Edlira Llukacaj – Dhjetë mësime nga nji pemë

0
117

Nji i ri, i lodhun e i mërzitun, u ndal nën hijen e nji peme me bà nji pushim të shkurtë. Në dorë kishte nji libër filozofie, që kishte kohë që e studionte e përpiqej me mësue urti e dije prej tij.
I dëshpëruem si ishte, hodhi sytë nga pema e tha me zà të ulët :”Ah, të kisha kenë dhe unë pemë, sa e thjeshtë kishte me pas kenë gjithçka! As kisha pasë nevojë me mendue, as isha dëshpërue e as mërzitë!”
Për çudi, pema iu përgjigj!
“E ke gabim, bir, pemët kanë urtinë e vet e mënyrën e vet të të kenunit gjàllë. Po ti mundesh me mësu shumë prej një peme, mbasi kjo urti ka mè të vye edhe ty!
Djali u emocionu, e mezi ç’priti,
Kallzomë at’herë!
E pema nisi me kallzue me urtinë e vet.
Mësimi i parë: Pema merr formë sa asht e njomë! Njashtu edhe njeriu!
Jemi në këtë botë për me mësu, po gjithçka ka kohën e vet.
As mundesh me e drejtu ma pemën e vjetër, as mundesh me i mësu lojnat qenit plak!
Mësimi i dytë: Pemës të rrëzueme i bjen gjithkush! Prandaj kujdes bir, mundoju e mos u rrëzo mbasi t’ parët që kanë me vrapu me të rà, kan me ken ata që përfitunen dikur prej hijes tande!
Mësimi i tretë. Bishti i sopatës që ka mè na prè, del prej trungut tonë! Rreziku ma i madh asht ai që vjen prej mbrenda nesh, prej atyne që i rrisim vetë. E ma fort, ruaju tandit, bir, se ai ta ban të zezën ma fort se i huaji! Mos harro se dhambin ta thèn guri i bardhë, që të duket si oriz.

  1. Pemët ma të forta i rrit era e stuhija. Njashtu edhe njeriun e rrit sprova e vështirësija. Pema shekullore asht ajo që ka arritë me përballu furtunat, njeriu i madh asht ai që ka arritë me përballu sprovat e jetës. Çdo furtunë asht nji shans me u forcu ma fort, mos harro bir!
  2. Sa mà e thèllë të jetë rrànja, mà nalt shkon pema! Rrànjët e dobëta nuk e ushqejnë dot madhështinë, bir! Prandaj duhet me i dalë zot rranjëve, që me mujtë me u naltësu. Kush nuk i del zot rrànjëve, asht i destinuem me humbë! A ke pà pemë që harron rrànjët e veta? Forca e pemës asht te rranja, njashtu edhe e njeriut. Pema e njeriu pa rrànjë, as naltësohet e as mbijeton, bir!
  3. Pema merr frymë me gjethe e njeriu me familje e miq. Pema pa gjethe e njeriu pa njeri nuk kan vlera, bir! Merr frymë si na, me familje e miq!
  4. Asnji pemë nuk mban dert, a thu po vjen prandvera, a thu kam me bleru prap! Rrànja e gjethja, trungu e kërcejt, kryjn funksionin e vet e presin me durim, pa u dorëzu! E dijn se Zoti e ka shkrù prandveren për ta! Mësojuni me e prit prandverën me durim e me bà gjith çka ju takon me e bà, se çka ka shkru Zoti me ardhë, vjen se s’ban, bir.
  5. Pemën që ban fruta e gjùjn me gurë! Kush prodhon ide e mendime, moral e vlera, ban edhe armiq ma shumë. Kërkujt nuk i del punë me dembela e me njerëz që nuk kan vlera! Prandaj banu gadi, bir, nëse don me shtu vlera, shtoja edhe vedit forcën e rezistencën me përballu gurt që kan me të hedhë!
  6. Çdo pemë rritet në dheun e vet! Në rast se dheu nuk asht i përshtatshëm, pema thahet e mbaron. Njashtu edhe njeriu, bir, njashtu edhe njeriu…
  7. Se lind e derisa vdes, njeriu ia ka nevojën pemës, bir. A për djep, a për tabut. Mos na shifni si dru, na shifni si dëshmuese të nji urtije shekullore e merrni mend prej nesh. Kjo botë asht sa e juaja, aq edhe e jona! Prandaj, kur kalon afër nji peme, hap zemrën e ndije kangen e saj. Zoti e ka kriju gjithçka si nji libër, prandaj lexo gjithçka, bir!
    (Përshtatje nga libri “muhabet me pemën” @e.l.)

Buriumi/Facebook