Ferial Alibali, një nga themelueset e teatrit profesionist.

0
129

Nga Gëzim Kabashi – ATSH
Teatri shqiptar përkujton 88 vjetorin e Ferial Alibalit, një nga aktoret e para të skenës profesioniste të vendit tonë. Bashkë me kolegë të saj mjaft të rinj në moshë, 68 vite më parë, në janar të vitit 1953, kur ishte vetëm 20 vjeç, Feriali u bë një nga aktoret themeluese të teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Ajo lindi më 10 janar të vitit 1933 në Lushnje dhe u nda nga jeta, më 14 maj të vitit 2011, pasi kishte provuar edhe vuajtje e zhgënjime të rënda.
Në skenën e “Moisiut” 🎭
“Meçule, ky ishte mbiemri i vajzërisë së Ferial Alibalit, – tregon 87 vjeçari Lutfi Hoxha, një nga aktorët veteranë të teatrit tonë.
Me këtë mbiemër e njohëm kur erdhi në Durrës nga Lushnja, ku kishte lindur dhe kaluar fëmijërinë. Feriali ishte aktore e vërtetë. Ajo kishte përfunduar liceun artistik në Tiranë, në degën e aktrimit, në të njëjtin kurs me Kujtim Spahivoglin, Pirro Manin, Esat Oktrovën dhe Mihal Luarasin, që u bënë më vonë emrat më të shquar të regjisurës sonë teatrore”.
Kujtimet për shoqen e fëmijërisë dhe rinisë së hershme i sjell edhe Margarita Xhepa, artistja e shquar e Teatrit Kombëtar: “Me Ferialin kam kujtime shumë të bukura. E kam njohur në qytetin tonë të lindjes, në Lushnje. Ishim të reja, nuk dinim se ç’ishte arti, por e kemi dashur, dhe jemi angazhuar në art. Përveç aktiviteteve në shkollë, ne kemi pasur edhe shtëpinë e kulturës, ku një grup amatorësh merrej me teatrin. Feriali u dallua që në atë kohë. Më vonë, pasi mbaroi Liceun Artistik, ajo u emërua në Teatrin e Korçës, ku ka interpretuar jashtëzakonisht mirë dhe ka pasur disa role”.
“Ferial Alibali ishte mes aktorëve të parë profesionistë të Durrësit, të cilët e fituan këtë status më 11 janar 1953, dita që njihet edhe si data e themelimit të këtij teatri – do të kujtonte regjisori i ndjerë i estradës, “Artisti i Popullit” Gjergj Vlashi. – Regjisori Pandi Stillu, që drejtonte trupën e Teatrit Nacional erdhi në Durrës për të vënë në skenë shfaqjen përuruese dhe bashkë me të erdhi edhe Ferial Meçule, e cila ishte përzgjedhur për njërin nga rolet kryesore në komedinë e Fatmir Gjatës “Vajza nga fshati. Spiro Urumi, Kolë Tafili, Meropi Xhoja, Semiha Ishmi, Lazër Murati, Thanas Xhimitiku, etj, ishin disa nga aktorët durrsakë që i dhanë jetë kësaj shfaqje në sallën e vjetër të teatrit, e cila në vitet e mëvonshme do kthehej në kinema ‘14 nëntori’”. Më 12 prill të vitit 1953 trupa “Aleksandër Moisiu” e bashkë me ta edhe Ferial Meçule u ngjit për herë të parë në skenë me cilësinë e teatrit profesionist. Premiera e komedisë “Vajza nga fshati” të autorit Fatmir Gjata u shfaq me sukses 44 herë dhe ndoq nga 19.648 shikues, dëshmojnë statistikat e teatrit.
📍 Feriali, Vera dhe Semihaja, shoqet aktore
Feriali, Vera dhe Semihaja ishin shumë shoqe. Aktorja nga Lushnja ishte bërë tani vajzë Durrësi dhe banonte me qira pranë familjes Toka, në rrugën e Kuminit, shumë pranë qendrës së qytetit. “Në një pjesë ruse kam qenë partner me Ferialin, ndërsa rolet e prindërve i luanin Margarita Gallani dhe Vlash Kalavaci”, – kujton fillimet e tij si aktor profesionist Lutfi Hoxha. Feriali ishte aktore e shkolluar dhe suksesi i saj u ripërsërit në operetën “Erë e lirë” ku ajo këndonte, kërcente dhe aktronte njëkohësisht. I përket kësaj kohe dashuria e Ferialit me Xhevatin. – Ata duheshin dhe Xhevati vinte çdo fundjavë nga Tirana për të qëndruar me Ferialin. Menjëherë pas martesës Xhevat dhe Ferial Alibali u vendosën në Tiranë ndërsa vajza që e preku suksesin që në Durrës, do të jepte kontributin si aktore në teatrin më të njohur të vendit tonë. Përkrah saj në Teatrin Popullor tashmë ishin korifenjtë e skenës, nga Loro Kovaçi e Pjetër Gjoka te Marie Logoreci e Violeta Manushi. Alibali aktroi në këtë teatër deri në vitin 1975, me 50 role të ndryshme, ndër të cilët spikasin rolet e Zogës, Nastjas, Drandes, Mirës, Hajries, Nicës etj. si dhe në disa nga filmat artistikë shqiptarë të kohës. Aktrimi i Ferialit do të kujtohet gjatë në interpretimin e plakës Nicë në dramatizimin e mrekullueshëm të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të shkrimtarit Ismail Kadare. Me këtë rol do të mateshin më vonë edhe figura të mëdha të teatrit shqiptar dhe të kinemasë botërore, por loja e Ferial Alibalit “jo vetëm që kishte përshtatshmëri të përsosur me rolin, por dhimbja e shpirtit ndjehej tek zëri e portreti i saj, dhe kjo ishte e magjishme”, – dëshmon kolegia Margarita Xhepa.
Drama shpirtërore e aktores
Drama e vërtetë shpirtërore e Ferial Alibalit do të konsumohej në heshtje në mjediset e teatrit popullor, kur në vitin 1975 Xhevat Alibali do të burgosej me një aktakuzë që kishte vetëm një rresht. “‘Agjitacion kundër pushtetit popullor’. Kjo gje i kushtoi 10 vite burgim në Spaç, ndërsa për fëmijët Neritanin dhe Anilën do të kujdesej vetëm e ëma“. Ferial Alibali, njëlloj si aktorja Edi Luarasi, do të punonte për vite me radhë si rrobaqepëse për të mbajtur familjen, ndërsa kolegët e saj do të përpiqeshin me shpirt për ta mbajtur si garderobiere në Teatrin Popullor. Pasi doli në pension Ferial Alibali nuk desh të kthehej më në skenën ku ishte rritur dhe ku bashkë me emocionet e teatrit, kishte provuar edhe padrejtësinë e ashpër. Ishin vitet 1990 dhe kohët kishin ndryshuar, por ajo preferonte të ulej në poltronën e spektatores për të shijuar magjinë së cilës i fali aq shumë dhe që me siguri do ta shoqërojë në jetë të jetëve.

Imazhi mund të përmbajë: 1 person, danser, duke qëndruar dhe på scenen
Imazhi mund të përmbajë: 1 person, Zmadho
Imazhi mund të përmbajë: 1 person, Zmadho
Imazhi mund të përmbajë: 1 person, natë dhe Zmadho

Burimi/Facebook/Teatri Aleksander Moisiu Durres