Më vjen nji erë sot,
Pak si era e blinit, që shpija gjyshit kishte gjithmonē
E un kujtoja se at’erë
Veç gjyshi jem mundet me e pasë
Pak si era e ftonjve,
Të rreshtuem mbi musandër,
Te dhoma e miqve,
Aromë dashnijet muhabetit me i ardhë.
Pak si era e kafes, t’pjekun n’prush t’tangarit
Që florinit e kam kujtue…
Me teraqillek,
Si zani i butë i gjyshit,
Legjendat tu mi tregue,
Pak si era drunit, t’djegun n’ votër, ngadalë
Netve t’dimnit ngricën tuj ja thye,
E tuj na ngrohë edhe fjalët;
Më vjen nji erë sot,
E dhimbshme disi, e àthët,
Po e ngrohtë valë,
Era e shamive t’ babës,
Tek më niste për rrugë të gjatë,
E lotët e mshehun i kishte fshi me ta,
Pa m’lanë me i pà,
Era e flokve t’nanës,
Teksa më ledhatonin prej s’ largut,
Kthimin tuj ma lutë,
E krrelat e saj para sysh çdo ditë,
Egërsinë e mallit ma kan zbutë;
Era e nji shtratit t’ngrohun
N’ andrra e dashni,
Ku përrallat njalleshin mureve boj qiell
E un fëmija, ngitsha me i arritë
Era e kurabijave t’ dashtuna
Në furrën e shporetit plak
Dashni e shijueme, e rrokun çdo ditë
Më vjen nji erë sot
Ndërsa rrugët kundërmojnë era dimën,
E ankthi ajrin ma nxen
E ngas përhumbshëm kujtimeve
Me mujtê me e gjetë atë vend
Që veç brenda meje ka mbetë,
E sa herë jam vetëm-
Ma fal at’ erë…
Burimi/Facebook