Ekrem Spahiu – 10 vjet më parë, më 30 nëntor 2011 ndërroi jetë Mbreti Leka I.

0
103

Mbreti Leka, do të mbahet mend dhe do të përkujtohet përjetë për vlerat prestigjioze kombëtare, të cilat i mishëroi në konsekuencën politike mbretërore ndaj të ardhmes së Shqipërisë dhe të kombit shqiptar. Ai nuk abdikoi kurrë nga froni mbretëror, duke ruajtur të pacënuar besimin për këtë të ardhme.
Për Mbretin Leka, çështja kombëtare përbënte shqetësimin dhe angazhimin kryesor të gjithë jetës së Tij, për të cilën sakrifikoi dhe mbajti çdo kosto për veten dhe familjen mbretërore.
Besimplotë dhe i përkushtuar në konsekuencën politike mbretërore, Mbreti Leka I, jo vetëm që ishte kundër regjimit dhe diktaturës komuniste, por edhe e luftoi atë me të gjitha mënyrat.
Mbreti Leka, është burrështetasi më i votuar nominalisht në historinë politike të Shqipërisë. Këtë e tregon rezultati i Referendumit të 29 qershorit 1997, i shpallur zyrtarisht nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, në të cilin votuan pro Monarkisë 450,478 zgjedhës, baraz me 33.26 % të votuesve. Ndërkohë, sipas të dhënave nga komisionerët e monarkisë në qendërat e votimi, rezultati real i arritur në atë Referendum, në rang kombëtar, ishte 54% pro Monarkisë.
Kjo shkallë e lartë popullariteti u manifestua edhe gjatë pritjes që iu bë Mbretit Leka në Rinas, e cila do të mbetet në librat e historisë si pritja më madhështore dhe më entusiaste që i është bërë ndonjëherë personaliteteve të kombit shqiptar.
Për ndarjen nga jeta të Mbretit Leka, më 3 dhjetor, Shteti Shqiptar organizoi një ceremoni mortore zyrtare dinjitoze homazhesh e lamtumire në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë, e cila kishte një domethënie të madhe për institucionin e Mbretërisë. Dita kur u zhvillua ceremonia u shpall ditë zie kombëtare, duke ulur flamurin në gjysëm shtize në të gjithë institucionet. Drejtuesit më të lartë shtetërorë, nga Shqipëria e Kosova, kryetarët e të gjitha partive politike, krerët e të gjitha besimeve fetare, dhjetra mijëra qytetarë e bashkëkombas nga të gjitha trevat shqiptare, i dhanë lamtumirën e fundit Mbretit të tyre.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Mbretin Leka I.

Burimi/Facebook