Familja gjen pas 38 vitesh vajzën e braktisur Afërdita Dule

0
112

Afërdita ishte vetëm 8 muajshe kur babai Uzeir Dule u detyrua t’a lejë në Shtëpinë e Fëmijës në Vlorë nga pamundësia ekonomike për t’a rritur. Pas lindjes së tre fëmijëve, Mejdo Dule u sëmur rëndë dhe mjekët e shtruan në spitalin psikiatrik të Vlorës. I gjendur në kushte të tilla, me tre fëmijë shumë të vegjël e një bebe të sapolindur për të cilën nuk kujdesej dot, Uzeiri dha lejen që Afërdita të qëndronte në jetimore derisa të arrinte moshën për t’u futur në klasën e parë. Gjatë viteve ata e panë shumë pak vajzën dhe kur shkuan përfundimisht për t’a marrë në shtëpi, u thanë se ajo ishte adoptuar. Nga ky moment humbi çdo shpresë se më e vogla do gjendej sërish e do kthehej në gjirin familjar. Pesë vite më parë, Uzeiri po kryente disa procedura për ndihmë ekonomike në Sarandë por ajo i’u refuzua për shkak se vajza Afërdita e cila figuronte ende në trungun e tij familjar sipas ekspertëve “ishte në një moshë madhore dhe në gjendje për të punuar”. Ky ishte momenti ku Uzeiri filloi procedurat për t’a çregjistruar vajzën por gjendja civile nuk pranoi për shkak se sipas tyre “ky person ekziston pavarësisht se është adoptuar në Itali”. Armandi, vëllai i Afërditës fillon kërkimet por nuk zbulon gjë përveç një vendimi gjykate të Tiranës të vitit 1991 që vërtetonte se Afërdita Dule ishte adoptuar nga një çift italian. Ai vihet në kontakt me stafin tonë dhe rrëfen gjithë historinë. Pas një pune gati dy vjeçare, stafi arrin të lokalizojë vendndodhjen e Afërdita Dules në provincën e Trapanit në Siçili. Që prej adoptimit të saj, ajo kishte marrë një identitet të ri me emrin Maria Pia. Prej fillimit, Maria është treguar e gatshme të bashkëpunojë për të zbuluar origjinën e saj por gjithmonë me një pyetje që e mundonte: përse më braktisi nëna ime? A kam familje, motra e vëllezër?
Nuk ishte e lehtë për t’a bindur që të vinte në studion e “Ka një mesazh për ty” në TV Klan por më në fund Maria vendosi. Mbi të gjitha donte të ndante historinë e saj, atë që ajo e quan “Aushvic” si emri i kampit famëkeq të nazistëve. Pikërisht këtë emërtim të frikshëm i ka vënë institucionit ku ka jetuar gati 8 vitet e para të jetës, Shtëpisë së Fëmijës në Vlorë. Ajo ka kujtuar horrorin e përjetuar në institucion ku punonjëset e linin atë dhe fëmijët e tjerë pa ushqyer dhe i dënonin sa herë që tentonin të vidhnin për të mbijetuar. “U detyrova të ha deri dhe buburreca të zinj” tha mes lotëve Afërdita apo Maria Pia. “Ngrihesha natën për të vjedhur ushqim e për të ushqyer fëmijët e tjerë që ishin më të vegjël se unë të cilët qanin nga uria. Kur më zbuluan më futën në izolim, pa bukë e pa ujë”, rrëfeu ajo. Trajtimi i keq i kishte shkaktuar deformim të trupit. Fëmijët si ajo në jetimore, nuk laheshin, kishin zënë morra dhe shpesh edhe vdisnin nga sëmundje ngjitëse. Një ditë kur tashmë ishte zhvendosur në Tiranë, ajo u la për herë të parë dhe u vendos në rresht me fëmijët e tjerë. Ky ishte momenti kur e kuptoi se dikush do të adoptohej ndaj sapo pa një çift përpara tyre, nxitoi e para dhe i përqafoi si për të shpëtuar nga ai ferr që kishte kaluar deri në atë kohë. Çifti italian e adoptoi menjëherë Afërditën dhe pas mbërritjes në Siçili filluan nga e para, si me një të porsalindur t’a edukojnë e t’i falin gjithë dashurinë e përkujdesin e munguar. “Kalova nga stalla tek yjet” tha në mënyrë figurative Maria për gjithë pjesën tjetër të lumtur të historisë. Prej një viti është bërë vetë nënë dhe nga kjo ndjesi e fituar, ajo nuk ka arritur kurrë t’a kuptojë sesi një nënë, një familje mund të braktisë një fëmijë. Prandaj dhe vendimin për të takuar babain në studion e “Ka një mesazh për ty” e kishte të vështirë megjithse në sytë e saj lexohej dashuria. Sërish, për herë të dytë, ajo “shkeli” mbi dhimbjen e Afërditës që e kishte “varrosur” prej 30 vitesh dhe pranoi që si Maria Pia të shkojë e të përqafojë babain, vëllain dhe motrën.
Pas 38 vitesh familja gjen vajzën e tyre Afërdita Dule. Babai Uzeir ndihet keq pas përqafimit me vajzën ndërsa vëllai Armand dhe motra Ermira nuk u besojnë syve. Ëndrra e të gjithëve u bë realitet. Maria Pia duket se e ka “flakur” tej zemërimin që mbante bashkë me emrin Afërdita për braktisjen nga familja dhe horrorin e përjetuar në jetimore. Dashuria me të cilën është rritur nga prindërit adoptues e ka bërë që të falë çdo gjë e të shohë vetëm drejt së mirës… Ajo mori përgjigjen që i mungonte prej vitesh!
Nëse keni një histori të ngjashme, ju inkurajojmë të na shkruani në rrjetet tona sociale apo në email: gjurmetejetes@gmail.com dhe ne do ju vijmë në ndihmë.
Linku i emisionit: https://www.youtube.com/watch?v=6bXLBcpLoDQ
Bernard Pecnikaj

Mund të jetë një imazh i 4 persona, njerëz në këmbë dhe teksti
Mund të jetë një imazh i 3 persona, njerëz në këmbë, ambiente të brendshme dhe teksti që thotë "ED E GJURMET JETES"
Mund të jetë një imazh i 2 persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të brendshme
Mund të jetë një imazh i 5 persona, njerëz në këmbë dhe ambiente të brendshme

Burimi/Facebook/Gjurmet e Jetes – Traces of Life Albania