Enver Bytyci – Srebrenica – një gur në qafën e Edi Ramës?!

0
19

Enver Bytyçi
Sot parlamenti shqiptar, saktësisht mazhoranca e komanduar nga kryeministri i vendit, Edi Rama, hodhi poshtë një rezolutë të sponsorizuar nga opozita e Sali Berishës për të dënuar masakrën e Srebrenicës dhe për ta cilësuar atë si genocid. Kjo masakër është njohur si e tillë nga dhjetëra parlamente të vendeve europiane, por edhe në rajon. Ajo është cilësuar si genocid me vendim të Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi. Por Edi Rama refuzoi ta pranojë këtë fakt. Refuzoi që masakrimi i mbi 8000 muslimanëve në harkun kohor të 48 orëve në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë të quhej genocid.
Jo rastësisht ky qëndrim anti-human dhe pro-dhunës e krimeve serbe i Edi Ramës u shpreh vetëm pak orë pasi ai darkoi me shumë entusiazëm në Bruksel në krah të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe përfaqësuesit të presidencës boshnjake, liderit të serbëve të Bosnjës, Dodik. Vuçiq dhe Dodik e kanë refuzuar sistematikisht dënimin e kësaj masakre. Të njëjtën gjë bëri sot Edi Rama dhe mazhoranca e tij parlamentare. Madje kjo mazhorancë e çmendur nuk reshti të sulmojë opozitën dhe liderin e saj Berisha me akuza përtej kërkesës për të dënuar masakrën e Srebrenicës.
Nga diskutimet dhe debati në sallën e parlamentit doli shumë qartë se kreu i mazhorancës, si dhe sejmenët e tij në sallën e parlamentit janë më agresiv dhe urrejnë më shumë opozitën në Shqipëri, sesa krimet serbe në Bosnjë, në Kosovë dhe në Kroaci. Ata ishin të gatshëm të dënonin çdo opozitar dhe kreun e opozitarëve, por jo edhe krimet e Aleksandër Vuciq e të Milorad Dodik kundër muslimanëve në Bosnjë-Hercegovinë e sidomos në Srebrenicë dhe Sarajevë, ku kanë humbur jetën rreth 25 mijë njerëz të pafajshëm.
Duke mbrojtur masakrën serbe në Srebrenicë Edi Rama praktikisht mori në mbrojtje kriminelët e luftës, Ratko Mlladiç dhe Radovan Karaxhiç, dy përgjegjësit kryesorë të këtij genocidi, të dënuar tashmë me burgim të përjetshëm në Gjykatën e Hagës. Për kryeministrin shqiptar masakrat dhe krimet kundër njerëzimit që Serbia ka kryer në Ballkan, përfshirë edhe ato në Kosovë, janë thjesht një “rrëmujë” e rastit dhe e kryeneqësisë së një individi, Sllobodan Milosheviçit, por jo edhe akte ç’njerëzore të krahasueshme me genocidin e nazizmit!
Në fakt Edi Rama po mbron me stoicizëm mikun dhe vëllain e tij, president të Serbisë, i cili është një nga autorët dhe frymëzuesit kryesorë të këtyre masakrave. Në kohën kur ndodhi Srebrenica Vuçiq deklarohej se “serbët do të vrasin 100 muslimanë për një serb që ata mund të vrisnin”! Eshtë e mjaftueshme kjo deklaratë e kreut të sotëm të shtetit serb, që ai të ishte para një toge gjyqtarësh ndërkombëtarë për t’u përgjigjur për krime kundër njerëzimit. Dhe pikërisht për këtë arsye kreu i ekzekutivit të Shqipërisë nxiton t’i bëjë parapritë akuzave kundër shefit të shtetit serb.
Ndërkaq duhet thënë se nga një parlament i populluar me trafikantë, hajdutë dhe kriminelë në fushën e pastrimit të parave nuk pritej diçka ndryshe. Ky parlament me përfaqësues të shumtë të organizatës kriminale në pushtet, nuk mund të votojë dënimin dhe ndëshkimin e krimeve kundër njerëzimit! Vota e Edi Ramës, Taulant Ballës, Damian Gjiknurit, Arben Ahmetajt, e të njëjtëve të tjerë në atë sallë nuk pritet të shkojë në favor të viktimave të krimit shtetëror serb, por në mbrojtje të agresorëve dhe kriminelëve serbë që i kanë shkaktuar ato viktima. Kriminelët nuk votojnë kundër kriminelëve!
Vota e sotme kundër rezolutës që dënon genocidin serb në Srebrenicë është paralajmërim i një vote tjetër kundër nga ana e mazhorancës së Edi Ramës në parlamentin shqiptar për një rezolutë tjetër që do të paraqitet aty për të dënuar genicidin serb në Kosovë! Pas dy ose tri javësh në atë sallë do të ketë edhe një rezolutë për Kosovën. Por edhe në këtë rast garda mbrojtëse e Beogradit do të sulmojë opozitën dhe Sali Berishën, në vend që të dënojë krimet kundër njerëzimit që Serbia ka kryer në Kosovë.
Edi Rama është i gatshëm të përballet e ta sulmojë edhe George Sorosin, nëse ky i del kundër, por jo edhe Serbinë. Sepse po dënoi Serbinë, atëherë atij do t’i duhet të përballet me zemërimin e Aleksandër Vuçiq. Dhe kjo do të thotë më pas të zbulohen aferat politike e jo politike midis tyre. Ndaj dhe akti i sotëm i paprecedentë i refuzimit të Srebrenicës duhet lexuar si akt bashkëpunimi dhe pengmarrjeje të kryeministrit të Shqipërisë nga ana e Beogradit!

Burimi/Facebook/Autori