Ermal Ulqinaku – Memorie nga Namik Mehmeti

0
25

Në lagjen Parrucë jo larg burgut të madh të qytetit, shtëpia ku ne jetonim ishte me përmasa
të mëdha , dhoma, soba , hajate, kuzhina dhe oborr, kopsht me pemë e lule.
Me burgosjen e babait tonë Et-hem Rrema (Mehmeti) ishte i dënuar si “Armik i Popullit”
me 10 vjet burg politik vetëm se kishte shërbyer si (prefekt, kryetar komune etj.) ,duke vuajt dënimin nga 1945 deri më 1953 duke përfitu dy vjet falje.
Gjatë kohës që baba ishte në burg nëna jonë Laja ( halla e babës) duhej të përballonte jo vetëm rritjen e tre djemve (Skender, Namiku,Reshati) më i madhi 6 vjeç e më i vogli 2 vjeç por edhe të punonte për të siguruar jetesën , për të na ruajtur nga vetmia (pasi të afërmit kishin frikë të afroheshin) të ndiqte bashkëshortin e saj në kampet e punës , Maliq apo Beden të Kavajës.
Jetesa jonë u bë disi më e sigurtë kur erdhi të jetojë me ne daja Haki Ulqinaku ( gjyshi im), që ishte në shënjestër si tregtar e pronar anije, duke hyrë e dalë në portet e Italisë ,deri në ardhjen e komunistëve në pushtet.
Ne tre vllaznit kur filluam të shkonim në shkollë
fjalën burg e mësuam së bashku me fjalët e para të abetares, pasi mungesa e babës justifikohej nga nëna me fjalën burg.Dhe aq më tepër kur na merrte me vete në ditët e takimit një herë në muaj.
Duke u rritur, mësuam të shkonim në ditë të caktuara në dyert e burgut për ti dërgu ushqime e ndërresa.Gjyshja kur i kërkonim të mësonim diçka pse ishte baba në burg pasi disa komshi (familje komuniste ) na quanin fëmijët e zogistit dhe ajo na thoshte po mësuat
shkëlqyeshëm baba do të lirohej më shpejt.
Por kur nëna punonte me turne tek ish -Tisazhi
ne merreshim me një arkë druri që ishte sjellë nga Italia që brenda kishte dokumenta, letra e foto. Gjyshja na thoshte se aty ishin ruajt napolona , xhevahire që nëna ishte e detyruar ti dorëzonte ose ti shiste.
Po ajo arkë e vogël na befasoi kur pamë se mes dokumenteve ishin emërimet e babës me firmën e Mbretit Zog në detyra si prefekt e kr/komune si edhe pasaporta, falenderime e vlerësime për punën në pothuajs në gjithë Shqipërinë.
Por me lirimin e tij nga burgu ato relike nuk i pamë më.
Shumë vonë pasi baba kishte ndërru jetë nëna na afroi disa foto sidomos ato që ishin realizu në Vermosh me Bajraktarët e Veriut si edhe me Prek Calin.
Por fotografia që ka vlera historike është ajo me Kolonelin Hill si edhe me Komandantin Shaban Elezi.

Burimi/Facebook/Gegnisht