nacionaliste të shteteve përkatëse. Pra, tematika që trajton Aurel Plasari nuk është aspak e shkëputur nga historia bashkëkohore, por është pjesë e historisë politike të saj si dhe debateve ideologjike që kanë rrethuar lëvrimin e dijeve shoqërore në Shqipëri dhe Ballkan.

Merita e Plasarit nuk lidhet vetëm me përfshirjen e tij në këtë debat, por ajo shtrihet edhe në risitë metodologjike dhe konceptuale. Përmes analizës ndërdisiplinore që ndërthur qëmtimin e imtë të burimeve tekstuale me kontekstin politik vendas, rajonal e mesdhetar, si dhe faktorët ekonomik, fetar dhe kulturor të kohës, Plasari flladit debatin e polarizuar të historive kombëtare të rajonit. Në këtë studim, Plasari analizon se si emërtimi i një krahine dhe banorëve të saj u shndërrua gradualisht, në shekujt e Mesjetës së Lartë dhe të Vonë në etnonnim, i cili do të përfshinte të gjithë grupet që flisnin një gjuhë të ngjashme. Argumenti i tij të sjell në mendje përkufizimin që antropologu i njohur norvegjez Fredrik Bart ka dhënë për etnosin. Sipas Bart, etnosi është një grup që diferencohet kulturalisht nga grupet e tjerë, proces ky që ndodh në kufijtë e tij, aty ky sendërtohet vetëdija mbi “veten” dhe “tjetrin”. Pra, Bart, nuk e sheh krijimin e identitetit etnik si një proces endogen, por si ekzogjen, ndërveprues, ku ideja e “Ne” ndërtohet nga marrëdhëniet dhe ballafaqimi me të ndryshmit.

Një qasje të ngjashme mban edhe Plasari, i cili heq dorë nga ideja shpesh e pranuar a priori ne literaturën historike shqiptare – të cilat Plasari i quan “ide të ngulëta” – e cila i ka mëshuar proceseve endogene, që zhvillohen brenda grupit. Në ndryshim nga këndvështrimi i deritanishëm, Plasari e shikon procesin e shndërrimit të emrit të fushës që shtrihet midis Matit dhe Erzenit – e cila quhej Arbni, që donte të thoshte ultësirë – në emërtimin e një formacioni politik si “Principata e Arbrit” dhe më pas “Mbretëria e Arbrit” si një dukuri që ishte në thelb ekzogene. Shthurja e Perandorisë Bizantine, dalja në skenë e Despotatit të Artës, ekspansioni serb dhe ai katolik, si politik ashtu edhe fetar ishin faktorë themelor në shndërrimin e emrit të një krahine në një koncept politik. Nuk do të vononte dhe emri Arbëri do të shërbente si identifikues edhe për popullësinë që u përfshi brenda kufijëve të saj politik. Shumë shpejt, arbër do të shndërrohej në një etnonim dhe do të kapërcente kufijtë politik të shtetit të Arbrit dhe do të shtrihej përtej tij për të gjitha popullësistë që flisnin arbërisht.

Ky studim i Aurel Plasarit është pjesë e një vargu punimesh të botuara vitet e fundit në Shqipëri, që synojnë të injektojnë metoda dhe qasje te reja lidhur me analizimin e të shkuarës – e për rrjedhim nxisin edhe një mënyrë të re të të parit të së tashmes. Ndryshimi që sjell Plasari, në krahasim me këto qasje te reja qëndron në shkallën e rishikimit prej tij të tezave që kanë dominuar deri vonë mendimin historiografik shqiptar. Në dallim nga studimet e “reja”, që, në frymën migjeniane të paradigmës së “kthesës kulturore” të postmodernizimit kërkojnë përmbysjen e të “vjetrës”, “Arbni historik, gjeografik, kishtar dhe politik” nuk kërkon të hedhi në koshin e historisë punimet e studiuesve të “vjetër” shqiptarë. Në fakt, studimi i Plasarit, më shumë se sa një analizë kritike e ideologjisë që fshihet mbrapa teksteve historike është një përpjekje për të ritrajtuar një çështje të mprehtë historike dhe politike. Më shumë se sa spekullim studimor i raportit mes historisë dhe politikës, “Arbni historik, gjeografik, kishtar dhe politik” përfaqëson një rrekje për të ndërtuar ura lidhëse që lejojnë një kalim evolucionar mes brezave dhe jo një ndërprerje revolucionare të traditës së shkrimit të histories. Për rrjedhim, ky studim këshillon edhe një rivlerësim më të kujdesshëm të së tashmes.

Burimi/Koha Jone