FAHRI BEQIRI – Kam punuar me Ilirin shumë projekte muzikore, që nga viti 1991 e këndej.

0
93

Kompozitor
Kam punuar me Ilirin shumë projekte muzikore, që nga viti 1991 e këndej.
Ai pat ardhur në shtëpinë time në vjeshtën e vitit 1991. Tekstet e këngëve i kishte të shkruara me vete, ndërsa meloditë e tyre i kishte në mendje. Ai i këndonte ato përderisa unë i shkruaja në partiturë. Meloditë që mi sillte ishin mjaftë domethënëse për mua dhe të njëjtat më jepnin mundësi të mira për orkestrim. Ishin këngë që përkonin me realitetin e kohës, me mospajtimin tonë popullor kundrejt pushtuesit, me dëshirat dhe aspiratat tona për liri e pavarësi.
Derisa po bënim provat në ambientet e SHKA “Ramiz Sadiku” të studentëve në Prishtinë, administratorët e pushtetit na i mbylli dyert e këtij institucioni kulturor. Atëherë kaluam në shtëpinë time që ta përfundojmë punën e nisur. Mbaj mend incizimin e 10 këngëve të albumit muzikor “Këngë e rrallë”, në Radiotelevizionin e Shkupit, duke filluar nga ora 23 e mesnatës, (sepse vetëm atëherë mund të incizonim, në gjysmë ilegalët) deri në orën 6 të mëngjesit. E kisha drojë së mos po më lodhet solisti, sepse i duhej të këndonte tek në orën 3 pas mesnate, por jo, Iliri më befasoi me kondicionin kundrejt gjumit dhe lodhjes. Aty kuptova edhe më shumë përkushtimin e tij, seriozitetin dhe disiplinën ndaj punës, ndaj muzikës, ndaj asaj që donim ta arrinim bashkërisht.
Bashkëpunime tjera kemi pasur në vazhdimësi, në koncerte dhe festivale, kudo, edhe nëpër Evropë.
Në marsin e vitit 1998, Kosovën e mbuloi një heshtje e frikshme, pas rënies heroike të familjes Jashari në Prekaz. Një javë pas kësaj beteje e mora Ilirin në telefon dhe e ngushëllova, duke i sugjeruar që të mendojë për një këngë të re, për këtë ngjarje heroike. Ishte kohë e orës policore, jo vetëm në Prishtinë, por gjithandej Kosovës. Kënga do të realizohej në bodrumin e shtëpisë sime (në studio), duke bërë roje me radhë, herë Valboni e herë Ylberi, përderisa Valtoni punonte me Ilirin pandërprerë. Kjo këngë “ Këtu shkëlqen plisi”, pas disa ditëve u filmua me shumë sakrificë në Teatrin “Dodona” në Prishtinë dhe filloi të shfaqej për çdo natë në programin satelitor të Radiotelevizionit Shqiptar, në Tiranë. Fuqia e saj shfaqte mosdorëzimin popullor dhe mendoj së ka bërë punën e vetë. Iliri nuk u ndal asnjëherë duke krijuar e duke interpretuar këngë të bukura deri te kënga “Pavarësia”, një realizim i shkëlqyeshëm në të gjitha komponetet e saj.
Nëse duhet ta përkufizoja me një fjali Ilirin, atëherë do të thosha: Person i duhur, në kohën e duhur me këngët që ia dhuroi këtij nënqielli!
20 nëntor, 2020
Prishtinë

Burimi/Facebook