EDMOND DRISHTI-RRËFIMI I TOGERIT SHQIPTAR NË NEW JERSEY: NGA ARRATISJA E BABAIT DERI TEK PROTESTAT NË SHBA….

0
214
  • EKSKLUZIVISHT PER DIELLIN: PËRNDJEKJA E BABAIT PREJ SIGURIMIT TË SHTETIT- EDMONDI, NGA MËSUES BIOLOGJIE-TOGER NË POLICI, LIDHJA ME SHQIPËRINË… PROTESTAT NË AMERIKË-GABIMI I NJË POLICI QË “DOGJI” AMERIKËN….

Toger Edmond Drishti rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York ngjarjet e jetës së tij, nga arratisja e prindërve prej regjimi komunist, deri në sukseset e arritura në Amerikë, në një intervistë dhënë gazetarit Sokol PAJA.
Historia e Toger Edmond Drishtit është një ndër historitë më të veçanta në diapsorën shqiptare në Amerikë. I lindur në Amerikë, në shtetin e New Jerseyt në vitin 1969, por që flet gjuhën shqipe shkëlqyeshëm, biri i dy prindërve të arratisur prej regjimit komunist shqiptar, trajneri i futbollit që u bë mësues biologjie e që më pas ndryshoi totalisht në atë të një Togeri të suksesshëm që mbron sigurinë e jetën e qytetarëve në Hoboken në New Jersey. Ashti si babai I tij edhe Edmondi është vatran.

BAHRI DRISHTI, ARRATISJA NGA SHQIPËRIA KOMUNISTE

Bahri Drishti, babai i Edmond Drishtit u arratis nga Shkodra për në Mal të Zi nëpërmjet urës së Bunës dhe malit Tarabosh më 1963. I ai ishte artist, muzikant, aktor teatri Migjenit ku ka lujtur dhe në një rol marinari me artisten e madhe Tinka Kurti. I zhgënjyer dhe i mërzitur nga zymtësia e regjimit komunist, që i kishte vrarë babain dhe xhaxhain e tij, dhe nga fakti që ishte piketuar prej regjimit për tu implikuar dhe dënuar më pas, Bahri Drishti vendos me çdo kush të largohet nga Shqipëria. I indinjuar për varfërinë dhe shtypjen që të ofronte komunizmi, atij i shtohej çdo ditë e më shumë urrejtja për sistemin dhe dëshira për tu larguar. Komunistët gëzonin çdo gjë, populli i varfër dhe i shtypur asgjë. Noc Bërdica dhe Ali Jegeni ishin shokët e babait të Edmond Drishtit që u arratisën për një jetë të lirë në perëndim. Bahri Drishti pasi la familjen, me dhimbje e lot, mbushi xhepat me granata në mënyrë që nëse do kapej prej komunistëve në kufi, më mirë të vetvritej sesa të binte në duart e rojeve kufitare e aq më keq të sigurimit të shtetit. O vdekje, o liri, ishte fryma dhe motoja që e mbajti gjallë për të realizuar atë që kishte në mendje e në zemër, ikjen prej ferrit dhe tmerrit komunist. Sapo kaloi kufirin shqiptar, Bahri Drishti ra në duart e UDB e cila e liroi pasi një kushëri i tij që jetonte e punonte në Mal të Zi me mbiemer Bajraktari, hyri garant për integritetin e tij. Pas Malit të Zi, Bahri Drishti dhe shokët e tij u zhvendosën në Austri dhe më pas në Kanada e më pas në USA. Në Kanada tregon Edmond Drishti, babain e ka mirëpritur familja e Mustaf Kulles dhe Avni Kulles. Në vitin 1967 mbërriti në USA dhe ndërtoi jetën me djersë, pasion e dinjitet. Edmond Drishti tregon se mamaja e tij Zylfije Drishti, është nga Tropoja dhe është arratisur kur ka qenë vetëm 3 vjeçe me familjen e saj, bashke me familjen Hysen dhe Musli Mulosmani. Më pas në Gjakovë ajo u arsimua dhe arriti Profesoreshë në Fakultet të Gjuhëve të Huaja në Prishtinë. Edmond Drishti na tegon se prindërit e tij u njohën në Manhatan, New York dhe u dhanë jetë 2 djemve të tyre.

PËRNDJEKJA NGA SIGURIMI I SHTETIT

Sipas tregimit të Edmond Drishtit, përndjekja nga sigurimi ka qenë e tmerrshme për familjen Drishti. Ai shprehet se xhaxhai i tij Osman Drishti ka thënë se nuk ka laps për të shkruar se çfarë kanë kaluar familjaret e tij në Shqiperi prej sistemit komunist, një përndjekje të fortë e të dhimbshme. Sipas Edmond Drishtit, Sigurimi i Shtetit donte në atë kohë të plekste familjarët e tij si hallën e xhaxhallarët nëpërmjet leterkëmbimeve me Agim Drishtin, por ata u treguan inteligjentë dhe i shpëtuan përndjekjes. Sigurimi i donte me çdo kusht pas hekurave. Në vitet 1982-83 kur në USA po bëhej një plan që babai i Edmond Drishtit, Bahri Drishti sëbashku me Xhevdet Mustafën, do shkonin në Shqipëri për të rrëzuar regjimin komunist, në çastin final Bahri Drishti tërhiqet kur nuhat se Sigurimi i Shtetit ishte kamufluar dhe kishte kontroll të plotë mbi këtë operacion që do kryhej në Shqipëri. I ati i Toger Edmondit, Bahri Drishti ka organizuar disa koncerte në New York , Boston, Michigan, dhe përgjatë gjithë këtyre viteve ka ndihmuar pafundësisht shumë shqiptar brënda dhe jashtë atdheut, sidomos pjestar të komunitetit shqiptar në USA.

NGA MËSUES BIOLOGJIE NË TOGER POLICIE

Edmond Drishti na rrëfen se ka mbaruar shkollën për Biologji në New Jersey dhe ka qenë trajner futbolli kryesisht me fëmijët e deri te moshat të mëdha. Ishte daja i tij që e shtyu të ndiqte rrugën e policisë si mision për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Gjithashtu Arbeni i vëllai arriti rezultate maksimale. Edmond Drishti u fut në polici në vitin 1997, ku më 23 shtator të këtij viti mbushen plot 23 vjet karrierë, punë dhe përkushtim. Aktualisht është President i Sindikatës së Policisë në Hoboken në New Jersey, i përzgjedhur me vota maksimale si vlerësim i profesionalizmit dhe modelit të promovuar në ekipin profesional të togës së policisë rrugore në Hoboken. Në shkurt të këtij viti Edmond Drishti, ishte e pari që u dekurua nga Shoqata Amercan-Albanian Law Enforcers, si Officeri e Vitit. Kjo shoqatë është krijuar për të mbledhur gjithë Shqiptaro- Amerikanët policë të shtetit N.J.

SHQIPËRIA SIPAS EDMOND DRISHTIT

Edmond Drishti është i lindur në Amerikë dhe flet një gjuhë shqipe të shkëlqyer. Viziton Shqipërinë çdo vit që prej vitit 1991. Dashuria për vendlindjen dhe dëshira për të parë rrugëtimin e përparimin e vendit, e bëjnë lidhjen e jashtëzakonshme dhe të paharrueshme me atdheun. Edmond Drishti shprehet se është për të ardhur mirë që zhvillimet e Shqipërisë kanë qenë të jashtëzakonshme në raport me të qenurit vend komunist dhe kaosin tranzicional të tejzgjatur. Ajo që ai mendon se është problem në Shqipëri është struktura politike e shtetit, është kaotike dhe ka 100 parti që nuk sjellin asgjë. Aty ka dy rryma të majtë ose të djathtë. Shqipëria, sipas Toger Drishtit, po të ishte kthyer në Monarki si simbol, sot ndoshta shteti shqiptar do ishte më i fortë dhe qytetarët do ishin më të lumtur në atdheun e tyre. Mendimi Toger Drishtit është se: ishte e dhimbshme që referendumi iu vodh Mbretit Zog. Sipas Togerit Drishti Shqipëria sʼka edukatë të ligjit. Mblidhen në Parlament dhe votojnë ligje për të shkatërruar ligjet ekzistuese dhe institucionet. Edmond Drishti tregon se nuk ndodh askund në botë si në Shqipëri: pazare pafund, politikanë të pangopur, 30 vjet të njëjtët politikanë, gati gati si Enver Hoxha dhe byroja e tij. Sipas Edmond Drishtit, Shqipëria dhe problemet reale dalin më së miri në pah te Ismet Drishti (çuni xhaxhait të Edmondit), i cili në Televizionin e tij Zjarr T.V ironizon me humor situatën e klimës politike që ekziston sot për sot në Shqipëri. Toger Edmondi këmbëngul se Shqipëria ka djem dhe vajza të shkolluar në universitetet më të mira në botë. Ka klimë fantastike dhe të gjitha llojet e turizmit. Duhet ndërruar klasa politike e korruptuar që të zhvillohet Shqipëria. Fatet e vendit duhet ti marrrin rinia e shkolluar në perëndim. Ka plot shqiptarë që po shkëlqejnë në çdo vend të botës. Le të vijnë ata me rininë shqiptare ta bëjnë Shqipërinë. Politikanët duhet të dinë të thonë stop, duhet ta kuptojnë kur duhet të largohen. Është një turp i madh sesi ndryshon Kushtetuta e sesi miratohen ligjet në Parlamentin Shqiptar. Është e dhimbshme sesi një individ i vetëm ndryshon siç do ai ligjet e vendit. Kjo është e papranueshme në botën perëndimore. Politikanët shqiptarë duhet të ndryshojnë mënyrën sesi e shohin ligjin dhe institucionet e pavarura. Në Shqipëri duhet të ndryshojë ideja se politikani është i përjetshëm dhe mund të bëjë çʼtë dojë me popullin dhe ligjet e vendit. Mos ndëshkueshmëria e të keqes dhe kompromisi me të keqen është ajo që e lë vendin mbrapa. Edukata e ligjit dhe e institucioneve duhet të jetë në parim për çdo qytetar, respekti për ligjin e shtetit dhe të gjithë ata që përfaqësojnë interesat e shtetit, ligjit e qytetarit.

PROTESTAT NË AMERIKË

Edmond Drishti shprehet se vdekja e George Floyd gjatë një arrestimi nga policia, u kthye në një ndër ngjarjet me të bujshme të kohëvë të fundit në Amerikë, që ishte gabimi i një polici që dogji Amerikën. Sipas tij, kjo situatë e krijuar është jo e drejtë sepse nuk mund të njollosësh të gjithë punën e policisë për gabimin e një polici. Nuk janë aspak të arsyeshme dhe të drejta këto protesta të dhunshme dhe të ekzagjeruara. Policia ka nevojë për mbështetje, jo për sulme. Togeri Edmond Drishti na paraqet të dhënat statistikore të vitit 2019, ku në total ka patur rreth 375 milion persona që kanë pasur përplasje me policinë në Amerikë, 1 mijë janë vrarë nga policët dmth 0.00004 % ku nga këto 14 kanë qenë njerëz me ngjyrë 0.00003%, dhe nga këto 14 persona kanë vetem 2 vetë ishin pa armë, të gjithë të tjerët kanë qënë të rrezikshëm për sigurinë publike dhe jetën e qytetarëve. Reagimet në Amerikë kanë qenë tepër të ekzagjeruara. Policia duhet të shihet nga qytetarët si mik, jo si armik, pasi ne shërbejmë ligjin, mbrojmë jetën e qytetarëve, institucionet e shtetit dhe sigurinë publike, mbyll tregimin e tij për gazetën Dielli, Toger Edmond Drishti.

Fotografia e Dalip Greca
Fotografia e Dalip Greca
Fotografia e Dalip Greca
Fotografia e Dalip Greca

Burimi/Facebook – Dalip Greca