Fatos Baxhaku (1964-2019)

0
16

Fatos Baxhaku (Tiranë, 9 janar 1964 – 16 gusht 2019) ka qenë gazetar, publicist dhe pedagog shqiptar, një nga pionierët e shtypit të pavarur prej fillimit të viteve ’90. Autori i njohur i reportazheve të shkruara dhe televizive, studiues i historisë, një penë e mprehtë kritike e tranzicionit shqiptar. Fatos Baxhaku u nda nga jeta në moshën 55-vjeçare.

Baxhaku ka lindur ne Tiranë më 9 janar ne 1964, i biri i pedagogut Shaban Baxhaku.[2] Shkollimin e parë e kreu në shkollat asokohe 8-vjeçare “Emin Duraku” dhe “20 Vjetori”, (sot Dora D’Istria). Shkollimin e mesëm e kreu në gjimnazin “Ismail Qemali”. Pergjatë viteve 1982-1986 studioi në Unversitetin e Tiranës në fakultetin e Histori-Filologjisë ku u diplomua në histori.

Që nga viti 1986 e deri më 1992 punoi në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Nga viti 1993 e deri në vitin 1998 ishte bashkëthemelues, kryeredaktor dhe gazetar i “Gazetës Shqiptare”. Në periudhën 1998-1999 ishte kryeredaktor i parë i lajmeve në televizionin “Klan”. Në 1999-2000 ishte kryeredaktor i revistës së përjavshme “XXL”. Në periudhën 2001-2005 ishte kryeredaktor dhe gazetar në televizionin “Vizion Plus”. Ne periudhën 2006-20015 ishte kryeredaktor dhe gazetar në të perditshmen “Shqip”.

Nga viti 2015 ishte gazetar në profesion të lirë. Fatos Baxhaku është autor ose bashkautor i serialeve me reportazhe “Tunel” (Vizion Plus), “Rrugëtim” (Top Channel), “Shtëpia e Vjetër” (Digitalb) si dhe i shumë dokumentarëve televiziv. Ka qenë disa here pedagog i jashtëm i gazetarisë në Universitetet e Elbasanit dhe Tiranës. Ka qenë anëtar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Bashkëpunëtor në shumë projekte trajnimi me Soros, USAID, Instituti Shqiptar i Medias, OSBE, etj.

Botime: Die Stammmesgesellschaften Nordalbaniens, bashkëautorësi me Karl Kaser, Vjenë 1996; Gur, 2008; Në Mirditë & rreth e rrotull, 2009; Roje, 2010; Çadra e kuqe: histori fatesh austro-shqiptare në shekujt XIX -XXI, 2013; Gra të përgjithshme, me bashkëautore Klodiana Kapon, 2014.

Burimi/urbannews.al/